FJALA E PLOTË E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA, NË KONFERENCËN ME GAZETARËT

Mirë se vini në këtë konferencë për shtyp një ditë para seancës së radhës, ku kam dy çështje kryesore për të parashtruar. E para, ndodhemi para një përpjekje sa absurde aq edhe tinëzare për të ndërtuar struktura paralele. Me të njëjtin zell siç ndërtohen dhe financohen strukturatparalele në veri të Kosovës. Por është e pakuptueshme kur kjo ndodh në një vend i cili ka detyrime të qarta të veprojë, detyrime të cilat nuk po i zbaton, detyrime karshi qytetarëve të vet, detyrime karshi aleatëve të vet, detyrime ndaj të sotmes dhe të nesërmes së vendit, detyrime ndaj sigurisë kombëtare. Struktura e parë paralele që është paalajmëruar që në janar është një komision monitorimi për SPAK-un. Ka ngritur sërish kokë kjo ide mbrëmjen apo ditën e djeshme dhe vazhdon të qarkullojë me kokëfortësi si një përpjekje absurd anti-kushteuese, për të vendosur nën kontroll politikë të vetmen instancë e cila duket se është pjesërisht jashtë kontrollit të qeverisë. E kanë barë në një mënyrë tinëzare, e kanë hedhur njëherë poshtë rogozit, e pastaj janë përpjekur ta zhbëjnë, është tërhequr lajmi nga disa portale, ka mbetur në disa të tjera. Dua të përsëris edhe një herë në mënyrë të qartë dhe të prerë që Partia Demokratike qëndron fuqimisht kundër çdo përpjekje të kësaj mazhorance, me çfarëdo lloj aleatësh të fshehur apo jo, në Pazar apo jo për të filluar presionet e hapura institucionale kundër SPAK-ut.
Kushtetuta e Shqipërisë është e qartë, roli Parlamentit është i qartë, instrumentet Kushtetuese për të garantuar pavarësinë por edhe balancën e institucioneve janë po kështu qartësisht të përcaktuara në Kushtetutë dhe në ligje. Krijimi i një instance, e një instrumenti të ashtuquajtur “monitorimi të institucioneve të drejtësisë” e në veçanti ndaj Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion, është për ne i papranueshëm. Sikundër jam i bindur që kjo është një ndjesi, ky është një qëndrim që ndahet nga shumica dërrmuese e shqiptarëve të cilët kanë pritshmëri të larta ndaj SPAK-ut, në veçanti luftën kundër korrupsionit galopant që po thyen çdo rekordnë këtë qeverisje. Ndaj, ana tjetër e kësaj medaljeje është qartësisht paniku, ndërkohë që SPAK ka filluar të jap rezultatet e para në raport me figurat e pushtetshme të kësaj mazhorance qoftë në nivel qëndror, siç janë ish zëvendëskryeministri dhe ministrat e tjerë, qoftë në nivel në lokal siç është në bllok administrata e Bashkisë së Tiranës dhe padiskutim dhe i pari i BAshkisë së Tiranës. Inkurajimi për punën e SPAK-ut është i plotë nga ana jonë. Mbështetja për SPAK-un është i pakusht. Sikundër është i pakusht kundërshtimi për ndërtimin e një structure paralele për t’iu mbivendosur funksioneve normale që Parlamenti ka nën Kushtetutë dhe ligj me qëllim presionin ndaj SPAK, apo Byrosë Kombëtare të Hetimeve, apo Gjykatës Kundër Korupsionit dhe Krimit të Organizuar.

E nis me këtë për t’i dhënë një mesazh të qartë atij, apo atyre që në bashkëpunim të fshehtë apo të hapur qëndrojnë pas kësaj. Partia Demokratike nuk e ka humbur vigjilencën ndaj këtij plani diabolic që ka qëllime të godasë shpresën e vetme të shqiptarëve për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë dhe për të filluar një kulturë të re të barazisë para ligjit të të gjithëve.

