Fitim Zekthi: Merrni nga Amerika besimin te Zoti dhe vetëpërmbajtjen për pushtet

Nga Fitim Zekthi

Për të gjithë, por sidomos për ata që kanë dëshirë, oreks apo epsh të pashueshëm për pushtet, për ata që jetën e kalojnë në luftë për pushtet, për ata që nuk shkulen dhe kapen me thonj, me kthetra pas politikës dhe pushtetit duke e kthyer atë në objektin e vetëm të shenjtë dhe në qëllimin e vetëm të jetës, duhet të kenë parasysh se kjo është një botë që të gënjen, që të fut në dhimbje dhe vuajtje të mëdha. Kjo botë, kur lufton me kthetra dhe thonj gjithë jetën për pushtet, gjithashtu të bën t’u shkaktosh vuajtje të mëdha njerëzve dhe vendit tënd. Nga SHBA duhet marrë edhe ky shembull madhështor i të kujtuarit se Zoti ka çdo pushtet. Nga SHBA duhet marrë edhe ky shembull i vëmendjes ndaj Zotit dhe frikës së pushtetit.

Para betimit të presidentit, kjo ndodh gjithmonë që nga presidenti i parë, flasin liderë apo klerikë të lartë fetarë. Sot foli kardinali Timothy Dolan dhe reverendi Franklin Graham. Ata kujtuan dobësinë e njeriut, mësimet e Zotit, pushtetin e Zotit dhe nevojën që pushtetari të dijë se vetëm Zoti ka çdo pushtet. Ata u lutën që Zoti ta ruajë dhe t’i japë sukses presidentit.

Në fakt, të gjitha fetë e mëdha abrahamike, librat e shenjtë të tyre flasin gjerësisht për këtë aspekt të pushtetit. Në Dhjatën e Vjetër, në Psalme thuhet se “…çdo pushtet i takon vetëm Zotit…”. Në librin e Danielit thuhet se vetëm “….Zoti ngre mbretër dhe ul mbretër…”. Në Kuran, në kapitullin Al Fatir, Zoti thotë: “Në qoftë se dikush kërkon lavdi dhe pushtet – Zotit i përkasin lavdia dhe pushteti”. Po në këtë kapitull, Zoti thotë: “Ata që bëjnë komplote me djallin (në kërkim apo përdorim të pushtetit) për ta ka ndëshkim të tmerrshëm”.

Në Dhjatën e Re, te Mateu thuhet: “…çdo pushtet i takon Krishtit në qiell dhe në tokë.” Ky është thelbi i politikës dhe pushtetit. Të kesh frikë Zotin dhe të mos vjellësh gjak dhe vrer pas pushtetit dhe pozitës.

Artikulli paraprak“Balkan Insight” rendit Bashën si politikani i parë nga Ballkani në ceremoninë e Trump
Artikulli tjetërShqipëria një nga 13 prodhueset më të mëdha të naftës në Europë, por vendi i vetëm që nuk i gëzohet resurseve të saj