Duhet një fitore ndaj Empolit, për të shkuar, për të paktën një natë me një diferencë prej 6 pikësh nga Napoli. Juventusi kryesues riniset pas pauzës së ndeshjeve kombëtare me një objektiv të qartë, me trajneri Massimiliano Alegri që dha informacione të rëndësishme edhe për sa i përket gjendjes së grupit në prag të sfidës me skuadrën toskane.
“Dybala me siguri nuk do të jetë në ndeshje. Chiellini është rikuperuar dhe të tjerët janë mjaft mirë. Do të vlerësoj gjendjen e secilit para se të vendos. Marchisio është goxha mirë, po fillon të punojë me skuadrën dhe mund të jetë në dispozicion. Që sot fillon një mini kampionat prej 8 ndeshjesh, kemi 3 pikë avantazh dhe duhet ta ruajmë këtë avantazh, e ndoshta edhe ta rrisim”, u shpreh Alegri.
Alegri nuk i zë besë kundërshtarit të radhës, ndërsa për rivalitetin me Napolin e di se nuk mund të gabojë me të kaltërit të gatshëm për të përfituar. “Me Empolin do të jetë një ndeshje e komplikuar, ata nuk kanë asgjë për të humbur. Tani e tutje kemi 5 ndeshje në shtëpi, dhe Napoli nuk do të dorëzohet. Nuk na mbetet gjë tjetër veçse të fitojmë. Këtë të shtunë nuk duhet të gabojmë për sa i përket frymës me të cilën do të futemi në fushë. Motivimi ka shumë rëndësi. Kampionatin e luajmë në shtëpi”, tha ai. Në fund dy fjalë edhe për të ardhmen me tij, me Alegrin që ndërsa u pyet për kontratën u përgjigj, “Mos kini frikë, unë nuk arratisem kurrë”.
Në moshën 38-vjeçare, Gianluigi Buffon po përjeton një rini të dytë. Një garanci për Juventusin dhe për përfaqësuesen italiane. Megjithatë, i vetëdijshëm se koha nuk është më në krahun e tij, portieri e ka të qartë projektin për të ardhmen. Edhe dy vjet në fushat e lojës, për t’u tërhequr më pas nga futbolli i luajtur. Numri 1 bardhezi zbuloi gjithçka rreth planeve të tij. “Pas këtij viti do të luaj edhe për dy sezone të tjerë dhe më pas do të tërhiqem. Nuk dua të luaj pas të 40-ve. Por, synoj që edhe në moshën 40-vjeçare, të paraqitem në fushë njësoj si tani”, tha Bufon.
Në momentin kur do të vendosë të varë dorezat në gozhdë, Buffon e ka të qartë se çfarë do të bëjë dhe futbolli pritet të mbetet një pjesë e rëndësishme e jetës së tij. “Kam fituar shumë eksperiencë nga karriera ime, por nuk dëshiroj që të bëhem trajner. Më pëlqen më tepër roli i seleksionuesit, një detyrë si trajner i një ekipi Kombëtar. Jam ambicioz. Nëse e nis një punë, qëllimi është të arrij gjithmonë lart. Pa këtë karakteristikë nuk do të isha më i gjallë”, tha ai.
Gardiani duket se i ka përcaktuar destinacionet e ardhshme, ndërsa pranon se për aq kohë sa do të luajë, do të mbrojë vetëm ngjyrat e Juventusit. “Do të shkoja në vende si Shtetet e Bashkuara apo Kina, që kanë popullsi të madhe dhe shumë potencial. Pas një dekade këto shtete mund të realizojnë gjëra të rëndësishme. Por, për aq kohë sa do të luaj, do të qëndroj te Juventusi, edhe nëse dikush tjetër më ofron dyfishin e rrogës. Krenohem që jam pjesë e këtij klubi dhe ajo që ka më tepër rëndësi janë vlerat, të cilat sot duken disi jashtë mode”, tha portieri i Juves.