Nga Shaban Murati
Kriteri i parë diplomatik i zgjedhjes për paraqitjen publike dhe përmbajtjen e një fjalimi diplomatik të kryeministrit për marrëdhëniet me një shtet tjetër është se në ç’forum duhet të flasë, çfarë auditori duhet të zgjidhet dhe çfarë e si duhet të thotë, që nga idetë e deri te intonacioni. Fjalimi i kryeministrit Edi Rama në20 dhjetor 2024 në Prishtinë në të quajturën mbledhja e përbashket e dy parlamenteve të Shqipërisë dhe të Kosovës, nuk mund të kishte dështim më të madh diplomatik.
Kryeministri foli jashtë dhe në shkelje të rendit të ditës, foli tema dhe çeshtje, që nuk kishin të bënin me mbledhjen e përbashkët dhe me dy parlamentet, as me bashkëpunimin parlamentar e shtetëror dypalësh dhe nuk kishin të bënin fare as me qeveritë e dy vendeve.
Trasta e madhe me inat dhe me gurë Vunoi, që kishte marrë me vete kryeministri Rama kundër kryeministrit Kurti mund të bëhej vetëm në një format kokë më kokë, që të dy t’i thonin njeri-tjetrit fjalën e fundit ose të parafundit. Nuk i vinte era diplomaci fjalës mesjetare me topaz tëkryeministrit Rama.
Mbroçkullat diplomatike, që ai lëshoi në mbledhjen e 20 dhjetorit si ajo “që Kosova duhet të këpusë kërthizën e reciprocitetit nacionalist me Serbinë”, mund të bëjnë të qeshin të gjithë internistët e ministrive të jashtëme. Ose idiotizmi i tij i përsëritur diplomatik në 20 dhjetor që Kosova nuk duhet të presë Serbinë të zbatojë detyrimet e marreveshjeve dypalëshe, por duhet të zbatojë vetëm Kosova detyrimet e veta.
Shpikja e re shqiptare nga Vunoi është se tani e tuttje në jurisprudencën ndërkombëtare dhe në praktikën diplomatike ndërkombëtare nuk ka nevojë më për marrëveshje dypalëshe midis dy shteteve.Marrëveshjet do të bëhen për zbukurim, por do t’i zbatojë vetëm njeri shtet.
Imagjinoni skur presidentët amerikanë të mos kishin detyruar Rusinë të zbatonte marrëveshjet e shumta dypalëshe, por të luanin mendsh ta linin Rusinë të bënte si t’i donte qejfi.
Profka të tilla mbroçullet vetëm një zyrtar elifimatrak në diplomaci, ose që nuk ka ardhur për diplomaci. Dhe në 20 dhjetor misioni i Ramës në Prishtinë ishte elektoral.
Me megallomaninë tipike të bretkocës lafonteniane Rama desh të hipnotizojë auditorin me magjinë e samiteve të mëdha të NATO-s, tëBE, të Komunitetit Politik Europian, të OSBE e të KE ,që qenkan vënë në rradhë për të marrë një copë lavdie nga superfuqia e re diplomatikee Tiranës.
Pasi tronditi auditorin naiv shqiptar, Rama lëshoi propozimin bombë plot lustër patriotike: “Unë nuk rri dot po ashtu, pa ua thënë këtu çudinë time për faktin që në këtë sallë nuk është ndërmarrë asnjëherë një nisëm për t’ju kërkuar përmes një rezolute të mbështetur nga të gjitha forcat politike, të paktën nga partitë shqiptare, të gjitha vendeve financuese të asaj gjykate shqetësimin e madh mbi standardet e atij procesi dhe për të kërkuar ngritjen e një misioni verifikimi lidhur me këtë shqetësim”.
Kryeministri i Tiranës si zbuluesi më i madh i foklorit diplomatik shqiptar gjeti gurin magjik,që do ta shpëtojë UÇK dhe Kosovën nga Gjykata Speciale dhe padrejtësitë. Rama e di mirë se Kosova, që e ka miratuar vetë në parlamentin e vet krijimin e asaj gjykate, i ka duart e lidhura dhe nuk ka asnjë kuptim juridik dhe diplomatik një rezolutë e saj. Pyetja është pse nuk e ka bërë këtë rezolutë çudibërëse parlamenti i Edi Ramës për pesë vjet me rradhë që gjykata këputi gjitha kokat e UÇK, sepse Shqipëria nuk e ka miratuar në parlamentin e saj dhe i ka duart e lira.
Rama duhet të thonte se ai dhe qeveria e tij e kanë përkrahur me katër duar krijimin e Gjykatës Speciale për Kosovën, që ishte një kurth i lobit serb në Uashington dhe në Paris.
Në 3 korrik 2020 gazeta e madhe “Bota Sot raportonte për takimin e kryeministrit Rama me homologun e Kosovës Abdullah Hoti dhe jepte deklaratat e Ramës me shtypin në përkrahje të Gjykatës Speciale dhe se “mbështes nevojën për t’i shkuar deri në fund zbardhjes së çdo pretendimi dhe çdo akuze për krimet e luftës (të shqiptarëve)”.
Gazeta e Tiranës “Telegrafi” jepte deklaratën e ministrit të jashtëm të Ramës, Ditmir Bushati,bërë pas takimit me kreun e AAK Ramush Haradinaj në Tirane se “Shqipëria e mbështet Gjykatën Speciale pa rezerva”.
Burime të besuara të MPJ të Shqipërisë bëjnë të ditur se para se Kosova të jepte miratimin për Gjykatën Speciale, Thaçi, Haradinaj dhe Isa Mustafa kanë pyetur personalisht Ramën se çfarë duhet të bëjnë dhe Rama i ka udhëzuar ta votojnë dhe ta miratojnë.
Lind pyetja tragjike që Shqipëria me 110 vjet diplomaci nuk kuptonte aq se të nuhaste kurthin e lobit serb në Uashngton dhe në Paris lidhur me Gjykatën Speciale. Rama e kishte bërë zgjedhjen e palës së tij, që është ajo e lobit serb te Uashingtonitdhe Parisit. Ne emër të atij lobi shkoi Rama në 20 dhjetor në Prishtinë.
Misioni i parë elektoral i Ramës në Prishtinë ishte të dobësonte publikisht reputacionin elektral të kryeministrit Albin Kurti në zgjedhjet e afërme të shkurtit 2025 në Kosovë. Misioni i dytë elektoral ishte të bashkonte coprat e opozitës filoserbe në Prishtinë në një aleancë elektorale të tyre kundër Albin Kurtit.
Kjo shpjegon ndryshimin e qendrimit të Ramës që befas e shpalli Rugovën Tomas Xhafersonin e shtetit të Kosovës. Është po ai kryeministër Rama që në fjalimin e parë zyrtar si kryeministër i Shqipërisë në parlamentin e Kosovës në 13 shtator 2013 nuk e zuri fare në gojë dhe e injoroi krejtësisht emrin e Rugovës.
Në atë kohë në rrethin e tij Rama e konsideronte Rugoven një kuisling, që në kulmin gjenocidit serb në Kosovë shkoi në Beograd, ku takoi dhe drekoi me kasapin Millosheviç, nënshkroi edhe marrëveshjen e re si president në 1 prill 1999 dhe nga Beogradi me kërkesë të Milosheviçit i bërithirrje NATO-s të ndërpriste bombardimet mbi Serbi. Rugova bëri gabimin e madh që heshti gjithë jetën dhe nuk dha llogari për aktin e tij të zi.
Dhe populli shqiptar e fali, siç bën gjithmonë. Në parlamentin e 13 shtatorit grupi parlamentar i LDK, partisë së Rugovës, reagoi ashpër për injorimin e emrit të Rugovës nga kryeministri Rama dhe në shenjë proteste braktisën sallën e parlamentit dhe fjalimin e Ramës. Tani në 2024 Ramës nuk i skuqet faqja dhe nxjerr nga gropa septike Rugovën e bën Xhaferson të Kosovës.
Nuk i skuqet faqja as grupit parlamentar të LDK, që nuk i kërkuan fare Ramës të kërkonte falje për injorimin poshtërues të Rugovës në 2013. Mungesat e karakterit është veti natyrale në politikën shqiptare këndej dhe andej kufirit.
Shpërblimi. Këshilltari amerikan i presidentit serb Vuçiç, Richard Grenell, nëdatën 20 dhjetor e shërndau menjëherë në rrjetet e tij fjalimin e Ramës në Prishtinë.Një veprim i pazakontë për një kshilltar amerikan të emëruar tani nga Trumpi si koordnator për misione të posaçme si Venezuela dhe Koreja e Veriut, por Grenell bën detyrën si këshilltar i Vuçiçit, që i paguan 1,2 milion dollarë në vit.
Gjesti i jashtëzakonshëm i Grenellit, që e shpërndau fjalimin e Ramës më shpejt se ATSH, tregon se lobi serb në Uashington është shumë i kënaqur nga fjalimi dhe veprimi i kryeinistrit Rama në Prishtinë në 20 dhjetor.
Dua të ndalem pak te një ide konfuze të hedhur këto ditë për të shtuar konfuzionin e krijuar nga Rama në 20 dhjetor. Është idea se të dy, edhe Rama, edhe Kurti, e kanë fajin njësoj për gjendjen e mjeruar të marrëdhënieve qeveritare mids dy shteteve shqiptare. Është një ide, që kërkon të lehtësojë mëkatin e Ramës dhe ta hedhë gjysmën në samarin e Albin Kurtit,. Si njeri,që në Shqipëri jam analisti më i vjetër, që ndjekur e analizuar profesionalisht prej 57 vitesh Ballkanin dhe çeshtjen shqiptare, më lind e drejta t’i them lexuesve të mi se ide e fajit të përbashkët të dy kryeministrave është krejtësisht e gabuar.
Topi për keqësimin e marrëdhënieve qeveritare midis Ramës dhe Kurtit qendron ekskluzivisht te kryeministri Rama. I kam regjistruar dhe zbërthyer situatat dhe zhvillimet në kolanën time “Saga diplomatike e Ballkanit”, një seri prej 20 librash kushtuar vetëm Ballkanit Diplomatik dhe çeshtjes shqiptare. Nuk mund të çfletonitani të gjitha librat e mi, por të paktën mund të lexohet vetëm libri “Vetëvrasja diplomatike e Kosovës dhe e Shqipërisë”, botuar në 2021 ose artikujt e mi në gazetën Dita.
Rama shkoi në Prishtinë dhe nuk fitoi asgjë.Por i solli shumë dëm Kosovës. Nayrisht unë nuk e quaj sukses atë që ai arriti në misionin e tij elektoral në Prishtinë në emër të lobit serb në Uashington dhe në Paris.
Me një fjalë, fjalimi i Ramës në 20 dhjetor është fjalimi më antidiplomatik i kryeministrit të Shqipërisë.