Fitore me goleadë

Trajneri i Manchester City-t ka mbetur mjaft i kënaqur me ndeshjen që ka parë në “Ettihad Stadium”. Guardiola nuk ngurroi të lavdërojë edhe Monakon për ndeshjen e luajtur dhe komplimentoi disa futbollistë të ekipit francez. “Në këtë takim pashë gjithçka. Ishte një ndeshje tërësisht e hapur, e cila mund të përfundonte me çfarëdolloj rezultati. Francezët janë më ekspertë se ne në kompeticionet evropiane dhe disa lojtarë të tyre na hapën shumë punë sot. Lojtarët e tyre të krahut, Sidibe dhe Mendy kanë vrapuar pa fund, më kanë habitur”, tha ai në konferencën pas ndeshjes.
Më tej trajneri foli edhe për Sergio Agueron, duke e cilësuar si një talent të pastër, i cili duhet të vihet gjithmonë në shërbim të ekipit, ashtu si bëri dje. Në përfundim, Pep bëri thirrje për përqendrim duke thënë se: “kualifikimi është akoma i hapur. 2-0 dhe mbetemi jashtë, ndaj duhet të luajmë të përqendruar ashtu si u paraqitëm sot”.
Manchester City i bëri një kthesë fantastike ndeshjes me Monacon në sfidën e parë të 1/8 të Champions pasi përmbysi rezultatin nga 2-3 në 5-3 në vetëm 11 minuta. Ndeshja e luajtur në “City of Manchester” pati shumë përmbysje rezultati me skuadrën vendase që e nisi shumë mirë me një gol të Sterling, por deri para pushimit Falcao dhe Mbappe përmbysën rezultatin për francezët. Në fillimin e pjesës së dytë Falcao humbi një 11-metërsh dhe City përfitoi duke shënuar me Agueron. Megjithatë kolumbiani korrigjoi gjithçka duke shënuar golin e dytë të mbrëmjes në të 61-tën. Nxjerrja nga fusha e Fernandinho, që luajti si mbrojtës krahu rezultoi vendimtare në kthimin e ndeshjes me Agueron që barazoi fillimisht në të 71-tën. Në të 77-tën Stones shënoi dhe golin e 4-3 duke i dhënë City-t epërsinë për ndeshjen e kthimit, por asgjë nuk përfundoi këtu pasi Sane pesë minuta më pas vulosi rezultatin përfundimtar në 5-3 duke bërë që City nga afër eliminimit që ishte në pjesën më të madhe të ndeshjes ta gjejë veten me një rezultat shumë të favorshëm në kthim.
Shumë gola pati dhe takimi mes Leverkusenit dhe Atletikos ku finalistët e vjetshëm fituan 4-2 në Gjermani duke qenë një hap larg çerekfinaleve. Për Los Colchoneros shënuan Saul dhe Griezmann në pjesën e parë e Gameiro e Torres në të dytën, ndërsa vendasve nuk i mjaftoi goli i Bellarabit dhe autogoli i Savicit dhe në “Vincente Calderon” i nevojitet shumë më tepër se një mrekulli.

Exit mobile version