Fitore me çdo kusht

Për të shpresuar ende te vendi i tretë, në shtëpinë e Interit e dinë shumë mirë se sukseset ndaj Frosinones dhe Napolit duhen konfirmuar me të tjera fitore. Këtë mesjavë zikaltërit do të udhëtojnë në Luigi Ferraris për të sfiduar Genoan e Gasperinit në një takim, ku për Interin vlerë kanë vetëm 3 pikët. Është i vetëdijshëm për këtë trajneri Roberto Mançini.
“Duhet të konfirmohemi. Ndaj Genoas dhe Udineses do të jenë dy ndeshje vendimtare për ne, nuk duhet të hedhim poshtë gjithçka. Në garën për vendin e tretë, shumë gjëra do të varen nga këto dy sfida. Nëse i fitojmë të dyja, dhe Napoli ndal Romën fundjavën e ardhshme mund të kemi shanset tona. Ndaj Genoas nuk do ta kemi të lehtë gjithsesi. Ata janë një skuadër agresive dhe ne duhet të shpenzojmë shumë energji për ta fituar këtë takim. Për më tepër duhet të vlerësojmë deri në momentet e fundit edhe gjendjen e Icardit, por edhe atë të francezit Biabiany, të cilët kanë marrë goditje në sfidën ndaj Napolit, dhe nuk janë në formën optimale”, u shpreh Mançini.
Më pas, Mançini foli edhe për disa elementë të rëndësishëm të skuadrës së tij si për shembull, Eder që nuk po kalon një moment të mirë që nga momenti që ka mbërritur në Milano, pasi sulmuesi italo-brazilian ende nuk e ka gjetur rrugën e rrjetës me Interin.
“Eder nuk ka luajtur në ndeshjet e fundit, por në ato raste që ai ka zbritur në fushë ka bërë më të mirën e tij për skuadrën. Duhet të qëndrojë i qetë, sepse ajo që ndodhi me Icardin muaj më përpara po ndodh tashmë me të, por nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Perisiç ka oferta dhe mund të largohet në verë? Këto janë thjeshtë thashetheme ne sapo e kemi blerë Ivanin dhe ai është një element tek i cili do të bazohet Interi i së ardhmes”, përfundoi trajneri i Interit.

Tani mes zikaltërve është rindezur shpresa për t’u kualifikuar vitin që vjen në Ligën e Kampioneve. Por, nga ana tjetër, në shtëpinë zikaltër kanë edhe shumë brenga, duke kujtuar gabimet e shumta gjatë rrugës. Tani ata kanë në dispozicion 15 pikë për të grumbulluar, ndërkohë që ndodhen vetëm 4 pikë larg rivales më të arritshme, Roma. Fakti që Interi e bën garën, duke iu referuar ekipit të Spaletit nuk është pozitiv, pasi përtej barazimit në Bergamo, “ujkonja” nuk duket se është një ekip në rënie. Tjetër histori do të kishim nëse rivalja për t’u mundur do të ishte Napoli që tani është në krizë të plotë. Por, distanca prej 9 pikësh e bën ekipin e Sarrit që ta bëjë gjumin e qetë.

Exit mobile version