Rrëzimi i ligjit personal “Rama” për të prishur Tetarin Kombëtar dhe për të ngritur mbi kulla shumëkatëshe ka marrë një përgjigje të fortë dhe të prerë nga Bashkimi Europian. Rëndësia e këtij vendimi të Bashkimit Europian është mjaft e rëndësishme për shqiptarët. Për të parën herë Bashkimi Europian ka bërë t2ë qartë se në betejën e nisur mes shqiptarëve dhe oligarkëve të Ramës, BE është me qytetarët dhe protestuesit.
Ligji për shembjen e Teatrit Kombëtar, ashtu sikurse ishte konceptuar, si një vjedhje e pastër Rama- Veliaj- Fusha, me sa duket do të përfundojë në koshin e plehrave. Shkeljet e tij flagrante në formën e një ligji special, që i falte një privati të vetëm tokën publike në mes të Tiranës, është i papranueshëm për Brukselin. Këtë ka vënë në dukje edhe letra që mban firmën e Shefes së Njësisë për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën në Drejtorinë e Përgjithshme për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Michela Matuella, dhe që i drejtohet Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi. Megjithëse aty theksohet se në ligjin në fjalë “nuk ka asnjë shkelje të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit”, siç pati pretenduar opozita, aty theksohet e zeza mbi të bardhë se drafti i votuar nga shumica socialiste, ishte një projekt pa garë dhe hartuar për përfitimin e një personi të vetëm: Shkëlqim Demir Fusha.
Duke pasur parasysh këtë shkelje zyrtarët e qeverisë shqiptare janë zotuar para Brukselit se do t’a hedhin poshtë këtë lojë pa garë dhe kjo ka bërë që në deklaratën e znj. Matuella të gjehet një gjuhë diplomatike për të shpallur rrëzimin e ligjit:
“Komisioni Europian mirëpret vullnetin e autoriteteve Shqiptare për ta amenduar Ligjin Special, me qëllim hapjen e garës për projektin e Teatrit Kombëtar, në mënyrë që çdo kompani private të mund të aplikojë një propozim për projektin”.
Pra, sipas këtij dokumenti, nuk do të ketë më një marrëveshje Rama – Fusha, ku i pari fal tokën publike për ngritjen e 6 kullave dhe si rrjedhim i kësaj, i dyti ndërton një godinë teatri “30 milionë euro” të projektuar nga arkitekti i përzgjedhur më parë, Bjarke Ingels.
Këtë gjë e kishte paralajmëruar në një farë mënyre edhe Gramoz Ruçi, i cili kur shtyu datën e shqyrtimit të dekretit të Metës në kuvend, tha se parlamenti po priste edhe një përgjigje nga BE. Në një farë mënyre atë e paratha edhe Erion Veliaj, që dy ditë më parë foli për një proces të hapur dhe transparent.
Kur presidenti Ilir Meta në fund të korrikut e ktheu mbarapa këtë ligj, një nga 9 pikat e atsyetimit të tij ishte edhe se marrëveshja okulte Edi Rama – Shkëlqim Demir Fusha për të ndërtuar kulla në mes të kryeqytetit, shkel barazinë para ligjit dhe lirinë ekonomike.
Pikërisht këtë ka sanksionuar edhe letra e ardhur sot nga Brukseli.
Por kjo fitore e të gjithë atyre që denoncuan një mega pazar korruptiv, nuk do të thotë aspak se godina e vjetër e Teatrit Kombëtar është shpëtuar.
Kryeministri i ka dhënë klientit që i ka rregulluar zyrat e veta, afr 80 milionë tendera publikë, ose pa garë fare, ose me gara të shpallura, por ku nuk ka marrë pjesë asnjë konkurent. Kështu që kjo praktikë, (shih tabelën poshtë) mund të përsëritet. Pra që, edhe të ruhet fasada që kërkon BE, edhe Fusha ta përfitojë atë që qe vendosur në pazarin fillestar.