Fitore në shtesë

Shumë emocione dhe një fitues në “Goodison Park” për derbin e “Merseyside” mes Evertonit dhe Liverpulit. Sadio Mane i dhuroi një gol të artë Liverpulit në minutat shtesë në ndeshjen e fundit e javës së 17 të Premier League. Pak emocione në fillim të sfidës ku të dyja skuadrat nuk pranuan të rrezikonin. Ishte Lukaku rreziku kryesor për skuadrën e Klopp, por sulmuesi belg gjeti pak hapësira në mbrojtjen kundërshtare. Në krahun tjetër, treshja Mane-Origi-Firminho tregoi pak fantazi në sulmin e “The Reds”. Për të veçuar rastin e artë të vërtetë duhej të kalonin 37 minuta.
Në aksionin e Liverpulit ishte Origi ai që kishte mundësinë e artë për të kaluar në avantazh “The Reds”, por talenti belg nuk arriti të shënjestronte kuadratin e Stekelenburg. Në krahun tjetër, Funes Mori 1 minutë përpara fundit të kësaj pjese, arriti të gjente hapësira në goditjen e këndit, por goditja e ish-lojtarit të River Plate përfundoi jashtë. Liverpuli doli i transformuar nga dhomat e zhveshjes duke hedhur më shumë vështrimin nga sulmi. Në të 50-ën, Firminho nuk arriti të kalonte Stekeneburg, ndërsa 6 minuta më pas Mane u shfaq sërish në portën e holandezit, por pa arritur të shënojë.
Everton në krahun tjetër replikoi me një goditje me kokë të William, por finalizimi i tij ishte shumë i dobët dhe topi përfundoi në duart e Mignolet. Vetëm kaq ishte Evertoni i pjesës së dytë sepse Liverpul dominoi dhe një tjetër rast të pastër e pati në minutën e 75 me Origin. Ishte sërish Liverpuli që tentoi në të 80-ën, por Robles nuk u kap në befasi, ndërsa në minutën e 5 shtesë, Sadio Mane shtyu topin në rrjetë pas një aksioni që përfundoi me golin e “Të kuqve”.
Deri në vërshëllimën e fundit të gjyqtarit shifrat nuk ndryshuan, Liverpul ngjitet në vendin e tretë me 37 pikë, 6 më pak se Chelsea kryesues, ndërsa Everton mbetet në pozicionin e 9 me 23 pikë.
Ndërkohë, Manchester City ka gjetur ritmin e duhur në Premier League duke mundur në një sfidë direkte Arsenalin, që epërsinë e pjesës së parë nuk arriti ta ruajë duke u mundur 2-1. Një fitore me përmbysje për formacionin e Guardiolës, që e gjen veten tashmë i vetëm në vendin e dytë në ndjekje të Chelsea-t të rekordeve. Ky ishte suksesi i dytë radhazi për formacionin e Guardiolës në një ndeshje që nuk nisi aspak mirë, pas golit të Theo Walcott që në minutën e 5-të.
Ashtu siç na ka mësuar në këtë sezon, Topçinjtë në pjesën e parë vazhduan të ruanin pathyeshmërinë e tyre duke treguar se 45 minutat e para i kanë gjithmonë shumë të mira, problem është se ndeshja luhet 90 minuta dhe në fraksionin e dytë formacioni i Wenger ia fali sfidën City-t, që pati meritën që gjeti një gol të shpejtë me Sane.
Nga ky moment Arsenali u tërhoq në mbrojtje të rezultatit, me lojën që ishte shumë kontroll topi nga City deri në çastin kur Sterling krijoi vetë golin e fitores. Dhe pse deri në fund duheshin dhe 18 minuta, Arsenali nuk bëri asgjë për të kërkuar barazimin, madje vuajti City-n që goditi dhe shtyllën me De Bruyne. U mbyll 2-1 për City-n që mori fitoren e dytë radhazi duke u ngjitur kështu në vendin e dytë në renditje, ndërsa Topçinjtë zbritën te vendi i katërt i përhershëm.

Exit mobile version