“Fiskalizimi do të anulohet”, Basha angazhohet t’i kursejë biznesit 600 deri 2000 euro në vit: Taksat nuk do ndryshojnë për 4 vjet

• “Fiskalizimi do të anulohet”, Basha angazhohet t’i kursejë biznesit 600 deri 2000 euro në vit nga tarifa e fiskalizimit. Biznesi i vogël nuk do të paguaj më shumë se 0.5% të xhiros tatime. 
• Basha takon profesionistët e lirë, të shqetësuar për paqëndrueshmërinë e politikës fiskale: Taksat nuk do të ndryshojnë për 4 vjet. Tatim mbi të ardhurat 9%, sigurime shoqërore 18%.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar njё takim me profesionistë të lirë në njësinë 7, në Tiranë, ku u është përgjigjur pyetjeve në lidhje me problemet që i shqetësojnë.
Farmacistja Stela Shulla, ngriti shqetësimin për mënyrën e fiskalizimit, pasi sipas saj, për biznesin është kosto shtesë.
“Doja të dija në lidhje me fiskalizimin. Ne përveç ngarkesës që kemi patur këtë periudhë, kemi kosto shumë të madhe shtesë që na faturohet dhe kjo. Nuk dimë se si do shkojë dhe çfarë do ndodhë. Ju çfarë keni në programin tuaj për ne, në lidhje me fiskalizimin” – tha Stela Shulla.
Ndërsa kontabilisti Edvin Gaçe, tha se ndryshimi i shpejt i kuadrit ligjor për biznesin, bëhet pengesë në thithjen e investimeve të huaja.
“Ajo që dua të them dhe që kam parë unë nga puna ime si shqetësim dhe jo e imja si kontabilist, por i biznesit në tërësi është ndryshimi i shpejtë dhe me intensitet të jashtëzakonshëm i kuadrit ligjor, çka bëhet e vështirë për ne që jemi profesionistë të fushës dhe jo më për biznesin që të vijë dhe të ambientohet apo të parashikojë një investim të ardhshëm. A keni menduar një paketë fiskale, të paktën për pjesën fiskale, një paketë ligjore që të jetë afatgjatë por dhe investitorët e huaj por dhe vendas, pasi dhe ata janë shumë të rëndësishëm për ne të kenë një projeksion të buxhetojnë apo të dinë fitimin e tyre në vijim apo jo”, u shpreh kontabilisti Edvin Gaçe.
Ndryshimi i sistemit të taksimit disa herë në vit, sipas Bashës është tregues i ngecjes në vendnumëro të ekonomisë shqiptare. Kreu i opozitës shpjegoi planin e Partisë Demokratike që në radhë të parë synon të anulojë fiskalizimin, pasi sipas tij, kjo është një aferë korruptive që do të hetohet. Ai gjithashtu tha se me tavanin 0.5% të xhiros vjetore për taksat dhe tarifat vendore, si dhe pulla fiskale në hyrje të biznesit, janë dy garancitë e qeverisë së ardhshme që do të çlirojnë biznesin e vogël dhe të mesëm.
“Nuk është e rastësishme që ekonomia ka ngelur në vendnumëro dhe që në 8 vite janë ndërruar kushedi sa herë sistemet e taksimit të biznesit. I tillë është dhe i ashtuquajturi fiskalizim. Në fakt bëjmë gabim t’i themi fiskalizimi, është i ashtuquajturi fiskalizim, një aferë e nisur prej kohësh, e denoncuar nga ne dhe gjetën një moment, para zgjedhjeve, ku menduan se kanë bërë sa kanë bërë PPP e koncensione, e po bëjnë dhe fiskalizimin. Në fakt plani ynë është i qartë dhe i thjeshtë. Fiskalizimi do të anulohet! 600 deri në 2000 euro që duhet të paguajë biznesi i vogël, pasi i jepet fatura e energjisë dyfish krahasuar me dy vite më parë, pasi është rritur çmimi i naftës, pasi me çdo gjobë i merret fitimi i muajit, nganjëherë dhe i vitit.
