Fiorentina është përballur me një sërë largimesh të futbollistëve me peshë gjatë kësaj merkatoje verore, duke filluar me kapitenin Borja Valero, Vecino, Bernardeschi, Iliçiç apo Kaliniç, i cili pritet të zyrtarizohet te Milani brenda javës së ardhshme. Për këtë arsye drejtuesit e klubit vjollcë po nxitojnë për të plotësuar vendet e lëna bosh në organikën e ekipit.
Fiorentinës i është bashkuar Giovanni Simeone, djali i Diego Simeones, sulmues 22-vjeçar, i cili gjatë sezonit të kaluar u aktivizua te Genoa, ku shënoi 12 gola në 35 takime. Krahas argjentinasit, Fiorentinës iu bashkua edhe mbrojtësi Cristiano Biraghi, i ardhur nga Pescara, ndërsa është arritur marrëveshja edhe me qendërmbrojtësin e Betis, Pezzella. Ky i fundit pritet të vijë në Firence sipas formulës, huazim me detyrim blerje për shumën e 10 milionë eurove. Fiorentina do të luajë më datë 20 gusht, ndeshjen e parë të këtij sezoni në “San Siro” ndaj Interit, ku do të gjejë si kundërshtarë edhe dy ish-mesfushorët e saj Vecino dhe Borja Valero.
Pas huazimit te Empoli, Roma pritet të largojë sërish Lukasz Skorupski, por kësaj radhe në Premier League. Portieri nuk e ka të siguruar vendin e titullarit te verdhekuqtë, pasi trajneri Di Francesco preferon brazilianin Alisson Becker. Kështu polaku është i destinuar të huazohet sërish për të luajtur me minutazh të plotë në një tjetër ekip. Crystal Palace është skuadra më e interesuar për kartonin e 26-vjeçarit, që vlerësohet shumë dhe nga trajneri Frank de Boer.