“Fjala e parë”, editoriali i numrit të parë të “Rilindjes Demokratike”, 28 vjet më parë

Sot, “Rilindja Demokratike” flet fjalën e parë të saj. Kjo rilindje ka marrë për vete një barrë të rëndë dhe detyrë të ndershme. Ka marrë për detyrë që të thotë fjalën e vërtetë. Shumë-shumë e duan atë fjalë. Vetëm fjala e vërtetë është e lirë, atëherë liria është e vërtetë. Prandaj do ta bëj të pamundurën të mundur për të vënë dhe mbrojtur lirinë e fjalës, lirinë e shprehjes e të mendimit. Ajo kurrë nuk do të ruajë sekretin për disa dhe lejojë në pa kufi për ca të tjerë. Ajo do ta shprehë dhe do ta mbrojë mendimin e lirë të gazetarëve të saj, të bashkëpunëtorëve, por edhe më gjerë gjer të drejtën e ligjshme të mendimit e të shprehjes së lirë në një popull të tërë. Që në fjalën e parë, “Rilindja Demokratike” bën thirrje që askush të mos cënohet, të mos persekutohet, të mos censurohet për shkak të fjalës, mendimit e të shprehjes.
“Rilindja Demokratike” lind pikërisht për të kryer atë vepër të madhe demokratike në mbrojtje të të drejtave të njeriut. Ajo është gazetë demokratike dhe do të ketë mendjen e saj, mendimin dhe fjalën e publicistëve të përparuar demokratë e përparimtarë shqiptarë, do të ketë bekimin e dëshmorëve për demokraci, do të ketë idealin e drejtësisë sociale e të demokracisë.
“RD”, në çdo fjalë e në çdo gërmë, do të ketë çështjen e kombit e të atdheut. Kombi të ngjitet, të vëllazërohet e të përparojë! Kombi shqiptar ngjitet ku i takon e të zhvillohet. Atdheu të gëzojë liri dhe indipendencë. Atdheu ynë i lashtë të bëhet çerdhe e dashur dhe kopësht lulesh për bijtë e vet, që kështu të mos ia kthejnë shpinën, por as fjalën të mos ia kthejnë kurrë Atdheut. Për këtë do të përpiqet “Rilindja Demokratike”.
Në faqet e “RD” do të shihemi e do të kuvendojmë me vëllezërit tanë kosovarë, me të gjithë shqiptarët, vëllezërit tanë të shpërndarë nëpër botë, nga brigjet e tejshme të Adriatikut e gjer në kontinentin amerikan.

“Rilindja Demokratike” i ka faqet e hapura. Ajo do të interesohët për të gjitha problemet që ka popullit, për ekonominë, për kulturën, për historinë, për letërsinë e artin, për të drejtën, për mësimin e mendimin, ndërgjegjen, për zakonin e traditën, për sot e për nesër. “Rilindja Demokratike” shikon përpara. Ajo ka një dëshirë e vullnet që të hyjë tek të gjithë; te fshatari, te shkollari, te punëtori, te intelektuali, te shkrimtari e shkencëtari, tek i riu e fëmija, tek të mëdhenj e të vegjël.
“Rilindja Demokratike”, e cila lindi së bashku me Partinë Demokratike, do të mbështesë dhe do të pasqyrojë çdo reformë demokratike që i shërben përparimit, pavarësisht se cila forcë politike do të jetë nismëtare dhe zbatuese e saj. Ajo do të kultivojë dialogun, tolerancën, pluralizmin.
Por fjala e “Rilindjes” nuk do të jetë kurrë lustër apo lajkë. Fjala e saj do të jetë e rreptë ndaj burokracisë, ndaj autokracisë, ndaj çdo të keqeje që do të përpiqet të pengojë përparimin e vendit, lirinë e njeriut, forcimin e shtetit juridik shqiptar. Të mos qëndrojmë duarkryq para të keqes shoqërore dhe shtetërore, këtë do ta atakojë vetë dhe do t’ia kërkojë lexuesit “Rilindja Demoraktike”.
“Rilindja Demokratike” do të flasë fjalën shqipe, shqipen gurrë e qelibar, që nuk ngec nëpër gurët e sofizmave, që nuk njëtrajtësohet në enët e ideologjive të përcaktuara, që nuk flashket nëpër frazat e gjata boshe me pamje zyrtare. Ka një dëshirë “Rilindja Demokratike”, njerëzit të mos thonë më: Mos më fol si në gazetë, por të thonë: Flasim si gazeta “Rilindja Demokratike”. Ajo ta ketë fjalën për ta pirë me etje.
Gëzuar të gjithëve fjalën e parë!

Exit mobile version