Fituan kandidatët e krimit: Si e ka nën kontroll politikën mafia

Në Shqipëri, krimi nuk është më i lidhur me politikën, është vetë politika. Nga mbështetja e kandidatëve me precedentë penalë deri tek pastrami i parave të trafikut nëpërmjet tenderëve dhe rindërtimit, vendi ka hyrë në një fazë ku vota është monedhë e ndyrë dhe pushteti është thesari i mafies.
Në një miting elektoral në Elbasan, Sali Berisha hodhi një akuzë që u duk si gafë, por ishte një spondë me mesazh të qartë. Ai foli për Suel Çelën, një nga bosët e njohur të krimit në qytet, duke e akuzuar se “po zbaton porositë e Edi Ramës për të nxjerrë deputete një Mile, Mile, Sara Mile…”. Në realitet, Berisha nuk e tha emrin e plotë, por ishte e qartë se po i referohej një kandidateje socialiste që doli më e votuara në të gjithë vendin.

Por përse Berisha nuk e përmendi drejtpërdrejt? Sepse ndoshta nuk do ta përballonte dot as me provë. sepse nëse flet, duhet të hapë edhe dosjet e veta. Sepse lidhjet mes krimit dhe politikës nuk janë të njëanshme; janë një sistem i tërë që për vite e vite ka veshur petkun e “pluralizmit shqiptar”. Kjo është arsyeja pse PD nuk çon një dosje të plotë në SPAK për të hetuar përfshirjen e bandës së Suel Çelës në fushatën socialiste. Jo sepse nuk ka indicie, por sepse nuk ka duar të pastra.
Nga njëra anë, Berisha sulmon një bandë, por nga ana tjetër mbështetet nga rivalët e tyre. Madje, kandidatë të PD-së në Elbasan përflitet se mbështeten nga grupime të tjera kriminale, po aq të rrezikshme sa vetë Suel Çela. Dhe ndërkohë, në dosjet e aplikacionit SKY, që përmban biseda të koduara të botës së krimit, thuhet se vetë banda e Çelës ka ndihmuar Berishën për të rimarrë PD-në nga Lulzim Basha. Kështu, Shqipëria sot nuk ka më opozitë e mazhorancë, ka dy krahë të një trupi të vetëm: krimit të organizuar.

Ky fenomen nuk është vetëm shqiptar. Mafiet në të gjithë botën kanë funksionuar kështu. Në Itali, Camorra, Cosa Nostra e Ndrangheta kanë blerë pushtet përmes ndihmës së politikanëve të korruptuar dhe përmes kontrollit të ekonomisë së rindërtimit. Pas tërmeteve, pas pandemive, në çdo krizë të madhe, mafia hyn në lojë me para cash dhe blen gjithçka. E njëjta skemë ka ndodhur në Shqipëri pas tërmetit të vitit 2019 dhe gjatë pandemisë. Tenderë pa garë, biznese të krijuara brenda natës, para të pista që pastrohen nëpërmjet kompanive që marrin kontrata me shtetin.
Njësoj si Camorra e Raffaele Cutolos në Napoli, e cila pas një tërmeti mori kontrollin mbi ndërtimin e banesave dhe me ato para bleu kokainë në Amerikën Latine, e rriti perandorinë. Edhe mafiet shqiptare sot janë me “ambasadorë” në Ekuador, Peru e Brazil, vende të kontrolluara tashmë nga kartelet e drogës, ku shqiptarët kanë marrë jo thjesht pjesë, por poste drejtimi në trafikun global.
Në Shqipëri, këto para të trafikut futen në zgjedhje, blejnë vota me 20 euro, madje edhe ato, jo të plota. Sepse pjesën tjetër e mbajnë sekserët. Dhe kur blerja bëhet pa ofertë të drejtë, atëherë edhe zgjedhja është e pavlefshme.

Krimi nuk kërkon më vetëm të fitojë tenderë; kërkon të emërojë drejtorë, të kontrollojë bashki, të mbajë poste në parlament. Deputetët që mbështet mafia, si në rastin “Çyrbja”, nuk janë përfaqësues populli, por ndërmjetës të bandave që garantojnë ndërhyrje në polici, në prokurori, në administratë. Sot, drejtori i një institucioni publik është më i rëndësishëm për një klan mafioz sesa një ministër.
E gjithë kjo është bërë në mënyrë aq të hapur dhe brutale, saqë nuk ka më as hipokrizi. Krimi shqiptar është sofistikuar, është trajnuar, është lidhur me rrjete ndërkombëtare, ka marrë mentorë nga jashtë dhe është bërë “konsulent” i partive politike. Dhe në krye të gjithë kësaj, është një kryeministër që e portretizon veten si “armik i bandave”, por që në realitet i ka mbajtur afër, i ka bërë ortake dhe ndoshta edhe bashkëthemelues të sistemit që sot e quan “Rilindje”.

Por nuk është Edi Rama që e shpiku këtë. Janë rrënjët e këtij sistemi që duhen parë. Janë vitet 1990, kur Sali Berisha krijoi bandat dhe paramilitarët për të mbajtur pushtetin, kur u krijuan lidhjet e para mes SHIK-ut dhe rrjeteve të krimit, kur për herë të parë, arma dhe kartoni i votës hynë në aleancë.

Tani, kjo mënyrë e të bërit politikë i është kthyer si bumerang edhe vetë Berishës. Por ajo që është më e rrezikshme, është se politikanët e rinj, të djathtë apo të majtë, do ta kenë shumë më të vështirë të çlirohen nga ky oktapod. Sepse nuk kanë më vetëm kundërshtarë politikë, por një sistem të tërë që është rritur dhe forcuar nën mbrojtjen e shtetit.

Lufta do të jetë e gjatë, dhe ndoshta pa fitimtar të qartë. Por është jetike që të paktën të ketë parti që e kanë luftën kundër krimit si kauzë dhe jo si dekor. Është jetike që të ketë gazetarë që nuk korruptohen dhe redaksi që nuk blihen. Sepse krimi nuk është më në periferi, është në qendër, në zyrë, në kuvend, në tenderë dhe në fletën e votimit.

Exit mobile version