Pas 102 vitesh në Selanik është hapur sot për herë të parë Xhamia e Re për kremtimin e Fitër Bajramit nga myslimanët e këtij qyteti. Monumenti historik, i cili përdoret si hapësirë ekspozite e Galerisë së Arteve Komunale, u është dhënë për herë të parë që nga viti 1922 myslimanëve për faljen e namazit, pas agjërimit të Ramazanit. Vendimi është marrë nga Sekretariati i Përgjithshëm i Feve dhe sipas ligjit, imami që kryen namazin është zgjedhur nga shteti grek. Namazi i parë në Xhaminë e re ka nisur herët në mëngjes në orën 7.30.
Prej orëve të para të mëngjesit ka pasur një prezencë të forcave policore dhe masa të rrepta sigurie, mes të cilave kontrolli në të gjithë zonën dhe brenda xhamisë para se të hapej.
Kujtojmë se pas një sërë pengesash burokratike, xhamia e parë në Athinë ku jetojnë mbi 300 mijë myslimanë, kryesisht emigrantë nga Azia, Afrika dhe Lindja e Mesme, është hapur në vitin 2021.
Sipas të dhënave të Sekretariatit të Përgjithshëm të Feve, në Atikë, përveç xhamisë islame të Athinës, funksionojnë 15 xhami të licencuara, ndërsa ato jozyrtare llogariten nga 55 deri në 60. Në Thrakë ka rreth 300 xhami dhe një në Kos, Rodos, Thebë dhe Selanik.
Qytetarët myslimanë grekë janë afërsisht 125,000 dhe jetojnë kryesisht në Traki. Në Atikë, refugjatët dhe emigrantët myslimanë vlerësohen në 250,000 kryesuar nga pakistanezët.