Dhoma e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara miratoi projektligjin e ditës së enjte për të shfuqizuar një pjesë të mirë të Obamacare dhe për ta zëvendësuar atë me një plan të kujdesit shëndetësor republikan, duke i dhënë kështu presidentit Donald Trump fitoren e tij më të madhe legjislative që nga dita që është ngjitur në pushtet, por duke ndezur edhe një betejë të madhe në Senat.
Me 217-213 vota, republikanët përfituan pushtetin e nevojshëm për ta kaluar legjislacionin nga dhoma e përfaqësuesve në Senat. Asnjë demokrat nuk votoi. Kalimi i projektligjit përfaqëson një hap më tej drejt mbajtjes së premtimit kryesor të presidentit Trump gjatë fushatës dhe fitoren e një beteje 7-vjeçare të republikanëve për të shfuqizuar ligjin e ish-presidentit demokrat, Barack Obama. Por tani sfida do të spostohet në Senat, ku republikanët kanë 52 vende mazhoritare nga 100 vendet e Senatit dhe vetëm ndonjë lëkundje e disa republikanëve mund ta shembin të gjithë përpjekjen.
Votimi i ditës së enjte ishte edhe një fitore politike për folësin e dhomës, Paul Ryan dhe demonstroi aftësinë e tij për të mbledhur bashkë republikanët e përçarë pas dy përpjekjeve të dështuara këtë vit për të shfuqizuar legjislacionin e kujdesit shëndetësor. Demokratët nga ana e tyre shpresojnë se vota e republikanëve për të shfuqizuar Obamacare do të shkaktojë pakënaqësi tek votuesit që do të shfaqen në zgjedhjet në mes të mandatit të vitit të ardhshëm në Kongres.
Republikanët e kanë kundërshtuar prej kohësh Obamacare pasi rrit ndjeshëm koston e kujdesit shëndetësor, projektligji republikan, i njohur si Akti amerikan i Kujdesit Shëndetësor, synon të shfuqizojë taksat e Obamacare, përfshirë edhe penalitetet që imponohen kur nuk blen një paketë të sigurimit shëndetësor.
Momentet përpara votimit
Ishte momenti kur hezitimi u zhduk plotësisht. “Le ta mbarojmë këtë punë!”, tha republikania e Arizonës, Martha McSally duke nxitur kolegët e saj, teksa Dhoma e Përfaqësuesve u kishte besuar të ardhmen e votimit kur kishin rënë dakord të shfuqizonin Obamacare. Paul Ryan ishte “në ankth”, tha një koleg, duke ndjerë se votimi do të ishte një lloj gyqi politik edhe për të. Teksa votimi po afronte, presidenti Donald Trump ishte vendosur përpara televizorit, me profilin e tij të Twitterit të hapur dhe ndodhej në një gjendje të çuditshme qetësie që mbështetësit e tij të ngushtë thonë se mbulon herë pas here natyrën hiperaktive të presidentit përpara momenteve historike.
Për demokratët, në të kundërt, kishte vetëm inat dhe mërzi, pasi shfyqizimi i Obamacare do të përbënte një humbje tjetër dramatike për ta. Pavarësisht fitores së madhe të Trump dhe GOP-it në Shtëpinë e Bardhë, muajt e fundit janë vetëm fillimi i luftës kur projektligji të shkojë në Senat. Do të ketë më shumë beteja dhe debate. Zëvendëspresidenti Mike Pence do të kalojë më shumë kohë në zyrën e tij në Capitol Hill. Në ditët në vijim do të shohim raporte se si ligji i ri do të ndikojë në jetën e amerikanëve dhe postimet në Twitter do të jenë gjithmonë e më të shumta.
Negociata në prapaskenë dhe stuhitë e fuqishme emocionale dhe politike që vërshuan në Capitol Hill ishin të pafund teksa republikanët luftuan fort dhe triumfuan në betejën e tyre për të përmbushur premtimin e bërë votuesve fillimisht shtatë vite më parë dhe që e kanë përsëritur herë pas here në vijin. Bazuar në shumë e shumë bisedime të zhvilluara me republikanët, fitorja e madhe legjislative tregon se si anëtarët e GOP-it më në fund arritën të kenë mënjanë përçarjet e tyre dhe të papërcejnë periudhën e betejave të brendshme dhe mosveprimin që paralizuan 100 ditët e para të presidentit Trump.
Fitorja ishte e jashtëzakonshme. “Ky është një plan fantastik”, tha presidenti Trump në Shtëpinë e Bardhë, duke thënë se mezi priste raundin e ardhshëm të votimit. “Unë mendoj se plani i kujdesit shëndetësor do të bëhet akoma më i mirë. Mos harroni që ky është shfuqizimi i Obamacare”.
Roli i presidentit Trump
Trump e priti rezultatin e votimit me stilin e tij tipik: duke postuar në Twitter. “Nëse dalim fitimtarë, republikanët do të mbajnë një konferencë të madhe për shtyp në kopshtin e trëndafilave të Shtëpisë së Bardhë menjëherë pas votimit!”, shkroi ai të enjten pasdite. Më në fund, pas akuzash dhe goditjesh të shumta që vinin nën shënjestër mungesën e tij të eksperiencës, presidenti Trump doli fitimtar. “Edhe pse vij nga një botë tjetër dhe jam politikan prej shumë pak kohësh, si ju dukem tani? Po eci mirë? Ej, unë jam presidenti, e besoni dot?”, ironizoi ai gjatë konferencës për shtyp.
Muaj më parë, një pjesë e liderëve republikanë që qëndronin pas Trumpit dukej se nuk kishin besim tek ai. Qarkullonin thashetheme se e folura pa takt e Trumpit reflektonte injorancë, të paktën për këtë projektligj dhe e bënte kompromisin akoma më të vështirë. Por ditën e enjte pasdite, Trump u shfaq duke lavdëruar në mënyrë të jashtëzakonshme Ryan dhe stafin e tij. U duk qartë, sipas fjalëve të presidentit, se Partia Republikane kishte krijuar një konsensus dhe lidhje të re.
Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thonë se Trump kishte dhënë një shtysë të jashtëzakonshme në prapaskenë, duke u siguruar që ndihmësit e tij të mbështesnin MacArthur dhe Meadows teksa përpiqeshin të gjenin një rrugë të mesme dhe në fund ia dolën, por beteja nuk ka përfunduar. Anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve do të kthehen në vendet e tyre ku me siguri do të priten nga protesta. Megjithatë, ekziston një ndjenjë e fortë fitoreje, siç kanë thënë shumë republikanë, që nuk ishte ndjerë tashmë prej kohësh. Republikanët e dinë se me çfarë do të përballen dhe janë gati. “E dimë që beteja sapo ka filluar”, thotë një anëtar i GOP-it. “Mezi e presim këtë betejë dhe jemi të bindur që do t’ia dalim”.
Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI