Fitore për Realin, Barcelonën dhe Chelsea

Reali i Madridit, Barcelona dhe Chelsea shkëlqyen në miqësoret e tyre duke arritur të tria fitore. Sfida më me interes ishte ajo që luhej në “Met Life Stadium” mes Realit dhe Bajernit të Mynihut, që ishte dhe një përballje e Ançelottit me ish-ekipin e tij. Ndeshja ishte emocionuese me Alaba-në që goditi madje shtyllën në minutën e 25-të, ndërsa po nga shtylla u ndal dhe Isco në minutën e 62-të. Miqësorja amerikane u vendos megjithatë nga një gol mjaft i bukur i Danilos në minutën e 79-të, që i dha suksesin 1-0 ekipit të tij.
Barcelona dha spektakël në miqësoren me kampionët e Anglisë së Leicester, ku El Haddadi ishte ai që ngriti siparin e golave pasi realizoi në minutën e 26-të. 8 minuta më pas Luis Suarez bëri një veprim magjik në realizimin e golit të dytë, ndërsa pjesa e parë u mbyll me rezultatin 3-0 falë një tjetër goli të El Haddadit. Në pjesën e dytë Leicester ndryshoi tërësisht lojë dhe protagonist ishte Musa, që në minutën 47-të dhe 66-të shkurtoi diferencën në 3-2 me një dygolësh fantastik. Vulën sfidës ia vuri i riu Mujica me golin e 4-2.
Chelsea ndërkohë arriti të mundë 3-1 Milanin në miqësoren e luajtur në Mineapolis. Goli i parë i Traore për Blutë londinezë ishte paksa rokambolesk, ndërsa nuk mund të thuhet e njëjta gjë për realizimin fantastik të Bonaventurës në të 38-tën. Në pjesën e dytë Chelsea zgjidhi gjithçka falë një dygolëshi të Oscar që fillimisht shënoi nga pika e bardhë dhe më pas mbylli ndeshjen 3 minuta para fundit me një goditje të fortë brenda në zonë.

Artikulli paraprakReali këmbëngul për Alaba
Artikulli tjetërAnçelotti nuk mërzitet për humbjen me Realin