Ndërsa ekonomia shqiptare u rrit vitin e kaluar me 4.1%, më e larta e dekadës së fundit, kjo nuk po arrin të reflektohet në të ardhurat që tatimet e doganat mbledhin nga bizneset dhe individët. Të ardhurat e mbledhura nga tatimet dhe doganat në tre muajt e parë të këtij viti arritën në rreth 108 miliardë lekë, sipas statistikave të publikuara nga Ministria e Financave.
Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, të ardhurat janë rritur me 2.6%. Duke reflektuar inflacionin prej 1.7% (mesatarja janar-mars) dhe rritjen e pritshme ekonomikeprej rreth 4%, rezulton se performanca reale e të ardhurave tatimore ishte me një rënie prej 3.1%.
Edhe në raport me planin, financave u mungojnë 1.6 miliardë lekë për tre muajt e parë të vitit, ose rreth 13 milionë euro.
Dy janë taksat që kanë pasur performancën më të ulët në periudhën janar-mars:
-Të ardhurat nga Tatimi mbi vlerën e shtuar, që siguron gati një të tretën e të ardhurave në buxhet dhe që është një tregues direct i konsumit në ekonomi ranë me 3.7% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke zbritur në 32.4 miliardë lekë, dhe duke rezultuar 2.1 miliardë lekë më pak se plani. Të dhënat më të detajuara tregojnë se të ardhurat nga TVSH kanë rënë si nga tatimet (-14.9%) ashtu dhe nga doganat (-5.6%).
-Zëri i dytë me rënie të ardhurash ishte Taksa nacionale dhe të tjera, me ulje prej 13.3%, duke zbritur në 8 miliardë lekë. Financat kanë arritur të mbledhur nga ky zë, ku pjesën m ëtë madhe e zë renta minerare, 1 miliardë lekë më pak sesa plani.
Performancë positive kishte tatimi mbi fitimin, me rritje 20% me bazë vjetore për periudhën janar-mars, duke arritur në 11.7 miliardë lekë.
Me rritje të ndjeshme ishin të ardhurat nga pushteti vendor, ku efektin e dhatë taksat locale, me një rritje prej gati 60%, ku ndikimin kryesor e jep taksa e infrastrukturës.
Ndërsa të ardhurat nga taksa e pronës ranë me 0.4%. Pushteti local nuk po arrin të mbledhë më shumë të ardhura nga kjo taksë, pavarësisht përpjekjeve përmes ndryshimit të formulës si mblidhet ajo, bazuar në vlerën e pronës. Të ardhurat nga sigurimet shoqërore e shëndetësore u rritën me 5.4%, në përputhje me planin.
Shpenzimet, ulen investimet
Shpenzimet ranë me 2.7% për periudhën janar-mars 2019, në raport me tremujorin e 2018-s, duke zbritur në 104.4 miliardë lekë.
I gjithë kursimi ka ardhur si rrjedhojë e reduktimit të shpenzimeve kapitale, që ranë me 13.7% në raport me janar-mars 2018, duke zbritur në 9.1 miliardë lekë. Në raport me planin, shpenzimet kapitale ishin 2.7 miliardë lekë më pak.
Pavarësisht ambientit me norma të ulëta, shpenzimet për interesa u rritën me 12.2%. Mbajtja nën kontroll e shpenzimeve, ka bërë që deficit në tre muajt e parë të vitit të bjerë me 28.5%, në 3.6 miliardë lekë.