Milani del nga kriza dhe e bën me një provë karakteri. Kuqezinjtë fituan 1-0 në fushën e Bologna-s, në ndeshjen tjetër të prapambetur të javës së 18-të. Një sfidë ku ndodhi thuajse gjithçka, u vendos në sekondat e fundit nga klasi i Deulofeu dhe goli vendimtar i Pasaliç, me “Djallin” që u kthye te fitorja pavarësisht se luajti me dy lojtarë më pak.
Paletta u largua nga fusha pas vetëm 37 minutave lojë, pasi u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë. Megjithë inferioritetin, kuqezinjtë ishin skuadra më e rrezikshme në fushë me Deulofeun, ndërsa kartoni i dytë i kuq, këtë herë për Kucka-n pas një ore lojë rrezikoi të ishte fatal.
Donnarumma shpëtoi Milanin pak minuta më pas, ndërsa pas atij momenti, e lodhur dhe e demoralizuar edhe pas humbjes 7-1 ndaj Napolit vetëm pak ditë më parë, Bologna ishte inekzistente.
Fillimisht Pasaliç shpërdoroi një shans të artë për të kaluar Milanin në avantazh, ndërsa në të 71-ën traversa i prishi festën Deulofeu-t, protagonist i një ndeshje fantastike. Katalani tregoi të gjithë klasin e tij në sekondat e fundit të ndeshjes, duke i lënë Mario Pasaliç vetëm detyrën ta shtynte topin në rrjetë. Me dy lojtarë më pak, Milani fitoi ndaj Bologna-s dhe rihapi garën për një vend në Europë.