Fjalimi brilant i Rexhep Ukës/ Ndryshimi nuk ndalet, Shqipëria në kërkim të opozitës së vërtetë!

Së pari, një falënderim të sinqertë zemre për këtë privilegj që më bëhet për të përshëndetur këtë përvjetor, me plot bindje se, jo vetëm jashtë kësaj salle, por edhe këtu midis jush, kjo fjalë do t’i takonte kujtdo tjetër para meje. Mendimi ndryshe dhe alternativa konstruktive ka qenë kontributi im më i madh, por shumë modest, si pjesë integrale e asaj partie, që në ditën e themelimit të saj.

Ju faleminderit!

Kënaqësi e madhe që jemi së bashku, ndjesi e veçantë kjo, fllad dhjetori, plot shpresë. Kjo datë do të mbetet si dita kur shpresa, e cila kurrë nuk humb, u rilind! Si një magji, ëndrra e lirisë ishte strehuar në zemrën e çdo shqiptari. Ishte një lëvizje studentore e papërballueshme, pa kthim mbrapa, që do të mposhtte dhe do të rrëzonte një diktaturë komuniste, të vetme në llojin e saj.

Lëvizja pati martirët e saj.
I pavdekshëm qoftë kujtimi i tyre!

Ata fillimisht ishin pak, shumë pak, pa numra, pa vulë, por me ideale, frymë, mision, vizion, kauzë. Virtyte njerëzore këto që do të gjenin mbështetjen mbarëpopullore (përveç pushtetmbajtësve). Ata, bashkë me intelektualë, pedagogë e përkrahës pa fund, e konkretizuan këtë lëvizje me themelimin e Partisë Demokratike më 12 dhjetor 1990, si partia më pluraliste që ka pasur e do të ketë Shqipëria ndonjëherë. Në 22 mars 1990, PD-ja vjen në pushtet, populli i kishte dhënë votëbesimin me 66% të vendeve në kuvendin kombëtar.

Nuk mund të rri pa kujtuar një thënie lapidare të një prej miqve më të mëdhenj të Shqipërisë, atë të presidentit amerikan Woodrow Wilson: “Historia e lirisë është historia e kufizimit të pushtetit të qeverisjes, jo rritja e tij.” Reformat e PD-së, jo vetëm në qeverisje, por gjatë gjithë jetës demokratike të vendit tonë, historia nuk do të mundë kurrë t’i mohojë e as t’i harrojë, po aq edhe gabimet, deri në faje.

Zhgënjimi nga një qeverisje është gjëja më e zakonshme në historinë e politikës mbarëbotërore, por humbja e besimit tek opozita është vrasje e shpresës! Ndaj, edhe një herë, fort uroj për rikthimin e shpresës dhe lavdisë së dikurshme të PD-së!

Në PD, që nga dita e parë, pashë të drejtohemi në sistem me metoda komuniste, çdo ditë e pashë atë parti duke iu larguar së djathtës. Arsyeja më e thjeshtë kjo që Shqipëria vetëm të djathtën ende nuk e ka provuar. Por kurrë vetë nuk jam bindur se ikja nga beteja për mbrojtjen e kauzës ishte rruga më e drejtë, edhe pse ambiciet e mia për karrierë politike ishin zero. Mbase personalisht do të ishte më komode. Pareshtur, në çdo aktiv, forum e kohë, kam mbrojtur të vërtetën e madhe se “kjo parti lindi në këmbë nga një lëvizje studentore dhe ende nuk është ulur”. Në këtë gjendje mbeti një parti demokratike në tentativë, e cila i ngjante një granate që i ishte hequr siguresa dhe kur shpërtheu, pati shumë viktima.

Sot, gjithkush, në analizën e vet, ka një qasje për gjendjen nëse jemi dhe nëse po, pse jemi në krizë! Ajo çka po përjetojmë sot, në këndvështrimin tim, nuk është aspak befasi. Partia e parë antikomuniste, kishte kohë që brenda saj ishte ndalur mendimi ndryshe, ngjarjet e sotme janë më dëshmitare se çdo argument tjetër për të kuptuar se çfarë vlonte nën presion brenda familjes demokratike.

A do të mund të vazhdohej më gjatë, me gojë mbyllur, kur paska pasur kaq shumë gjëra për të thënë? Pse nuk u thanë kur mburreshim se ishim demokratë? Pse u la deri në kacafytje ndër veti? Paska qenë dashtë që edhe pas 50 vitesh të riprovonim monizmin?