Strukturë paralalele ndërkohë në Parlament për të zëvendësuar Komisionin Bipartizan të Reformës Zgjedhore. Një strukturë memece, sekrete, e paaksesueshme nga media. Ndërkohë që ka hyrë prilli dhe efektivisht kemi më pak se dy muaj kohë nga nisja e fushatës për zgjedhjet e ardhshme parlamentare nëse ato mbahen në afatet e përcaktuara të kodit zgjedhor, pas pazarit mes palëve për të prishur Komisionin e Reformës Zgjedhore, nuk ka asnjë transparencë në raport me arritjet e deritanishme. Përkundrazi ka një strukturë paralele që duket qartë se misiontë vetëm ka çuarjen deri në fund të pazarit, që do të thotë mbajtjen në fuqi të marrëveshjes famëkeqe të Kushtetutës së 2008-ës dhe një komplot kundër votës së shqiptarëve, duke u mohuar shqiptarëve listat e hapura, duke u mohuar çdo debat, e lë më të riparim të shkeljes flagrante të Kushtetutës me pabarazinë e votës. Duke fundosur shpresat e shqiptarëve jashtë vendit për tëmarrë pjesë aktivisht në demokracinë shqiptare dhe duke skaduar me qëllim ditë pas dite afatet për votimin elektronik dhe numërimin elektronik.
Këto janë dy struktura të qarta paralele të cilat janë produkt i pazareve të nëndheshme dhe që janë prodfukt i shërbimit të verbër të interesave të Edi Ramës dhe i çdokujt që me lakun në fyt apo me shpresa të reme bën patericën e Edi Ramës, por janë kundër inetersave të shqiptarëve. Jo vetëm interesave të demokratëve, por kundër dhe të interesave të shqiptarëve.

E treta pastaj është thagma e sotme me të ashtuquajturin Komision të Posaçëm. E them fare qartë, Partia Demokratike ka qenë dhe është e para në luftën kundër influencës malinje të Rusisë dhe të vendeve të tjera armiqsore ndaj objektivave të NATO-s për paqe, stabilitet dhe siguri në Europë, në Ballkan dhe më gjerë. Partia Demokratike është e para dhe unë si kryetar i saj që kemi provuar se çdo të thotë fushatë dezinformimi me 50 milionë mesazhe të paguara nga kush e di se kush, për të goditur personalisht kryetarin e Partia Demokratike dhe përmes tij PD-në në zgjedhjet e kaluara parlamentare. Partia Demokratike ka dërguar amendamente, disa prej të cilave janë hedhur poshtë në mënyrë flagrante pa asnjë shpjegim për strategjinë e sigurisë kombëtare, ku ka kërkuar që strategjisë së sigurisë kombëtare t’i bashkëngjitet lufta kundër korrupsionit. Sepse korrupsioni është një nga rreziqet kryesore të sigursisë kombëtare për Shqipërinë dhe një nga pikat e dobëta ku puntojnë Putini dhe aleatët e tij. Po kështu amendamentet tona për ndihmë ushtarake për Kosovën. Të gjitha këto janë injoruar dhe papritur në të njëjtën ditë, e ashtuquajtura Konferencë Kryetarësh, miraton një të ashtuquajtur komision të posaçëm, pa dhën asnjë shpjegim publikut ça është ky komision i posaçëm. Çfarë do të bëjë?! Sepse kur vjen fjala tek lufta kundër dezinformimit, informimeve të rema nga armiqtë, kundërshtarët e NATO-s dhe po kështu të Shqipërisë, Parlamenti ka dy instrumente paraprake dhe vet Parlamenti ka detyrën të bëjë ndryshimet ligjore.
Njëri instrument siç e thasot kryetarja e Komisionit të Medias dhe nënkryetarja e partisë zonja Flutura Açka, është Komisioni i Medias. Instrumenti tjetër është Komisioni i Sigurisë Kombëtare. Në këtë të dytin si rregull, anëtarët duhet të kenë çertifikatën e sigurisë. Pra roli i komisioneve parlamentare është të bëjnë inventarin e legjislacionit për një problem dhe në qoftë se ka nevojë legjislacioni rregullohet, përmirësohet, ndryshohet, abrogohet. Çnevojë ka për një komision të posaçëm? Nëse bëhet fjalë për ekzekutim, në qoftë se bëhet fjalë për të vepruar përtej ligjit, në qoftë se ka nevojë për përmirësime në ligj, ja ku është Komisioni i Medias, ja ku është Komisioni i Sigurisë. Komisioni i Medias dhe Komisioni i Sigurisë e kanë detyrë, tagër që të veprojnë qoftë në rastin e dezinformimit, qoftë në rastin e sigurisë kombëtare. Përveç kësaj kemi AMA-ën, Këshillin e Sigurisë Kombëtare, Shërbimin Informativ Shtetëror, Policinë, Prokurorinë, Drejtorinë e Parandalimit të Pastrimit të Parave të Pista, Drejtorinë e Tatim Taksave. Po ndalem këtu, se ka edhe instance të tjera shteti.

