FJALIMI/ Rikthimi i Mustafa Krujës në vendlindje, Eugjen Merlika: Dita më e lumtur e jetës sime

Nga Eugjen Merlika*

​Të nderuar e të dashur miq e të ftuar, të pranishëm këtu sot, të ardhur nga trojet shqiptare në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, duke dëshmuar se Kombi shqiptar është një dhe i pandarë, pavarësisht kufijve të imponuar.

Në këtë ditë të shënuar me shkronja të arta në jetën e fisit Merlika, në emër t’atij fisi e familjeve të tij, ju uroj me gjithë zemër mirseardhjen.

​Jemi mbledhur këtu sot për të nderuar e për të stolisur qytetin tonë me vendosjen e bustit të një biri të shquar të tij, jo vetëm të Krujës, por të gjithë hapësirave ku jetojnë “bijt e shqipes”. Ai ka qënë Mustafa Merlika – Kruja, firmëtar në emër të këtij qyteti, tëDokumentit më të rëndësishëm të historisë shqiptare, Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare më 28 nëndor 1912 në Vlorë, burrit të Shtetit, historianit, gjuhëtarit, shkrimtarit e publiçistit.

​Po më takon mua, si nip i Mustafa Krujës që, për një sërë arsyesh objektive e subjektive, është zotuar prej afër tridhjetëvitesh, të ndriçojë para opinionit publik shqiptar, figurën dhe personalitetin e vërtetë të personazhit historik që na ka mbledhur sot në këtë sallë, e mbas dy orësh në sheshin e këtij qyteti, për të mbajtur fjalën përshëndetëse. Nuk do të jetë një ligjëratë për gjyshin tim, për të cilin kam shkruajtur e folur disa herë e për tëcilin do të flasin sot studjuesit e mirënjohur të ftuar e të ardhur posaçërisht.

Fjala e ime do të jetë një sërë falënderimesh, që burojnë nga thellësia e zemrave tona si familjarë, për ata organizma e individëqë, fatmirësisht, kanë dhënë ndihmesën e tyre vendimtare në arritjen e kësaj dite të mrekullueshme. U kërkoj falje për kohën që do t’u marr në shprehjen e atyre falënderimeve, që  do të jetë  mëe gjatë se sa shtatë minutat që secili folës do të ketë në dispozicion për fjalën e tij.

Sot mund të pohoj se kjo ditë mund të quhet si “dita m’e bukur e jetës sime”, të njëjtat fjalë që përdori gjyshi im i madh një ditë prilli të vitit 1941, kur u njoftua bashkimi i Dheut Amë me Kosovën, Dibrën e Madhe dhe zonën e Liqenjve, krahinat e banuara nga shqiptarët jashtë kufijve të tij, frut i pushtimit tëpabesë t’atyre trojeve  nga ushtritë e fqinjve ballkanikë n’atëvjeshtë tejet të ndërlikuar të vitit 1912. Pak muaj më vonëKonferenca e Ambasadorëve të Fuqive të mëdha t’Evropës do tëligjëronte paturpësisht ata pushtime, duke i shkaktuar atdheut tonë fatkeqësinë më të madhe të historisë së tij.

Sot është një ditë madhore e veçantë, jo vetëm për familjen e fisin Merlika, por edhe për qytetin e Krujës dhe gjithë Shqipërinë. Është treguesi më i saktë i ndërrimit të kohëve e mendësisë sëtyre, një fakt absolutisht pohenik, për të cilin asnjë prej nesh nuk do të kishte guximin të vinte një bast sado të vogël vetëm 35 vite më parë.

Data e sotme me këtë ceremoni në sallën e pallatit të kulturës sw Krujës së tij, e përurimin e bustit të tij në sheshin e atij qyteti, do të mbetet dita e rilindjes virtuale të figurës së tij poliedrike gjithmonë në shërbim të interesave të vërteta të Shqipërisë.

I falem nderit shumë Zotit të madh e të gjithfuqishëm, i vetmi që mund të sendërtojë në këtë botë mrekulli të tilla, si kjo e kësaj dite. Po e filloj serinë e falënderimeve, duke i u drejtuar Krijuesit,që më ka shoqëruar në çdo ditë të jetës, ditë të ëmbla por edhe tëhidhura.

