“Financial Times”: Situatë e rrezikshme në Ballkan

“Financial Times” i ka kushtuar një artikull të zgjeruar integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, duke folur për të shkuarën e rajonit, të tashmen dhe të ardhmen. “Reagimi i Bashkimit Europian ndaj rajonit vjen në kohë, po është i dobët”, thuhet në shkrim. Kjo analizë vjen në një kohë që tensionet në rajon janë rritur ndjeshëm dhe që liderë të ndryshëm të Ballkanit Perëndimor i kanë bërë apel Bashkimit Europian për më shumë vëmendje. Duke iu referuar një shakaje ballkanase, “Finacial Times” shkruan: “Diferenca mes optimistëve dhe pesimistëve kur bëhet fjalë për integrimin e rajonit është ajo që, optimistët besojnë se Turqia do të bëhet anëtare e unionit gjatë presidencës së Shqipërisë, ndërkohë që pesimistët presin që Shqipëria t’i bashkohet unionit gjatë presidencës së Turqisë”. Shekulli i 21-të në Ballkan po fillon rrezikshëm t`i ngjajë shekullit të 19-të, me një diferencë të vetme; atëherë Rusia dhe Turqia ishin armike, ndërsa sot janë bashkë për ta larguar rajonin nga influenca perëndimore. Situata në rajon bëhet edhe më e komplikuar duke pasur parasysh panoramën ekonomike, me stanjacion dhe papunësi të lartë, shkruan prestigjiozja. “Eksodi i popullatës gjatë dy dekadave të kaluara nga ana tjetër i ka lënë shoqëritë e rajonit pa masë reale për të udhëhequr ndryshimin”, vijon artikulli. Bashkimi Europian është partneri kryesor tregtar për rajonin, dhe kjo për Europën është e rëndësishme, vijon “FT”, që nënvizon se, Evropa nuk duhet t`i mbajë më sytë nga Shtetet e Bashkuara si faktori stabilizues në rajon, pasi Ballkani nuk do të jetë asnjëherë një prioritet për Donald Trump dhe administratën e tij. “Bashkimi Europian duhet të jetë gati që ta bëjë Ballkanin një prioritet gjeopolitik. Nëse nuk e bën këtë, atëherë shumë shpejt influenca e unionit në rajon do të venitet”, mbyllet shkrimi i “Financial Times”.

Artikulli paraprakTri denoncime, banda e Rroshit po shkatërron plazhin e Golemit
Artikulli tjetërXhafa fsheh në CV 5 vitet si xhelat i diktaturës