Fitim Zekthi: Drejtësia i ka bërë dy partitë e mëdha të jenë plotësisht apolitike

Nga Fitim Zekthi

Tani është bërë e qartë gjithçka. Në fakt ka gati katër viet që është bërë e qartë gjithçka. Çdo veprim, çdo lëvizje, çdo qëndrim, çdo mekanizëm i ndërtuar nga politika në Shqipëri, nga dy partitë e mëdha, që prej vitit 2015 është bërë dhe bëhet vetëm duke patur pikë reference drejtësinë, reformën në drejtësi, prokurorinë speciale SPAK dhe gjykatën speciale GJKKO.

Në verë të vitit 2015, në gusht të atij viti, në Shqipëri nsi përpjekja për një reformë në drejtësi. Bashkimi Europian por sidomos SHBA më shumë, shtynë përpara me forcë reforminin e sistemit tonë të gjykatave dhe të prokurorisë. Nga viti 2013 deri në vitin 2015 vendi kishte ecur brenda kontureve 20 e ca vjeçare ku sistemi i drejtësisë ishte gati një koorporatë më vete, nuk merrej asfare me korrupsionin e politikanëve dhe me krimin e organizuar. Gjyqtarët dhe prokurorët në një masë dërrmuese ishin plotësisht të korruptuar. Objekt i punës së tyre ishin vetëm njerëzit e zakonshëm. Ky lloj mekanizmi, kjo lloj koorporate ishte ndërtuar gradualisht që prej vitit 1992 por më së shumti që prej 1997. Koorporata funksinonte gati në mënyrë perfekte. Ishte një pushtet plotësisht i ndarë dhe gati i “pavarur” që kishte objekt të punës së tij vetëm popullin dhe aspak politikanët dhe bosët e fuqishëm të krimit.

Partia Demokratike në opozitë në vitin 2015 ishte duke u riorganizuar. Ajo kishte hyrë në zgjedhjet lokale të atij viti dhe kishte marrë një rezultat të mirë. Partia Socialiste po konsolidonte pushtetin e saj. Ajo po vazhdonte mënyrën e vjetër të qeverisjeve kur thelbi përkufizohej nga pak punë dhe shumë korrupsion. Logjika e gjërave dukej e qartë. Do të vazhdonte tradita mbi 20 vjeçare e dy partive të mëdha që qeverisin me radhë. Ajo në pushtet gradualisht korruptohet dhe kalbet dhe ajo në opozitë bën disa truke të vogla dhe rivjen në pushtet. Ndëshkueshmëria dhe llogaridhënia nuk ekzistojnë fare.

Shtyrja me forcë e reformës në drejtësi në verë të 2015 i futi në ankth dy partitë e mëdha. Partia Socialiste nuk mund të dilte kundër refomës. Roli dhe fuqia e SHBA dhe e BE-së ishin shumë të mëdha. Partia Socialiste kishte vetëm një rrugë. Të përkrahte reformën, të bëhej pjesë e saj, të hynte në të dhe të mund të kontrollonte sa të mundte mekanizma të caktuar apo pjesë të caktuara të prokurorisë dhe të gjykatës pasi reforma të përfundonte.

Ishte pak a shumë si të përpiqesh të kontrollosh disi një rrymë të fortë uji, një përrua apo një lumë duke hyrë vetë në të për ta drejtuar sa të mundësh ku të duash. Pra, kryeministri Rama zgjodhi (nuk kishte tjetër mundësi) të ecte në anën e rrymës, të lundronte në rrymë për ta drejtuar sadopak atë në drejtimin që donte. Çdo veprim i qeverisë, çdo sjellje dhe qëndrim politik i Partisë Socialiste ishte në funksion të gjetjes së një mënyre apo mekanzimi për të penguar drejtësinë të bëhej e pavarur dhe të niste ndëshkueshmëria.
Partia Demokratike në opozitë gjithashtu u tmerrua nga fuqia me të cilën po shtyhej reforma në drejtësi nga SHBA dhe BE. Edhe PD-ja u vu përpara ankthit të nisjes së ndëshkueshmërisë dhe prishjes së sistemit 25 vjeçar politik. Forcat që i trembeshin nisjes së ndëshkueshmërisë në PD e shtynë PD të bënte gjithçka në përpjekje për ta penguar reformën.

