Fitore prestigjioze!

Massimiliano Allegri ndjeu durimin e treguar nga Juventusi, si arsyeja kryesore e fitores dhe kualifikimit në çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Tottenham. Kampionët e Seria A dolën nga disavantazhi për të nënshkruar një triumf 2-1 në “Wembley”, të mërkurën, duke u zhvendosur në çerekfinale me rezultatin 4-3 në total. Ndërkombëtarët e Argjentinës, Gonzalo Higuain dhe Paulo Dybala, goditën në hapësirën e tri minutave të pjesës së dytë për ta kthyer ndeshjen. Dhe Allegri tha se Juventusi i arriti qëllimet e tij në mënyrë perfekte. “Lojtarët dhe klubi meritojnë komplimente për atë që kanë bërë gjatë viteve të fundit, tha Allegri për ‘Mediaset Premium’. Ishte një fitore prestigjioze në një stadium si ‘Wembley’. Ne prisnim kohën e duhur, treguam durim dhe e fituam ndeshjen. Duke iu referuar të dyja ndeshjeve, mendoj se kualifikimi ynë ishte i merituar. Ne luftuam në pjesën e parë, mbi të gjitha duke humbur topin dhe ata ishin vdekjeprurës në ato situata. Pas pushimit ishin më të balancuar, kompaktë dhe të mbajtur fort. Të rinjtë arritën diçka mbresëlënëse”. Higuain u kthye pas dy ndeshjesh mungesë, për shkak të dëmtimit në kyçin e këmbës, ndërsa Dybala u “ngjall”, pasi ishte i përhumbur në pjesën e parë. Por, edhe pse dueti argjentinas shënoi golat, Allegri beson se futja e Asamoah dhe Stephan Lichtsteiner ishin një moment i rëndësishëm. “Kam bërë ndryshime, sepse kemi nevojë për lojtarë me karakteristika të ndryshme. Asamoah është i jashtëzakonshëm në kalimet e tij. Ai është nënvlerësuar me të vërtetë gjatë gjithë karrierës së tij, shtoi Allegri. Lichtsteiner e bëri mirë punën me Sami Khedira. Ishim të lodhur nga krahët dhe duhej një ritëm dhe gjerësi më e madhe. Higuain ishte jashtë për dy javë, Dybala u kthye me të vërtetë vetëm të shtunën, kështu që duhet t’i kthejmë edhe të tjerët në formë të plotë. Tani kemi disa ndeshje që vijnë në Seria A, që do të jenë vendimtare”.

Mauricio Pochettino beson se “gabimet e mëdha” ishin arsyeja, që skuadra e tij të eliminohej nga Liga e Kampionëve, pas humbjes 2-1 në shtëpi ndaj gjigantëve italianë të Juventusit. “Spurs” vinin pas dy golave të shënuar në barazimin 2-2 të ndeshjes së parë në Torino, por përjetuan një shije të hidhur në “Wembley”, të mërkurën. Gonzalo Higuain dhe Paulo Dybala shënuan në hapësirën e tri minutave të pjesës së dytë, për ta kthyer gjithçka në favorin e bardhezinjve. Trajneri i Tottenham ndjeu se mbrojtja e pamjaftueshme provoi diferencën, pasi Juventusi u kualifikua në çerekfinale, me fitoren 4-3 në total. “Në më pak se tre minuta, ne pësuam dy gola, tha Pochettino për ‘BT Sport’. Dy gabime të mëdha dhe kjo është arsyeja pse jemi jashtë Champions-it. Në të njëjtën kohë, në të dyja ndeshjet, kemi merituar më shumë dhe kemi qenë ekipi më i mirë. Por, në futboll duhet të shënoni gola më shumë se kundërshtari. Për këtë arsye ne jemi jashtë. Mendoj se luajtëm futboll fantastik, derisa e pësuam golin e parë. Ne ishim ekipi më i mirë. Natyrisht, jemi shumë të zhgënjyer, por kjo është pjesë e rritjes sonë. Ne krijuam shumë shanse. Nëse krahasoni statistikat, është e qartë se Tottenham ka merituar shumë më tepër. Juventusi ka cilësi dhe nëse gabon përballë tyre, mund të të shënojë kurdo. Në fazën e grupeve luajtëm kundër Borussia Dortmund dhe Real Madrid, pastaj kundër Juventusit, tri skuadrave masive. Ishte e vështirë, por një përvojë fantastike për ne. Jam i zhgënjyer për lojtarët dhe tifozët tanë, por ky ishte një mësim për të ardhmen”.

Artikulli paraprakMiti i Iker Casillas në Champions Ligë
Artikulli tjetërTottenham është mësuar që të humbasë