Fiskalizmi, instrument për t’i falimentuar bizneset, PD: Qeveria armike e betuar e sipërmarrjes së ndershme private

Nga Emilia KOLIQI 

Shqipëria është vendi i vetëm në rajon, i cili po aplikon sistemin e fiskalizimit, një sistem i monitorimit të të dhënave të biznesit.

Fiskalizimi që në fillim, është propaganduar nga qeveria si një sistem, që më në fund do zhdukë informalitetin dhe do të sjellin më shumë të ardhura në buxhetin e shtetit.

Por, asnjëherë nuk u bë transparencë për shifrat, se sa do të ishte përfitimi në buxhetin e shtetit nga kjo reformë e “suksesshme”.

Më 1 Janar 2021 filluan faturat elektronike kundrejt enteve publike në përmbushje të detyrimit ligjor.

Më 1 Korrik 2021 hyri në zbatim fatura elektronike për të gjitha transaksionet pa para në dorë, ndërmjet tatimpaguesve, pra biznes me biznes.

Me datë një 1 shtator ka hyrë në zbatim faza e tretë e fiskalizmit, e cila kërkon fatura elektronike për transaksionet biznes-konsumator.

Faturimi i ri do të zbatohet nga 90 mijë biznese, Në këtë kategori pjesa më e madhe janë biznese të vogla, të cilat vazhdimisht janë shprehur se nuk janë gati për të qenë pjesë e këtij sistemi, sepse nuk mbulojnë dot kostot e tij.

Duke filluar nga regjistrimi, pra marrja e certifikatës së fiskalizimit, kasat e reja ose përshtatja me software, garancia e internetit për çdo biznes, blerja e kompjuterave, printerave, mirëmbajtja e tyre, punonjës shtesë me ekspertizën e duhur për të aksesuar programet etj, janë shpenzime shtesë në vit për çdo biznes. Dhe të gjitha këto, pasi kemi kaluar periudha mjaft të vështira, si tërmeti dhe pandemia globale COVID-19, nga e cila nuk kemi dalë akoma.

Për gjithë këtë rritje të kostos së administrimit dhe shpenzimeve për kompletimin e infrastrukturës, qeveria nuk merr përsipër asnjë kompensim ndaj bizneseve, në një kohë që ky proces është ndërmarrë, që t’i shërbejë vetëm asaj.

Kjo qeveri, është një armike e betuar e sipërmarrjes së ndershme private, dhe procesi i fiskalizimit do të jetë një instrument për të vënë në vështirësi bizneset, kryesisht të vogla dhe për t’i falimentuar ato…

Fiskalizimi kostot 2 962

Artikulli paraprakBioNTech: Misioni i radhës është vaksina kundër kancerit
Artikulli tjetërPropagandë e neveritshme që shet dështimin si sukses