Falënderimet më të përzemërta i shkojnë Këshillit bashkiak tërrethit Krujë e prefekturës së qarkut Durrës e drejtuesve të tyre që, me gatishmëri të pashembulltë e një kënd vështrim realist nërespekt të vlerave historike të qytetarëve të tyre, larg paragjykimeve të së shkuarës, vlerësuan drejt veprimtarinëatdhetare të Mustafa Merlika Krujës, duke i njohur atij meritën për të patur një bust në një nga rrugët kryesore të qytetit të lindjes. Uroj e shpresoj që ai bust të jetë një vlerë e shtuar e një stoli e atij qyteti të cilin Ai e përfaqësoi denjësisht edhe se vetëm njëzetepesëvjeç, në krah të Ismail Qemalit në Kuvendin themelues tëshpalljes së Pavarësisë shqiptare, duke nënëshkruar Dokumentin përkatës në emër të kryeqytetit të Gjergj Kastriotit. Krujës sëadhuruar, i pari bir i diplomuar i saj, i kushtoi shkrimin e fundit tëjetës së tij prej shkrimtari, prozën e gjatë të titulluar “Qyteti im”, e shkruajtur në Amerikën e largët në të cilën mbylli sytëpërgjithmonë. Ajo përbën një hymn për Krujën dhe banorët e saj, për të cilët Mustafa  nuk kurseu epitetet më të bukur, sa i takon cilësive të tyre karakteriale, kryesisht ndershmërisë së tyre proverbiale, bujarisë, thjeshtësisë e dëshirës për punë.

Uroj që ai bust të përbëjë një shtysë të fuqishme për bashkëqytetarët e tij, që t’i lexojnë veprat e tij, sepse sa më shumët’i lexojnë, aq më shumë do të ndjehen krenarë.

Një tjetër falënderim tejet i veçantë e i përzemërt i drejtohet nga ana e familjes, atyre më shumë se tetëdhjetë qytetareve e qytetarëve intelektualë krutanë, që kanë nënëshkruar me shumëdëshirë e bindje të brëndëshme kërkesën për dhënien e lejes për ndërtimin e  vendosjen e bustit në sheshin e qytetit të tyre.

Dua të falënderoj me të njëjtën dashamirësi Shoqatën mbarëkombëtare “Trojet e Arbërit”, kryetarin e saj, historianin Nue Oroshi, e veçanërisht publiçistin e shkrimtarin kosovar zotin Tomë Mrijaj, që është nismëtari i parë i idesë së kësaj dite dhe i sendërtimit të saj. Madje ajo Shoqatë duhet falënderuar edhe për nismën e 14 gushtit 2015 kur vendosi të mbajë në qytetin tonësimpoziumin me temën: “Populli shqiptar në rrjedhat e historisëdhe roli i personaliteteve nga epoka e madhe e Gjergj Kastriotit deri në fund të shekullit XX”.

Një tjetër falënderim i përzemërt i shkon zonjës Monika Lubonja, që është zotuar në vetë të parë në kërkesën drejtuar autoritetit bashkiak të Krujës dhe atij të prefekturës së Durrësit për të siguruar lejen për vendosjen e bustit të Mustafa Krujës.

Në këtë ditë të mrekullueshme, në gjithësinë e saj, në të cilën mendimet tona rrokin edhe ngjarjet tragjike, që kanë përfshirë nëvorbullat e tyre mjaft personazhe të disa familjeve të këtij qyteti, që lidhen idealisht me firmëtarin e pavarësisë, një faqe tragjike hapet para vëzhguesve të ngjarjeve e përcakton ndjenjat dhe emocionet. Mustafai, për një domosdoshmëri të jetës së tij familjare, është larguar nga Shqipëria e tragjeditë që kanë të bëjnëme t’afërmit e Tij, kryesisht djem xhaxhallarësh, që janësolidarizuar me idetë e tij, i mësoi shumë më vonë, duke i rënduar gjëndjen e Tij shpirtërore në mënyrë të pandreqëshme. Ai bust, qëvendoset sot në rrugën që çon tek kështjella ëshë, në një farëmënyre, motiv ngushullimi e lehtësimi për shpirtërat e Reshitit, Ymerit, Sejfullait, Sulejmanit, Talibit, Hamidit, të gjithë kushurinj t’afërt të Tij. Atyre duhet t’i shtoj edhe emrin e nderuar tëSejfullah Shimës shoqëruesit besnik  të tij kur ishte kryeministër. Të gjithë këta flijuan jetët e tyre rinore në qëndresën me armëkundër regjimit që u vendos në Shqipëri, e që me qëndrimin e tij të nënështruar politikës së Beogradit, flijoi shumë shqiptarë e vetëShqipërinë etnike, që kishte qënë lumturia e Lalës së tyre, godina e ëndërruar e kombëtarizmit shqiptar mbas Dokumentit të Vlorës, altari në të cilin u shkrinë të gjitha energjitë mendore, shpirtërore e fizike të mëndjeve më të ndritura të këtij kombi.