Dhe e pamë! Por dëmi mori përmasa tepër të mëdha e po aq të pakorrigjueshme.

Kriza nuk ka filluar sot, as dje, as më 1996-ën, më 1997-ën, por shumë më herët, edhe para referendumit për kushtetutën. Por, pas humbjes së këtij të fundit, vetëm u deklarua sheshit: “Shkurt, përgjegjësit e vërtetë të humbjes realizuan gjuetinë e shtrigave, fushatën e shfajësimit të tyre dhe ‘fabrikimit’ të fajtorëve.” Më pas kjo polli `96-ën, `97-ën. Më tej filluan partiçkat, nga “centrifugale”, të cilat, pas një rrugëtimi “efemeroid” gjysmëciklik, me një emër ‘metis’, u rikthyen në “centripete”, me telekomandën e “pronarit të dronit”.

Sot nuk mund t’i kuptoj ata që thonë se PD-ja është atje ku janë më shumë. Kush i numëroi, si i numëroi, si në `96-ën? Jo, PD-ja e vërtetë e njohur ligjërisht më datën 12 dhjetor 1990 është atje ku është kauza, misioni, ëndrrat e studentëve të dhjetorit dhe gjithë demokratëve të Shqipërisë.

Po, ne jemi dëshmitarë, edhe gjithkush me minimumin e kulturës ka mësuar që politika është një resurs i paimagjinueshëm, i pakrahasueshëm kur është shërbim, dhe shërbimi numër një është shteti i së drejtës, ligji i barabartë për të gjithë, kjo është detyra dhe funksioni më i lartë i një qeverisjeje. Kush di sekret e magji tjetër, është i lirë ta provojë!

Ne vinim në vitin `90 me një përvojë të hidhur, provuam mashtrimin e propagandës dhe demagogjisë më të madhe të Enver Hoxhës gjatë luftës, premtimin se me ardhjen në pushtet do të realizonte “bashkimin kombëtar dhe reformën agrare”. Po si mundej kjo në një vend kur në vitin 1945 popullsia që jetonte në fshat ishte 90%. Presupozohej të ishte ekonomi private, kapitaliste e kësaj përmase, premtohej të drejtohej nga një komunist.

Vetëm ne nuk jemi çuditur! Habia e ngjashme ndodhi më e madhe në `90-ën, kur do të ndërtonim demokracinë me të njëjtën filozofi, metodë dhe mbi të gjitha, drejtues ish-komunistë. Hipi ujkut e ndill qentë, themi ne andej nga Puka. Po cilat janë pasojat e gjendjes kaotike të opozitës?

Në substancë, në një vend demokratik ku pluralizmi dhe parlamentarizmi funksionojnë normalisht, opozita është dora e fortë e kontrollit të qeverisjes, ndërsa qeveria ekzekuton dhe menaxhon programin të cilin e ka premtuar dhe miratuar në kuvend. Një opozitë vepron si duke vepruar, ashtu edhe duke munguar, për të mos thënë edhe duke ndihmuar pozitën. Kur dhuna pushton dhe dhunon karriget e deleguara për “fjalën e mençur”, ata që të kanë zgjedhur i ke humbur për të mos u kthyer më, njëherësh ata që do t’i rrëzosh veç i fuqizon.

Kur e mësyn pushtetin vetëm me qëllimin e marrjes së tij, mbasi ke humbur misionin dhe kauzën, nëse një herë të vetme e ke pasur, veç vërteton se nuk ke mundur asnjëherë të kthesh kulturën në përgjithësi dhe aq më pak atë demokratike, në edukatë dhe metodë pune e drejtimi, në veçanti. Pas kësaj gjithkush e mendon se për çfarë është votuar dhe për kë tjetër shërben. E mandej, no comment!

Nëse një pozitë që ka një situatë të tillë, në mungesë të opozitës, mund të mbretërojë gjatë, por do të qeverisë keq e më keq, të tillë do ta ketë edhe fundin, për të mos thënë fjalë më të rëndë. Roma ra nga brenda, nga degjenerimi dhe korrupsioni, pasi sundoi gjatë.

Jetojmë në një epokë kur ëndërrojmë, hamë premtime, shohim çdo natë në media horror me vrasës e viktima dhe ne që rrimë e vështrojmë… Ajo më groteskja është se vetë pozita bën sikur kërkon opozitë: më thoni ku jeni, kë të quaj, si t’ju numëroj?! Sigurisht kjo është më diabolikja, shantazhuesja, sepse kjo status quo është në pamje më komodja për të. Në fakt, për ne “pluralistkërkuesit” dhe protestuesit e parë kjo nuk qëndron!

