Fitorja e Trump me Kavanaugh ndez republikanët në prag të zgjedhjeve, senatori demokrat: Po dështojmë

Ndërsa Presidenti Donald Trump siguroi një fitore të rëndësishme, emërimin e zotit Brett Kavanaugh në Gjykatën e Lartë, Uashingtoni po bëhet gati të përballet me pasojat politike të procesit të konfirmimit, vetëm një muaj përpara zgjedhjeve të Kongresit në nëntor. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Michael Boëman, mobilizimi i votuesve liberalë që kundërshtuan kandidaturën e zotit Kavanaugh, mund të pasohet nga një rigjallërim i konservatorëve që u bashkuan në mbrojtje të tij.
Një proces konfirmimi që filloi me kaos dhe mosmarrëveshje dhe që shkaktoi javë protestash…përfundoi me betimin e zotit Kavanaugh si anëtari më i ri i Gjykatës së Lartë amerikane. Senatorë nga të dyja palët shprehën zemërim dhe indinjatë për spektaklin që përjetuan.
“Filloi me shumë shpejtësi si një garë shkatërrimi”, tha Senatori republikan Chuck Grassley.
“Na doli një sprovë dhe po dështojmë”, tha Senatori demokrat Cory Booker.
Presidenti Donald Trump përshëndeti rezultatin dhe parashikoi avantazh të republikanëve në zgjedhjet e nëntorit.
“E vetmja arsye që të votonit për demokratët do të ishte nëse jeni lodhur së fituari, apo jo? Ne duam të fitojmë, të fitojmë, të fitojmë”, u tha mbështetësve Presidenti Trump.

Demokratët patën një mesazh të qartë për ata që u ngritën kundër Gjykatësit Kavanaugh.
“Për miliona amerikanë që u revoltuan nga ajo që ndodhi, ka vetëm një përgjigje – votoni. Nëse besoni se Gjykata e Lartë duhet të mbrojë të drejtat e grave – votoni”, tha Senatori Chuck Schumer, udhëheqës i demokratëve.
Protestat e ashpra ndaj zotit Kavanaugh në Uashington dhe qytete të tjera tregojnë se votuesit demokratë janë të mobilizuar. Por, anketimet tregojnë se edhe republikanët janë mobilizuar ndërsa zoti Kavanaugh luftoi kundër akuzave për sulm seksual.
“Baza jonë është ndezur. Zbuluam më në fund të vetmen gjë që do ta ndizte bazën republikane. Pala tjetër e realizoi”, tha Senatori Mitch McConnell, udhëheqës i republikanëve.
Procesi i konfirmimit shkaktoi një dialog kombëtar për shkeljet seksuale që disa mendojnë se do të zgjasë përtej zgjedhjeve të mesmandatit.
“Populli amerikan mësoi diçka dhe po ngre zërin, pasi kohërat po ndryshojnë”, tha Senatorja demokrate Amy Klobuchar.
Të tjerë theksojnë se institucionet amerikane do t’i mbijetojnë stuhisë.
“Senati dhe vendi do ta tejkalojë këtë situatë, siç bëjmë gjithnjë”, tha Senatori republikan Mitch McConnell.
Zoti Kavanaugh pritet të konsolidojë maxhorancën konservatore në Gjykatën e Lartë, një institucion që duhet të qëndrojë mbi ndasitë politike.

“VOA”

Artikulli paraprakPërplasje me armë në Cërrik, plagosen dy të rinj
Artikulli tjetërGazeta Handelsblatt : Rama s’i përgjigjet gazetarëve që s’kontrollon, televizionet në duart e oligarkëve