Fjala ime e pambajtur në Parlament

Nga Orjola Pampuri

Fjala ime e pambajtur sot në parlament.

Aty ku sot duhej të diskutohej mbi shkurtimet në buxhet që kjo qeveri ka bërë në shumë sektorë të rëndësishëm, situata degradoi në hipokrizi pas së cilës fshihen shumë interesa.
Nuk mund të bëhem kurrë pjesë e një modeli të tillë, i cili nuk na çon askund, e nuk mund të jem më pjesë e skenave të tilla.

———————————————–

Akti Normativ Nr.5 datë 18.10.2023 për disa shtesa dhe ndryshime në buxhetin e vitit 2023”, tregon dhe një herë që modeli i kësaj qeverie tashmë nuk është për të mbështetur biznesin, fermerët, profesionet e lira, apo të kujdeset për qytetarët, pensionistët, të rinjtë dhe shtresat në nevojë por se shkurton fonde nga programet për zhvillimin e vendit për të shpenzuar edhe më shumë për luks qeveritar.

Për Shëndetësinë dhe Mbrotjen Sociale, me një VKM qeveria shkurton plot 1.81 miliardë lekë ose 17.5 milion euro nga fondi i shpenzimeve për investime të parashikuara dhe më pas të miratuar nga po kjo maxhorancë qeverisëse.

Në fund të këtij buxheti, pra vetëm 2 muaj në fund pse Qeveria po ndërmerr këtë shkurtim?

Cfarë është bërë me pjesën tjetër të shpenzimeve për investime ose plot gjysma e saj, si janë shpenzuar ato?

Pra nga 3.61 miliardë lekë fond për shpenzime si investime në Shëndetësi dhe Mbrotje Sociale, maxhoranca socialiste e përgjysmon në prag të fundvitit.

Pyetja që lind është ku shkojnë këto para të parashikuara?

Së paku 200 milion lekë apo gati 2.1 milion dollarë shkojnë për luksin qeveritar.

Ndërsa të tjera për kontratat e rritura të PPP-ve e koncesioneve në Shëndetësi.

E në fakt kjo qeveri është shndërruar në një ngërç të vërtetë për shqiptarët, taksapaguesit e ndershëm, ndaj të cilëve rrit cdo vit taksat por shkurton gjithnjë e më pak shërbimet dhe investimet publike.

Disa dhjetëra milionë euro taksa do të rriten ne vitin 2024 për profesionet e lira apo të ashtuquajtur shtresa e mesme në vend. Këto taksa të reja do të rëndojnë direkt në xhepat e këtyre kryefamiljarëve cka do të sjellë t’kurrje të shpenzimeve familjare, më pak para për investime në inovacion për bizneset e tyre, dhe shumë më pak mundësi për hapje vendesh pune të reja.

Mjafton të shohim të dhënat e INSTAT për shpenzimet e familjeve të shtresës së mesme në vend apo sic kategorizohen kryefamiljarë me arsim të lartë.

Në vitin 2022, shpenzimet familjare kanë rënë me së paku 2%, ndërkohë që niveli i inflacionit për vitin 2022 krahasuar me vitin 2021 ka qënë mesatarisht 6% më i lartë. Konkretisht për vitin 2021 kryefamiljarët me arsim të lartë shpenzonin mesatarisht 109,208 lekë, e ndërsa për vitin 2022 shpenzuan 107,233lekë.

Poashtu kryefamiljarët me arsim të mesëm apo profesional shpenzuan 3.5% më pak në 2022 krahasuar me një vit më parë. Ose 87,967 lekë mesatarisht në muaj për 2021 në 85,175 lekë në muaj në 2022.

Ulja shpenzimeve familjare ndikon direkt tek niveli i të ardhurave, që pikërisht në rishikimin që i është bërë me këtë akt normativ ka patur reduktim të TVSH në 10.9 miliardë lekë ose 5.2% më pak se sa parashikimi në fillim të vitit. Plot 105 milion euro më pak TVSH, burimi kryesor i të ardhurave buxhetore.

Po ashtu janë ulur pritshmëritë dhe nga të ardhurat e pushtetit vendor 1.41 miliardë lekë ose 4.8% më pak, cka nënkupton më pak taksa vendore të mbledhura pasi bizneset po mbyllen dita ditës.

Dhe ndërkohë, ju përgjysmoni shpenzimet për investime në Shëndetësi dhe Mbrotje Sociale!

➢ Strehimi: -900 milione leke (8.5milion euro) ose -67 % më pak nga parashikimi. Cfarë do të sjellë kjo? Më shumë të pastrehë të shtresa në vështirësi ekonomike, grave kryefamiljare, jetimëve, të moshuarve, etj.

➢ Kujdesi Paresor: – 80 milione leke (0.75milion euro) ose (-15.7 %) më pak nga parashikimi. Cka do të sjellë më shumë qendra shëndetësore të amortizuara, pa shërbime për qytetarët dhe pa kushte pune për stafet mjeksore;

➢ Kujdesi Dytesor: – 310 milione leke (2.9 milion euro) ose (12.1 %) më pak nga parashikimi. Do të kemi degradim të shërbimeve shëndetësore, sic është aktualisht Onkologjiku në Tiranë, ku gratë me sëmundje tumorale nuk u ofrohet jo vetëm shërbim sipas diagnozës së tyre por edhe më keq trajtohen në kushte të disfavorshme.

➢ Shendeti Publik: – 60 milione leke (0.55 milion euro) ose (-40 %) më pak nga parashikimi. Pra më pak programe mbështetje për gratë, nënat, dhe të moshuarat nga zonat e thella apo shtresat e margjinalizuara për shërbime të shëndetit publik të përshtatshme për to.

➢ Perkujdesi Social: -260 milione leke (2.5 milion euro) ose (-69 %) më pak nga parashikimi. Cka nënkupton më pak mbështetje dhe qëndra për të moshuarit, për fëmijët jetimë apo dhe personat me aftësi të kufizuar.

Kjo tashmë është mënyra se si Edi Rama merr paratë nga taksat tona, të qytetarëve, dhe në vend ti cojë për më shumë shërbime dhe investime për shqiptarët, bizneset, fermerët, familjet, pensionistët, studentët, për të gjithë ne në fakt i drejton ndaj koncesioneve korruptive e PPP-ve.

Mjafton të shohësh se dhe për Projekt buxhetin për vitin 2024, do të ketë më pak mbështetje për qytetarët dhe familjen shqiptare e ndërsa më shumë fonde do të shkojnë për koncesionet e Shëndetësisë.

Exit mobile version