Fjala e deputetit Enkelejd Alibeaj në Komisionin e Ligjeve, ku prezantoi amendamentin e PD për amnistinë penale

Fjala e deputetit Enkelejd Alibeaj në Komisionin e Ligjeve, ku prezantoi amendamentin e PD për amnistinë penale

Siç e bëra me dije unë kam depozituar një amendament pranë Kuvendit për amnistinë penale. Akti i amnistisë mbi të gjitha është një akt mëshire. Është ky frymëzimi kryesor mbi të cilën do të duhet të motivohet dhe të shtrihet dimensioni i impaktit që një ligj amnistie duhet të japë duhet të jemi të vemendshëm që kjo ndërhyrje është në fakt një ndërhyrjë në produktin e sistemit të drejtësisë.

Nuk duhet të bien ndesh me performancën, me veprimtarinë e sistemit gjyqësor dhe prokurorisë. Ky është një limit delikat dhe ky duhet të jetë një nga konsideratat që do të duhet ta kemi parasysh të gjithë. Në këndvështrimin tonë, Shqipëria ndodhet sot në një shtet policer, pavarësisht se kolegët nuk e thonë, por po ti kthehesh fjalës së gjithësecilit në vetëdije të motivuar nga fakti që ky vend është shëndërruar në një shtet policer, ku për cështjet më minimale të natyrës ekonomike, sociale dhe politike është rreptësia policore që ka sjellë si produkt edhe një mbipopullim të veprimtarisë së prokurorive dhe të gjykatave dhe për pasojë të sistemit të drejtësisë.

Ndaj ky është një nga motivet pryesore që më ka shtyrë për të paraqitur këtë amendament të cilin po e prezantoj.

Amendamenti i paraqitur nga PD synon të rregullojë situatën kategorike specifike të qytetarëve të cilët kanë rënë në konflikt me ligjin për një arsye politike dhe për qytetarë të cilët kanë marrë pjesë në protestat e ogranizuara nga Partia Demokratike dhe aleatët politik të saj në një periudhë që sipas ekspertëve tanë kanë bërë, nga 1 tetori i vitit 2018 deri në 31 dhjetor të vitit 2020.

Dhe dua ta bëj të qartë për këdo, përgjegjësia për organizimin e këtyre protestave është e jona, të Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj. Ne kemi detyrimin që përgjegjësinë politike ta mbajmë ne dhe të lehtësojë padrejtësinë juridike që u është bërë të gjithë këtyre qytetarëve që kanë rënë në këtë konflikt me ligjin. Ju kujtoj dhe është një nga synimet tona nëpërmjet këtyre amendamenteve që të përfshihen edhe qytetarë të cilët kanë organizuar edhe spontanisht protesta qytetare dhe po i përmend disa me idenë që edhe kjo pjesë e relacionit të amendamenteve të bëhet pjesë e dokumenteve parlamentare.

Bëhet fjalë për serinë e protestave të banorëve të zonës së Astirit zë zhvilluar në një kohë relativisht të gjatë ditë për ditë për një të drejtë ekonomike dhe sociale.

Së dyti, bëhet fjalë për serinë e protestave të organizuara kundër shembjes së Teatrit Kombëtar këtu në Tiranë. Edhe në atë rast ka pasur qytetarë që për arsye të natyrës politike për të mbrojtur një vlerë të trashëgimisë kulturore, u ndodhën nën prangat e policisë, e për pasojë edhe nën procedimin e prokurorisë dhe të gjykatave.

Së treti, seria e protestave të banorëve të Bregut të Lumit. E mbani mend se çfarë ka ndodhur, po j’ua kujtoj edhe ndërhyrjen brutale të policisë në 5 të mëngjesit me gaz lotsjellës për t’i nxjerr nga shtëpitë e tyre të ndërtuara me gjakë dhe mund dhe për t’i lënë në rrugë të madhe. Jo vetëm kaq, por një pjesë e madhe prej tyre përfunduan në sallat e prokurorive dhe gjykatave.

Kështu edhe seria e protestave të zonës së Shkozës, e njëjta situatë si ajo e Bregut të Lumit. Së fundmi është edhe seria e protestave të studentëve. E mbani mend, kërkesat e tyre të drejta të cilat nuk morë një përgjigje nga ana e qeverisë përveçse shkopinjve të gomës dhe procedimit penal. Dhe ju kujtoj këtu edhe një ngjarje të dhimbshme, ishin protestat e zhvilluara nga qytetarët kundër vrasjes policore të të riut Klodian Rasha.

Qytetarë të irrituar nga ato skena të ashpra, dramatike, tragjike që ndodhën nën reptësinë policore e më pas të prokurorive dhe gjykatave. Sipas të dhënave të mbledhura nga strukturat tona të Partisë Demokratike, të cilat shpesh kemi ofruar edhe mbrojtje juridike falas, rezulton se gjatë këtyre protestave të kësaj periudhe, për shkak edhe të revoltimit për të drejtat politike, ekonomike dhe sociale, disa prej tyre siç e thashë ndodhen në konflikt me ligjin.

Ka pasur një debat të nxehtë mbi politizimin dhe padrejtësitë e veprimeve të organeve ligjzbatuese të ngarkuara për ndjekje penale, mbetet fakt se një numër i lartë i qytetarëve janë proceduar penalisht për veprat penale të tilla si: shkatërrim i pronës, shkatërrim i pronës me zjarr, kundërshtim i punonjësit që kryen detyrë shtetërore, kundërshtimin e punonjësit të policisë, kundërshtimit për shkak të detyrës dhe shkeljes së rregullave për lnëndët plasëse dhe djegëse, të parashikuara këto respektivisht nga nenet 150, 151, 235, 236, 237 dhe 282 të kodit penal. Sipas të dhënave tona disa prej tyre kanë përfunduar me dënimin e protestuesve dhe një pjesë tjetër janë në shqyrtim e sipër nga prokuroritë dhe gjykatat.

Exit mobile version