Biznesi i vogël nuk do të paguajë koston e fiskalizimit dhe kjo aferë do të hetohet deri në fund, ashtu siç kemi thënë prej ditës së parë, ashtu siç kemi denoncuar me fakte sepse për biznesin e vogël dhe të mesëm, që për ne fillon nga 140 milionë lekë të vjetra, do ketë një dhe vetëm një masë. 0.5% tavani i xhiros vjetore për taksat dhe tarifat vendore, një pullë fiskale në hyrje të biznesit, që do të ndalojë praninë e tatimorëve, janë dy garancitë që do të çlirojnë biznesin e vogël dhe të mesëm që është kolona vertebrale, është shtylla kurrizore e ekonomisë shqiptare. Për farmacitë në veçanti kam edhe diçka tjetër. Në reformën tonë shëndetësore pa diskutim rimbursimin sipas diagnozës zë një vend të veçantë dhe një nga grupet e interesit me të cilën kemi diskutuar është urdhri i farmacistit, që ti japim fund majës së ilaçeve, që ilaçet që hynë në Shqipërisë të mos jenë skarco apo ilaçe fallco që i blenë dhe nuk të shërojnë.
Prandaj ne do të rikthejmë cilësinë e barnave dhe do të kthejmë një kriter, në Shqipërisë të moshuarit shqiptar, pensionistët shqiptarë, foshnjet shqiptare dhe çdo pacient shqiptar do të kurohet vetëm me medikamente të aprovuar nga agjencitë e Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kanadasë, Japonisë, Australisë, pra të vendeve të OESI-së. Reforma jonë shëndetësore do të mundësojë në radhë të parë që këto para të shkojnë për reformimin e shëndetit publik, që paraja të ndjekë pacientin dhe që brenda dy vjetëve të parë përmes kësaj reforme të ndalet largimi i mjekëve dhe infermierëve dhe të ofrohet cilësi e shërbimit shëndetësor në spitalet publike he në sistemin shëndetësor në tërësi, të paktën e të njëjtit nivel siç ofrohet në vendet e rajonit për të përparuar më tej pastaj drejt nivelit europian. E treta për farmacistët, dhjetëra-mijëra familje në Tiranë, ndoshta qindra-mijëra në gjithë Shqipërinë kanë kaluar COVID-in me një, dy, apo nganjëherë të gjithë familjarët e sëmurë me COVID. Po ashtu po hartojmë së bashku me ekspertët më të mirë, një paketë për rimbursimin retroaktiv me efekt prapaveprues të të gjitha familjeve të dëmtuara në financat e tyre nga pakujdesia, nga neglizhenca e nga braktisja e kësaj qeverie”, tha Basha.
Basha gjithashtu u shpreh se paketa fiskale që do të miratohet nga qeveria e ardhshme, e cila ka në thelb të saj taksën 9%, uljen e kontributeve shoqërore në 18% dhe heqjen e taksës Rama mbi karburantin, do të jetë më konkurruesja në rajon.
“Pankarta jonë fiskale është publikuar. Ajo parashikon që Shqipëria të jetë konkurruese me vendet e tjera të rajonit dhe jo të jetë me taksat më të larta dhe çmimet më të larta. Një vend që ka taksat dhe çmimet më të larta në rajon nuk i thith dot investimet e huaja. Për të mos folur pastaj si i shpenzon këto taksa ku prioriteti me ne do të jetë trajnimi I rinisë dhe thithja e investimeve të huaja përmes transferimit të teknologjisë se përndryshe na ndodh kjo që sot është realitet në çdo familje shqiptare. Na ikën rinia në kërkim të një vendi pune, futen në borxh për të shkuar emigrant. Pra, paketa jonë fiskale është realisht më konkurruesja në rajon, me taksën e sheshtë 9%, me kontributet për sigurimet shoqërore 18%, me heqjen e taksës Rama mbi karburantin 24 lekë për litër dhe me masat e tjera fiskale ne e bëjmë Shqipërinë ambientin me taksat më të ulëta, ose në rastin e disa vendeve fqinjë me taksa të barabarta me vendet rreth nesh.
Angazhimi i qeverisë  dhe angazhimi im personal është që kjo paketë taksash nuk do të ndryshojë, nuk do të ketë pra ndryshim, shtim të taksave. Sigurisht nëse hapësira ekziston për ulje të taksave do të veprohet në këtë drejtim. Sikundër do të ngrihet një institucion, një bord i pavarur nga qeveria, i kontrollueshëm nga parlamenti, detyra e të cilit do të jetë pikërisht që qeveria nesër e tutje të mos të jetë në gjendje të marrë masa arbitrare, të jetë arrogante dhe të bëjë gjëra të papritura në kurriz të sipërmarrjes, në kurriz të ekonomisë dhe në kurriz të xhepave të shqiptarëve”, tha Basha.
2 99
Exit mobile version