PD ndryshe nga PS nuk mund të hynte në rrymë, nuk mund të ishte në anën e reformës me qëllim që ta ndikonte atë në favorin e saj. Këtë gjë mund ta bënte vetëm qeveria ose partia në pushtet. Po të ishte në pushtet PD do të bënte saktësisht atë që bëri PS dhe anasjelltas. Kështu PD-së i mbeti të gjente si mënyrë për të penguar ardhjen e ndëshkueshmërisë daljen kundër reformës, pengimin e reformës. PD zgjodhi rrugën më të vështirë, më të rrezikshme. Zgjodhi t’i dalë kundër rrymës, t’i dalë kundër lumit apo përroit të fuqishëm.

E gjithë vjeshta kaloi me kundërshtitë e PD-së për projektet, me dërgimin e tyre në Komisionin e Venecias, me akuzat se reforma në drejtësi po kapej nga Rama si oktapod. Duhet thënë që përpjekja e PD-së e bëri reformën edhe me të pranueshme por qëllimi i PD-së nuk ishte ta bënte atë të pranueshme, qëllimi ishte ta pengonte. Në fillim të vitit 2016 dhe në pranverë të atij viti presioni i SHBA u rrit fuqishëm. Erdhi sekretari i shtetit John Kerry, erdhi nënsekretarja e shtetit Victoria Nuland.

Presioni mbi PD ishte shumë i fortë. PS thoshte jemi me gjithçka duan amerikanët. Rama e kishte të qartë se kundër lumit nuk dilej. PD ndryshoi disa herë qëndrim nga presioni i madh amerikan. Në fund të korrikut u ndryshua kushtetuta në funksion të reformës në drejtësi. Rruga për ndëshkimin e politikanëve dhe bosëve të krimit u hap por ishte ende e gjatë. Duheshin miratuar mjaft ligje dhe duhet të ngriheshin institucionet thuajse nga fillimi.
Përsëri vijoi po e njëjta sjellje. PS në anën e rrymës që ta kontrollojë atë dhe PD kundër rrymës që ta pengojë atë. Ligjet u miratuan nga presioni i lartë i SHBA pa pjesëmarrjen e PD-së e cila po bënte gjithçka vetëm për të penguar reformën.
Në shkurt të 2017 PD nisi një protestë të përditshme duke hapur një çadër në bulevard dhe duke bojkotuar parlamentin. Bojkoti i parlamentit shtynte miratimin e komisioneve të vettingut, pra shtynte reformën.

Pas ardhjes së Hoyt Brian Lee nga departamenti i shtetit PD ndërpreu protestën dhe miratoi komisionet dhe hyri në zgjedhje. Reforma po ecte por ngadalë. Reforma po pengohej në shumë mënyra edhe nga qeveria që shkaktonte pretekste për refuzim dhe protesta edhe nga PD që tashmë po dilte hapur kundër reformës. Kur u zëvendësua prokurori i përgjitshëm Adriatik LLalla i cili nuk po lejonte të formohej KED ( Këshilli i Emërimeve në Drejtësi) një institucion kyç në atë fazë të refomës atëherë u bë e qartë se tashmë refoma nuk mund të pengohet më. Prokurorja e re Arta Marku i hapi rrugë formimit të KED. Ditën që u zgjodh Marku (me shumë mundësi në mënyrë antikushtetuse) PD e bëri të qartë se do të digjte mandatet. Në derë të parlamentit Sali Berisha tha se do të djegë mandatet. Kështu u bë pak ditë më pas.