Me të drejtë, pas kësaj gjendjeje, na lind pyetja: si e kemi raportin me shtetformimin ne shqiptarët? A nuk është një faktor që duhet t’i kthehemi dhe ta shohim me mendje të kthjellët? A duhet t’i thërrasim memories? Ajo, nga arkivi i saj, do të na sjellë në vëmendje stacionet tona: ngatërresat dhe konfliktet fiziologjike dhe ato me dashje, si atë të shpejtësisë me ngutjen, deri në turravrap; besnikëria fanatike; mercenarizmi, klientelizmi, fudullëku që të çon deri në shpikje të një bote ndryshe, me një realitet që çdo çast të godet në ballë e kudo; indiferentizmi që na sundon kur duhet të jemi zgjuar dhe kur më shumë se kurrë na lypset ndërgjegjësim qytetar, lëvizje e jo gjumë letargjik!

A e realizuam premtimin e thirrjes së shpirtit: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”? Nuk ma ha mendja se ata që e hodhën në sheshin e demokracisë e kanë penguar dhe janë kundër, ose e kanë vonuar integrimin në Europë.

Jemi “droguar” me politikën e mbrapshtë, çdo ditë prodhojmë vetëm kaos, dhunë, shantazh, mashtrim. Shoqëria është shndërruar nga ajo e tollonit në polarizim të skajshëm, kur ndryshimi fizik material është marramendës, ky në saje të energjisë mahnitëse të një populli ambicioz madje, duke pasur shtetin kundra, mosndëshkushmëri, panik dhe aspak zhvillim, se zhvillim do të ishte kur truri shqiptar tashmë në emigracion, energjia fizike, rinia në lule të saj, kanë marrë rrugët e kurbetit, kur duhet të ishte, sipas premtimeve tona, duke investuar potencialet e veta në vendin e vet, pranë prindërve dhe të parëve që sakrifikuan gjithçka për një jetë më të mirë.

Qytetarët kërkojnë të fitojë dhe të mbretërojë drejtësia, të shpëtojmë nga “njeriu i ri socialist” i djeshëm, kjo “specie” që sot në demokraci u shndërrua në “frankenshtajn”, u certifikua me diplomën “i forti”. Kjo specie ka kapur pushtetin dhe ka kapluar të vobektin.

Sepse partitë i kthyem në biznes, biznes politik, në filozofi, mënyrë jetese, duke bërë aksionerë, duke vrarë meritën, vlerën, djersën dhe gjithçka që na patën mësuar që është e mirë…

Sigurisht, në sytë tanë, bash përballë, kemi sërishmi gjellën filozofike të komunizmit, jo më kur u rrejt gjysma e komunizmit, por në mes të “ëndrrës” që i premtuam popullit, atë që quhet demokraci. Sot na vjen marre me i dalë përpara dhe hak e kemi!

PD-ja sot, kjo ku ndodhemi në këtë tubim, duhet të dijë ta kthejë në përvojë kalvarin e këtyre viteve, ta konsiderojë si pasuri dhe udhërrëfyes për të ecur përpara. Nëse nuk do të dimë ta përdorim, të jemi të bindur se “do të ripërsëritemi”.

De facto, gjithnjë, kemi qenë dhe jemi europianë, sot edhe të lirë për të qarkulluar, por ende të “pacelebruar”. Integrimi nuk mund të realizohet me politikanë të cilët kur u cenohen interesat e tyre personalë dhe familjarë na sjellin të kaluarën, rrezikun anglo- amerikan dhe Shqipërinë në rrezik, temë e doktoratës së Enver Hoxhës.

Ëndrra e shqiptarëve, “integrimi në Europë”, shëron përgjithmonë plagën e emigracionit. Këtë shpresë nuk na e ndal dot askush, sepse askush nuk ka mundur të ndalë ndryshimin.

Herakliti i lashtë mbetet bateria e shpresës së përjetshme të njerëzimit edhe për momentet më të rënda: “Nuk ka asgjë të përhershme përveç ndryshimit.” Po, “vetëm ndryshimi NUK NDALET”.

Nga politika kam mësuar shumë gjëra. Po kujtoj njërën: “Noti mësohet në ujë, jo në tokë!”

Fjala e mbajtur në festën e përvjetorit të 33-të të PD-së
Tiranë, 11 dhjetor 2023

Exit mobile version