Financat refuzojnë kërkesën e fasonëve për përjashtimin e nënkontraktorëve nga TVSH

Një nga kërkesat e biznesit që punon nën regjimin e përpunimit aktiv (fason) për përjashtimin e nënkontraktorëve nga TVSH-ja ka marrë përgjigje negative nga Ministria e Financave. Në përgjigjen zyrtare që financat i kanë kthyer Dhomës Kombëtare të Veshjeve thuhet se propozimi për përjashtimin nga TVSH për nënkontraktorët e biznesit fason bie në kundërshtim me nenin përkatës “Përjashtimi i veprimtarive të tjera” në Ligjin Nr. 92/2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë i ndryshuar”. Direktiva e BE-së nuk e trajton me TVSH të përjashtuar furnizimin e shërbimit të nënkontraktorëve për kontraktorët nën regjimin e përpunimit aktiv, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Financave.
Një nga kërkesat e industrisë fason, në kuadër të një pakete për nxitjen e këtij sektori, ishte që nënkontraktorët të kenë trajtim të njëjtë me kontraktorin kryesor sa i përket rimbursimit të TVSH-së (shkarkimi i TVSH-së tek nënkontraktorët). Biznesi ka kërkuar në takime me përfaqësues të Ministrisë së Financave që nënkontraktorët të faturoheshim me TVSH zero (që në fakt është zbatuar edhe më parë). Por, paketa e re duket se nuk do të ketë asnjë lehtësim për nënkontraktorët!
Aktorët e tregut pohojnë se, aktualisht subjektet primare që furnizojnë të tretët i paguajnë ata pa TVSH-në (dmth 20% më pak) me premtimin që TVSH-në  do ia kalojnë kur të rimbursohen nga shteti. Si rrjedhojë, subjektet e vogla marrin më pak para dhe janë në varësi të kontraktorit kryesor. Subjektet që furnizojnë të tretët automatikisht si procedurë duhet ta kalojnë pjesën e kontrollit, që të marrin rimbursimin e TVSH-së. Në këtë mënyrë, nënkontraktori pret kontraktorin dhe ky i fundit pret qeverinë, duke krijuar kështu vonesa në pagesa që kanë vënë në vështirësi nënkontraktorët, teksa kjo e ardhur e munguar është zë i fuqishëm i tyre.
Aktorët e tregut pohojnë se Ligji i vjetër i TVSH-së e rregullonte më mirë këtë problem.

Financat premtojnë vetëm rimbursim të shpejtë

Ministria e Financave në shkresën e saj premton vetëm thjeshtim të procedurave të rimbursimit të TVSH-së, me qëllim lehtësimin e rimbursimit automatik të TVSH-së dhe përmbushjes së afateve ligjore, brenda 30 ditëve të rimbursimit të TVSH-së, në dobi të eksportuesve, duke synuar nxitjen e eksporteve.
Këto ndryshime konsistojnë në rikategorizimin e eksportuesve, duke ulur pragun e peshës që zënë eksportet në totalin e shitjeve, me qëllim përmbushjen e afateve ligjore brenda 30 ditëve të rimbursimit të TVSH-së dhe kritereve që duhet të plotësojnë eksportuesit për t’u rimbursuar automatikisht.
Për eksportuesit që kryejnë eksporte në raportet mbi 70%, rimbursimi bëhet automatikisht, duke u konsideruar potencialisht si tatimpagues pa risk për qëllime të rimbursimit të TVSH-së. Ndërkohë për eksportuesit që kategorizohen sipas raportit të eksporteve nga 50% deri në 70% i nënshtrohen më parë analizës së riskut për rimbursim, thuhet në përgjigjen e financave.

Sipërmarrjet kërkojnë avokatin e biznesit

Sipërmarrjet që ushtrojnë aktivitet në Shqipëri po e shohin si domosdoshmëri krijimin e “Business Ombudsman”- ose “Avokati i Biznesit”. Kërkesa për krijimin e këtij institucioni është parashtruar para Këshillit të Investimeve, në një nga mbledhjet e fundit.
Nikolin Jaka, Kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë ka parashtruar një propozim konkret në lidhje me ngritjen e institucionit të Ombudsman për Biznesin. Jaka propozoi që ky institucion të propozohet nga komuniteti i biznesit (dhomat e tregtisë) dhe të miratohet nga Kuvendi i Shqipërisë nëpërmjet një ligji të veçantë. Gjithashtu, Jaka ka argumentuar se shumica e bizneseve nuk janë plotësisht në dijeni të të drejtave të tyre, si të mbrohen kundër institucioneve dhe administratës publike.
Juraj Strasser nga BERZH, prezantoi idenë konceptuale të BERZH-it për ngritjen në Shqipëri të institucionit të Ombudsman të Biznesit, i cili është diskutuar tashmë edhe me qeverinë shqiptare dhe Bankën Botërore. Qëllimi i Avokatit të Biznesit si një institucion i pavarur, do të jetë të rishikojë çështje individuale për t’u investiguar dhe trajtuar si edhe të ofrojë rekomandime mbi ndryshime sistematike.
Biznesi, sidomos investitorët e huaj janë në shqetësuar veçanërisht në lidhje me zbatueshmërinë e kontratave si një nga treguesit më problematikë edhe në treguesit e klimës së biznesit të Bankës Botërore.
Sakaq, ekspertët e Bankës Botërore kanë shprehur gatishmërinë për të asistuar ministrin e Drejtësisë në lidhje me këtë. Një tjetër aspekt që BB është duke punuar ka lidhje me ankimimin ndërkombëtar pranë Gjykatave të Arbitrazhit. Shqipëria ka numrin më të madh të ankimeve, krahasuar me vendet e tjera të rajonit, nga investitorë të huaj gjë që e cila po i shkakton një kosto të lartë shtetit dhe investitorëve si edhe ndikon në perceptimin e investitorëve të huaj mbi klimën e investimeve në vend.

Artikulli paraprakIvanov gjen armiqtë e brendshëm
Artikulli tjetërKu shkuan 2 milionë fidanët e Ministrisë së Mjedisit për Lurën?