Fitore me goleadë për Barçën e Realin

Fitorja në “El Clasico” dhe gara e hapur për titullin shtoi oreksin e Barcelonës jo vetëm për fitore, por dhe për gola me katalanasit që e ekzagjeruan ndaj Osasunës, që u largua nga “Camp Nou” me 7 gola të pësuar, përveçse dhe me valixhet gati për në Segunda Division. Messi ishte sërish heroi i mbrëmjes, teksa shënoi një 2 golësh, ndërsa stadiumi e përshëndeti duke valëvitur dhe fanellën e tij me numrin 10 pas golit të 1-0 të argjentinasit.
Barcelona në fakt e pati një stërvitore këtë takim, teksa përveç argjentinasit, një dygolësh shënoi dhe Andre Gomes, në minutën 30-të dhe 58-të. Ndërsa i vetmi moment pozitiv për Osasunën ishte goli provizor i 2-1. Në të 61-tën, Messi realizoi golin e tij të dytë në këtë mbrëmje, ndërsa pas 3 minutash Alcacer shënoi dhe golin e 5-1 duke e mbyllur dhe ai këtë ndeshje me një dygolësh pasi shënoi dhe të shtatin, ndërsa përpara tij kishte realizuar dhe Mascherano me 11-metërsh.
Gjithsesi Reali i Madridit iu përgjigj me të njëjtën monedhë blaugranave në distancë me një fitore 6-2 ndaj Deportivo La Corunës, ku James Rodriguez ishte protagonisti i madh me një dygolësh në minutën e 14-të dhe në të 66-tën. Fitorja e Realit u bë shumë e thjeshtë megjithatë nga goli i minutës së parë të Moratës. Për skuadrën e Zidane shënuan gjithashtu në këtë ndeshje dhe Lucas, Isco e Casemiro ndërsa golat për vendasit patën për autor Andone dhe Joselu.
Lumë golash dhe në sfidën e “Mestalla” mes Valencias dhe Real Sociedadit, ku baskët fituan 2-3, ku pasi krijuan një epërsi golash pas finalimeve të Alves, Jose dhe Oyazarbal toleruan disi në lojë me Valencian që shkurtoi diferencën me Nanin dhe Zazën.

Exit mobile version