Çfarë është kjo, lojë me shqiptarët? Të binë ministrat dhe drejtorët e bashkisë në burg edhe hajde hedhim një shashk? Ndaj kjo është një tjetër përpjekje për një strukturë paralele për propagandë dhe jo për t’u marrë sëriozisht me atë që padiskutim e bashkëndajmë me aleatët tanë në NATO, që është kundërvënia ndaj influencave malinje të kundërshtarëve dhe armiqve tanë të Shqipërisë dhe të NATO-s. Këto pra sa i takon thagmave dhe përpjekje për të hequr vëmendjen nga çështjet e mprehta, skandalet e përditshme që kanë të bëjnë me qytetarët shqiptarë.

Tani vijmë te çështja e dytë. Ka prej shtatorit që me një sebep, apo me një sebep tjetër zvarriten, sabotohen, nuk futen në rendin e ditës propozime, projektligje, projektvendime të Partisë Demokratike që kanë lidhje pikërisht me këto tema. Të sigurisë kombëtare, të luftës kundër korrupsionit, të reformës zgjedhore, e tjera. Po numëroj 6 prej tyre:
-Projektligji për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. I depozituar njëkohësisht edhe në komisionin bipartizan të reformës zgjedhore, edhe në Kuvendin e Shqipërisë. Mbahet peng me strukturën paralele të sapokrijuar në një komplot kundër shqiptarëve, kundër votës së shqiptarëve.
-Projektligji për vettingun e politikanëve. i detajuar, nuk futet për diskutim as në komisionet përkatëse, e natyrisht as në seancë plenare.
-Projektligji për Kosovën, ndihmën ushtarake për Kosovën në vlerën 50 milionë euro për këtë vit, me një parashikim të një ndihme të përvitshme për mbrojtjen e Kosovës. As nuk denjojnë, kur në fakt është një nga ato akte të cilat duhet transendojnë përtej politikës së përditshme dhe duhej të ishte miratuar prej kohësh. Sot këto para duhej të ishin nën administrim nga Kosova për mbrojtjen e Kosovës.
-Projektvendimi për heqjen e imunitetit për deputetët, që është një shërbim i drejtpërdrejtë në luftën kundër korrupsionit, për të larguar mundësitë e arratisjes e atyre që sot janë subjekte të hetimeve kundër korrupsionit, siç është rasti i numrit dy të Edi Ramës.
– Projektligji për profesionet e lira, për kthimin në titull ekzekutiv për faturat tatimore, për të shmangur proceset gjyqësore për profesionet e lira, sikundër është për bizneset e mëdha. Po përmend një projektligj të kësaj natyre.
-Tre projektligjet për dekomunistizimin, si dhe dy interpelanca të cilat në kundërshtim dhe në shkelje flagrante të Kushtetutës, sigurisht edhe me ndihmën e aktorëve në teatrin e deri pardjeshëm janë shmangur nga Edi Rama. Siç është interpelanca për çështjen e kampeve të refugjatëve dhe interpelanca për çështjen e Arben Ahmetajt dhe akuzave në drejtim të kreut të qeverisë.

Këto pra janë një inventor konçiz i realitetit dhe i çështjeve me interes publik. Pavarësisht prej teatrit që vazhdon ditën dhe natën, Partia Demokratike është e vendosur të qëndrojë fortë për interesin publik dhe për këto çështje. Për reformën zgjedhore për të cilën palët e interesuara në Pazar duan të skadojnë afatet dhe t’i lënë shqiptarët pa lista të hapura, pa votë për diasporën, pa votim dhe numërim elektronik dhe pa barazi të votës. Për vettingun e politikanëve dhe luftën kundër korrupsionit. Për çështjet e sigurisë kombëtare duke përfshirë sigurinë e Kosovës dhe natyrisht për të gjithë çështjet e tjera për të cilat Partia Demokratike ka qëndruar dhe qëndron në mënyrë të hapur fuqishëm, por me transparencë para qytetarëve shqiptarëve. Dhe këtë do të vazhdojmë ta bëjmë nesër, e ditë për ditë deri në fundin e mandatit të këtij parlamenti dhe të kësaj qeverie të zhytur deri në fyt në skandale dhe në korrupsion.

Artikulli paraprak“PS kishte alibinë perfekte”, Basha: Përgjegjës për mos avancimin e projektligjeve në Kuvend, edhe revolucionarët e 5 muajve
Artikulli tjetërAmnistia penale, Alibeaj: Qëndrimi ynë i qartë: të përfshihen protestuesit dhe të mos përfshihen të hetuarit apo gjykuarit nga SPAK. Projekt-ligji të bëhet transparent