Fitorja e parë për Kosovën

Pas barazimit në Finlandë në ndeshjen e parë të kualifikueseve europiane për Botërorin “Rusi 2018”, një fushatë e mbyllur me rezultate skandaloze për Kosovën me vetëm 1 pikë, vjen edhe fitorja e parë zyrtare për kombëtaren e dytë të shqiptarëve që pas njohjes dhe anëtarësimit zyrtar në UEFA dhe FIFA.
Ekipi kosovar ka mposhtur 4-3 baltikët e Letonisë, në një ndeshje drithëruese të luajtur në Mitrovicë, për herë të parë që Kosova luan një takim zyrtar në tokën e saj, pas “transfertave” të imponuara në ndeshjet pritëse në “Loro Boriçi” të Shkodrës.
Por rezultati i arritur sot është shumë domethënës. Letonia gjeti e para golin e avantazhit pas vetëm 11 minutash lojë, por Amir Rahmani barazonte shifrat pas vetëm dy minutash. Ishin sërish baltikët që dyfishuan rezultatin në minutën e 30, e kur u duk se pjesa e parë do të mbyllej me avantazhin e Letonisë, erdhi goli i barazimit nga Muriqi.
Në pjesën e dytë, kombëtarja e Kosovës u duk se do të kërkonte më shumë, por sërish pësoi gol pas rreth një orë loje, duke zhgënjyer disi tifozët e pranishëm në Mitrovicë. Por surpriza ishte rezervuar në minutat e fundit të takimit, kur brenda 8 minutash erdhi edhe përmbysja e shumëpritur. Autorët e golave në minutën e 86 dhe 94-t ishin Rashani dhe Halimi, e me të vërshëllyer arbitri i ndeshjes, i gjithë stadiumi shpërtheu në festë për fitoren e parë zyrtare kosovare, edhe pse në një takim miqësor.
Gjatë ndeshjes, kapiteni Samir Ujkani u vërshëllye nga tifozët, por ai ka një përgjigje. “Një ndeshje shumë e vështirë, na dhanë shumë momente të këqija Letonia. Kërkoj falje unë që hëngra dy gola për fajin tim. Një ditë shumë e vështirë për mua. Si grup treguam se mund të vazhdojmë edhe që nuk dorëzohemi kurrë”, tha Ujkani për SSK, raporton “GazetaOlle.com”. “Falënderoj të gjithë lojtarët për përkrahjen, kur gjithë tifozët më vëshëllenin”.
“Goli i dytë rrëshkita, por të tretin me më sulmuar nuk po di. Trajektorja e topit ishte e çuditshme. OK ndodhi kështu, nuk ishte dita ime, por ishte e Kosovës”. “Kënaqësi për mua që luaj për këtë vend, unë jam i pari që pranoj gabimet. Një pjesë e shikuesve normal që janë nervozuar, por pas ndeshjes më brohoritën, dhe ju kërkoj falje. Jam i lumtur që treguam karakter”.

Exit mobile version