Fitorja e Vulës nga Berisha, si e Lleshit nga Shebe

Nga Martin LEKA

Është si fitorja e Pirros kjo e vulës së Partisë Demokratike. Ose si e Lleshit nga Shebe e Mirditës në vitet 1900.

Vula dhe logo janë thjeshtë simbole. Kanë rëndësi padyshim, por zgjedhjet i fitojnë njerëzit. As vula, as logo nuk votojnë.

Në arkitekturën e rrëmujshme të opozitës së sotme, e vetmja fitore e këtyre tre mandateve legjislative e vendore, ishte kjo e vulës. Pamjet e festimeve me 7-8 vetë në selinë e PD, tashmë nga Foltore apo Rithemelim në PD zyrtare, ishin tabloja më groteske e katandisjes së opozitës. Një burrë me kostum popullor që kërcente si të ishte pijanec profesionist, ishte si një kartolinë e dikurshme, ku të vetmit të interesuar mund të ishin ndonjë etnograf apo ndonjë turist nga të shumtit që mund ti pëlqente vetëm jeleku i kuq.

Si për të plotësuar këtë fitore të madhe (të Pirros), një militant kishte bërë tatuazh në lule të ballit, vulën e Partisë. Ndërsa të tjerë militantë kishin vënë vulën në statuset e profilet e tyre të rrjeteve sociale.

Sali Berisha nuk besoj të jetë pajtuar me këtë lukuni e folk vulgu. Sepse Sali Berisha nuk ka nevojë të festojë. Ai është vetë vula e PD. Edhe rripin e pantallonave të varë Berisha në një pemë tek rrugica e Salës, ata që shkojnë e bëjnë sot procesionin e përnatshëm poshtë ballkonit të tij, po aq e po ata do të jenë.

Nga pikëpamja juridike, vendimi i Gjykatës së Apelit duket i dyshimtë. Në këtë rast, por ky është opinion personal, gjykata ka marrë më shumë një vendim politik se sa juridik. Vetë odiseja e kësaj çështjeje gjyqësore “njëherë i takon njërit e njëherë tjetrit”, tregon që vendimi është lehtësisht i kontestueshëm e po kaq i dyshimtë. Pra, vendimi duket më shumë për të qenë “politikisht korrekt”, bazuar në numra mbështetësish dhe jo në prova juridike.

Lulzim Basha, nga ana tjetër, ka humbur vetëm vulën. Ai sot mund të ndihet i vetëm, por jo i humbur. Për të mos qenë edhe i humbur edhe i vetëm, ai duhet të reflektojë. Qëndrimi i tij këto orë pas vendimit ka qenë përgjithësisht korrekt, si një periudhë reflektimi pas një vendimi dukshëm të papritur e surprizë për të e përkrahësit e tij. Ndaj Lulzim Bashës janë hedhur batare me akuza, që nga marrëveshje të imagjinuara me Edi Ramën gjer tek lidhje okulte me lloj-lloj organizmash e organizatash.

Lulzim Basha dhe përkrahësit e tij mendoj se kanë dy rrugë: ose të bashkohen me partinë e Sali Berishës me vulë, ose të vazhdojnë projektin e tyre politik. Në mes këtyre dy rrugëve, mendoj se e dyta do të ishte më produktive. Në kulmin e luftës me Sali Berishën, Lulzim Basha ka marrë mbi 100 mijë vota. Besoj se këto jo vetëm do ti ketë, por me një ritëm tjetër, në kontekstin e kohës dhe situatës, vetëm do ti shtoheshin, duke u bërë faktor i panënvleftësueshëm dhe pjesë e rëndësishme e estabilshmentit politik.

Ramës nga ana tjetër, nuk është se nuk i intereson gjithë kjo atmosferë. Edhe pse duket dorëjashtë, besoj se në tunelet e nëndheshme të politikës, ca mesazhe janë të lexueshme. Edi Rama e ka shumë më komode një përballje me Sali Berishën se sa me Lulzim Bashën. Jo për shkak të forcës së numrave se sa për shkak të profilit politik personal. Duke patur të qartë sinoptikën e motit elektoral, një përballje me Sali Berishën do ta bënte Edi Ramën më komod në fitoren e sigurtë të tij. Në çdo rast, konfiguracioni i opozitës së sotme e nxjerr fituese partinë e majtë të të djathtit Edi Rama. Kjo në planin e brendshëm. Në atë të jashtëm, Rama është akoma më komod me Berishën non grata se sa me Bashën grata.

Po atëherë, çfarë fitoi Sali Berisha e demokratët me vulën? Sali Berisha e di se jo me një, por me 100 mijë vula nuk bëhet dot më kryeministër dhe partia e tij nuk i fiton dot zgjedhjet. Vula i duhej edhe si hakmarrje e fundit ndaj armikut të tij më të madh, Lulzim Bashës (jo Edi Ramës). Vula ishte epilogu i “veprës” që Berisha bëri me krijesën e vet, Partinë Demokratike që nga viti 2013 e sidomos këto 3 vitet e fundit. Fitorja e predikuar e Berishës është pak a shume kështu:

Lleshi, një burrë nga Shebe e Mirditës kishte shku n’pazar t’Shkodrës, në Shkodrën e viteve 1900.

I’u mbush mendja me qit pushkë, kot.

U trembën tregtarët, mblodhën plaçkat e mallin dhe ikën.

Kur ky vjen në Shebe, rrinte krenar para kujt e pyeste për trimërinë që kishtë bërë.

– Ou, a ti je ai qi ke qit pushkë n’Shkodër?

– Po për njat’ Zot, tha.

– Po a fitove gja?, e pyesnin prap.

– Jo, tha, gja s’fitova, po pazarin e prisha…

Artikulli paraprakKalemaj: Një alternativë e tretë mund të thyejë binomin e partive të mëdha, duhen listat e hapura
Artikulli tjetërSkandali nga Rumania: E dashura e këshilltarit të Ramës organizonte festa me kokainë në Tiranë! Politikanë e biznesmenë janë…