“Fjalët e të urtit” dhe porosia e Naim Frashërit për shqiptarët: Mendjet e të zemëruarave janë të turbullta, vetëm durimi shpirtin e kullon

ILIR CENOLLARI

Naim Frashëri e ka ndjerë thellë se shqiptarët janë të zgjuar, të zgjuar nga natyra, por kjo zgjuarsi pa shkollim, pa kultivim, pa dituri, pa kulturë, është e çalë, e mangët, e pamjaftueshme. Falë formimit të gjithanshëm, poeti kombëtar, na ka lënë një poemth interesant liriko-filozofik, i shtyrë nga qëllime didaktike dhe praktike për t’u treguar shqiptarëve “Udhën e Perëndisë”. Naim Frashëri porosit se Udha e Perëndisë gjendet te njeriu, te humanizmi dhe humanizmi i tij, te mirësia, te dija dhe dituria, te drejtësia dhe e vërteta: “Udhëz e Zotit është urtësia, vetëm të mirën do perëndia”.

Njeri i madh nuk është ai që ka pasuri, por ai që është i urtë, i ditur dhe njerëzor. Njeriu i urtë është i ndershëm, i vërtetë dhe punëtor. Rruga për te Zoti kalon nga leximi, nga mësimi, nga studimi i përjetshëm, se me studim mendja ndriçohet, zemra pastrohet, shpirti madhështohet dhe bekohet, mbushet me mëshirë dhe urti. Vetëm qytetaria të largon nga egërsia, nga urrejtja dhe lakmia. Ai që s’do të drejtën, të vërtetën, ai që s’mban besën, kthen fletën, jo vetëm s’merr vesh se ç’ështa jeta, por ka në shpirt djallëzinë. Mendjet e të zemëruarëve janë të turbullta, vetëm durimi shpirtin e kullon.

Pa drejtësi dhe pa të vërtetën jeta do të ishte shkreti dhe qielli i zi! Që njeriu të afrohet te perëndia duhet të kultivohet, duhet të mësojë, të studiojë, të kalisë durimin, të punojë ndjenjat, shpirtin, mendjen. Si? Me art, me letërsi, me shkencë, me studime, me arsimim, me ndershmëri, me fisnikëri. Këto porosi janë aktuale sot e përgjithmonë.

Të shikojmë se si e shikon urtësinë një nga filozofët më të shquar francezë, Volteri. Mësimi nis nga dyshimi, nga mendimi kritik, nga fantazia dhe logjika. Këtë ide Volteri[1] e shpreh kështu: “Aristoteli fillon duke thënë se urtësia buron nga mëdyshja”. Dekarti e ka thelluar këtë mendim duke thënë se më kanë mësuar të mos besoj as gjë nga ato që thuhen. Ndershmëria është ajo që shpie në shenjtëri, në vetëmohim, në qëndresë, në durim, në fisnikëri, në humanizëm. Ja si e shpreh këtë ide filozofi: “Nëse epikurianët e bënë të dashur natyrën njerëzore, stoikët e bënë gati hyjnore. Nënshtrimi i Qenies së qenieve, ose më mirë ngritja e shpirtit deri te kjo Qenie, përçmimi i kënaqësisë, madje përçmimi i dhembjes, përçmimi i jetës dhe i vdekjes, drejtësia e paepur; ky ishte karakteri i stoikëve të vërtetë dhe gjithçka që është thënë kundër tyre, është se shkurajonin njerëzit e tjerë…Stoiku Katon, nga ana tjetër, është nderi i përjetshëm i Romës. Epikteti, në skllavërinë e tij, mbase qëndron më lart se Katoni. “Unë jam,- thotë ai, – në vendin ku ka dashur Providenca të jem: nëse ankohem, do të thotë se fyej Providencën”. Për të vërtetën Volteri porosit: “…përbindëshi ekziston ende; kushdo që do të kërkojë të vërtetën do të rrezikojë të përndiqet. A duhet të qëndrojmë duarkryq në errësirë? Apo duhet të ngremë një pishtar ku zilia dhe shpifja do të ndezin rishtas urët e tyre? Sa për mua, besoj se e vërteta nuk duhet të fshihet më përpara këtyre përbindëshave, se nuk duhet të heqim dorë nga të ngrënët nga frika se mos helmohemi”.

[1] Volter “Filozofi injorant”, Ideart, 2003.

Exit mobile version