Fishekzjarret në fushë, hapësirë në mediat e huaja

Humbja e Shqipërisë në Palermo dhe fatkeqësisht edhe ngjarjet aspak të bukura të pjesës së dytë ku tifozët detyruan arbitrin të ndërpriste ndeshjen, zënë një hapësirë të madhe në mediat ndërkombëtare. Mjaftuan disa minuta çmenduri që Shqipëria e futbollit të eklipsohet nga disa episode aspak të denja për një tifozeri shembull. Në Angli, tabloidi “Daily Mail” thekson se ishin lojtarët shqiptarë ata që ndërhynë duke u bërë thirrje tifozëve t’i jepnin fund asaj çfarë po ndodhte në “Renzo Barbera”. Ky tabloid sjell edhe intervistën e trajnerit De Biasi, i cili theksoi se në këtë ndeshje pa një fytyrë tjetër të tifozëve shqiptarë që nuk e kishte hasur asnjëherë më parë. Për “Daily Mail”, ishte Odise Roshi lojtari më i rrezikshëm i Shqipërisë pasi sulmuesi shtatlartë vendosi disa herë në vështirësi portierin Gianluigi Buffon. “BBC” veçon gjithashtu deklaratën e De Biasit, i cili u shpreh i zemëruar me gjestin e tifozëve, ndërsa kapiteni Agolli arriti të ndërhynte për të rikthyer normalitetin në stadium. Po në Angli, faqja zyrtare e “Sky Sport” veçon rastet e Cikalleshit dhe Roshit, të cilët nuk arritën t’i prishnin festën legjendës Buffon në ndeshjen e tij të njëmijtë.
Spanja preferon të ndalet te ajo që ndodhi jashtë fushës me “AS” që thekson se Italia fitoi mes kaosit, ndërsa “Marca” shton se Italia arriti të mbrohej me disiplinë deri në minutën e 71-të duke mos i lënë pothuajse asnjë hapësirë Shqipërisë që pas golit të dytë nuk arriti të reagonte.
Edhe në Francë, sjellja e një pjese të vogël të tifozerisë shqiptare nuk ka përcjellë aspak një mesazh pozitiv. “L’Equipe” preferon të ndalet te momenti i ndërprerjes së ndeshjes në pjesën e dytë për shkak të fishekzjarreve të hedhura në fushën e lojës. Ndërkohë, në Itali “Corriere dello Sport” propozon një shkrim analitik interesant ku gazetari Ivan Zazaroni thur elozhe për lojën e Shqipërisë duke theksuar se kombëtarja e De Biasit kishte tre raste të pastra për gol ashtu si edhe Italia dhe nuk luajti më keq se kombëtarja e kaltër. “Gazzetta dello Sport” ve theksin në skuadrën e organizuar që De Biasi hodhi në fushë, ndërsa shton se në fund të pjesës së parë Shqipëria rrezikoi të barazonte shifrat. Në fund të shkrimit, e përditshmja milaneze nënzivon se pas ngjarjeve të Palermos, Federata shqiptare e Futbollit rrezikon shumë, që nga gjoba dhe deri te vendimi për një ndeshje zyrtare pa praninë e tifozëve.
DIGOS, polica e specializuar në Itali që zakonisht merret me ngjarjet e dhunshme si ato të mbrëmjes së të premtes në “Renzo Barbera” të Palermos, ka filluar menjëherë punën për të ndalur elementët e dhunshëm që sollën ndërprerjen e ndeshjes.
Ndërsa kontrolloheshin nga larg tifozët, zyra operative kontrollonte kamerat e sigurisë duke identifikuar të gjithë personat e dhunshëm apo ato që ndezën e hodhën fishekzjarrë e flakadanë në stadium.
Sipas mediave italiane, është arrestuar menjëherë gjatë ndeshjes një tifoz shqiptar, i cili po hidhte fishekzjarrët, ndërsa më pas janë identifikuar edhe 77 mbështetës të tjerë të Shqipërisë, të cilët janë në kërkim pasi ndiqen penalisht.

Exit mobile version