Tashmë PD nuk kishte më asgjë për të humbur. Situata nuk mund të vazhdonte njëlloj. Ajo duhej të radikalizohej. Ndëshkueshmëria e politkanëve dhe bosëve të krimit po afrohej. Pas djegies së mandateve PD bojkotoi edhe zgjedhjet lokale të vitit 2019. PD kishte dalë gati fare nga sistemi. Në fund të vitit 2019 u krijuan disa prej institucioneve bazë të reformës. U krijua SPAK dhe GJKKO pas shumë zvarritjeve dhe shumë pengesave nga qeveria Rama. Me gjithë mekanizmat e vet Rama mundohej të ndikonte krijimin e institucioneve të reja. Gradualisht institucionet nisën punë. Presioni ndërkombëtar ndaj partive ishte shumë i lartë dhe përkrahja për SPAK dhe GJKKO ishte shumë e madhe.

Gjithë lufta gati 10 vjeçare e PS dhe PD-së kundër reformës në drejtësi duket se ka dështuar ndonëse jo plotësisht. Rama duket se ka një ndikim të lehtë tek segmente të caktruara të drejtësisë dhe ka arritur të shtyjë dhe të vonojë konsolidimin e institucioneve por asgjë më shumë. PD-ja gjithashtu ia ka arritur disi me anë të presionit dhe kundërshtive të larta të vonojë shumë hetime dhe të kompleksojë disi sistemin duke e akuzuar atë përditë.

Në tërësi as PS dhe as PD nuk kanë nën kontroll asgjë. Dhjetëra ministra dhe kryetarë bashkish të PS janë në burg dhe gjithashtu disa njerëz të rëndësishëm të opozitës janë nën hetim për korrupsion.

Ato gabuan në disa drejtime. E para, ato nuk e kuptuan plotësisht se nuk mund të vazhdonte sistemi 25 vjeçar i një koorporate që dënon popullin dhe nuk meret me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Një ditë ajo gjë të do të ndryshonte. Nuk ka asgjë që vazhdon pandalur. Së dyti, ato nuk e kuptuan që vendimi i SHBA ishte i pakthyeshëm dhe i parrëzueshëm. Ai ishte pjesë e një skeme rajonale politike dhe gjeopolitike por edhe e një qasjeje të vazhdueshme e politikës së SHBA dhe e vlerave që e udhëheqin atë. Së treti ato nuk e kuptuan që prokurorët dhe gjyqtarët janë një pushtet shumë i fuqishëm dhe në qoftë se përkrahen nga një pushtet i madh si SHBA atëherë janë në gjendje të bëjnë goditje shumë të fuqishme. Së katërti, ato nuk e kuptuan se zullumi këputet kur trashet, se e keqja, djallëzorja një ditë ditë do të theyjë kokën. Zoti sheh dhe di gjithçka dhe ka mënyrën e vet se si e dënon zullumin.

Tani jemi në pikën e një politike krejtësisht të çorientuar, të një qeverie të shkatërruar dhe të një opozite po ashtu të çorientuar dhe në kaos. Që të dyja nuk kanë fuqi të tejkalojnë veten dhe të bëjnë politikë, që të dyja nuk kanë fuqi të lëshojnë ata që janë barra, që të dyja nuk kanë fuqi të distancohen nga korrupsioni…Që të dyja vazhdojnë të bëjnë gjithçka që të rregullojnë shqetësimin e tyre madhor, ankthin e tyre që është ndëshkueshmëria e atyre që ishin të pandëshkueshëm.
Për këtë arsye ato janë sot dy formacione gati apolitike. Kjo rrugë do t’i çojë drejt kalbjes së plotë.

Ajo parti që do të nisë të lëshojë barrën, që do të nisë të përkrahë drejtësinë dhe ndëshkueshmërinë ajo do të jetë më shumë në lojë. Edhe shpresa se amerikanët ikën siç thoshte Rama dhe siç trumbetonte Berisha ishte pjesë e iluzionit dhe e luftës 10 vjeçare që po humbet./liberale.al

Exit mobile version