Falënderimeve për institucionet u shtoj edhe ata për individëtë ndryshëm nga familja e farefisi, deri tek ata përfaqësues tëfjalës së lirë që, në këta 34 vite, nuk janë prapsur nga trysnia ehistoriografisë zyrtare në etiketimin e emrit të Mustafa Krujës me epitetet më të përbindshëm që mund të përfytyrohen.

Në rradhë të parë kujtimi shkon tek motra e Mustafait, Haxhire Anxhela Merlika-Muka, e cila e ka shoqëruar vëllain e saj në vite të gjata mërgimi në Itali, Francë, Egjypt e Shtetet e Bashkuar të Amerikës, duke qënë për të ngushullimi i vetëm i njëjete tejet të vështirë. Ajo me bashkëshortin Spiro Muka kanëruajtur të paprekur veprën e Tij të mbas luftës, dorëshkrimet e letrat, të cilat familja i ka bërë të njohura publikut shqiptar që nga viti 2006 e deri në vitin 2023, nëpërmjet rreth njëzet vëllimeve.

Këta botime kanë ndihmuar në mënyrë vendimtare në njohjen e jetës e veprës së Mustafa Krujës, duke nxjerrë në shesh tëvërtetën historike, gjë që më 2012 e nderoi figurën e Tij me urdhërin “Nder i Kombit”, si pjestar i grupit të Firmëtarëve tëDokumentit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, 28 nëndor 1912” nga Presidenti i Republikës, Z. Bamir Topi, me dekretin Nr. 7574, datë 26/06/2012. Pasojë e këtij vlerësimi qe atëherë emërtim i sheshit të qytetit me emrin e Tij dhe sot ngritja e bustit të Tij nërrugën kryesore të qytetit, si dëshmi e vlerësimit maksimal tëQytetit të Gjergj Kastriotit për birin e tij të madh.

Duke u nisur nga fakti se vlerësimi i vitit të njëqindvjetorit tëPavarësisë, me dhënien e çmimit “Nder i Kombit” dhe ai i këtij viti me miratimin e vendosjes së bustit, janë vendime që burojnënga konsiderata historike afërsisht të ngjajshme, edhe se të dy administratave të ndryshme, përsa i përket përkatësisë politike, veç falënderimeve që u shkojnë me shumë respekt nga ana e jonëtë dyjave, urojmë me gjithë zemër që për të tilla tema që kanë tëbëjnë me të kaluarën historike të Kombit, politika të jetë e njëmendimi, duke dalë me vlerësime që respektojnë më shumëndihmesën reale, simbas periudhave, në dobi të interesave t’atdheut.

Thashë më sipër se botimi i vëllimeve me shkrimet e Mustafa Krujës pati ndikimin e tij në opinionin publik. Për pasojë pati mjaft shkrime intelektualësh që u botuan në organe të ndryshme. Dua të falënderoj publikisht zotërinjtë publiçistë Ardian Ndreca,  Visar Zhiti, Agron Gjekmarkaj, Admirina Peçi, Elsa Demo, Sadik Bejko, Çelo Hoxha, Hamdi Meçe, Thanas Gjika, Ben Andoni, Roland Qafoku, Shaban Murati etj., duke i kërkuar të falur ndonjerit që i ikën kujtesës në këtë çast

Në këtë hulli shkrimesh falënderimi më i i përzemërt e më i thellë i shkon organeve të cilët në gjithë këta vite kanë botuar shkrimet e Mustafa Krujes, duke zgjeruar horizontin e lexuesve mbi personalitetin e tij. Falënderoj gazetat “Shekulli”, “Shqiptarja.com”, “55”. “Dielli”, “Mapo”, “Illyria”, “Gazeta Liberale” e portalin “Voal.che” që asnjëherë nuk kanë nguruar tëbotojnë gjithshka që u kam dërguar për botim. Respekt e mirënjohje botuesve të këtyre organeve dhe gazetareve e gazetarëve Elsa Demo, Admirina Peçi, Dalip Greca, Skënder dhe Elida Buçpapaj, Alfred Lela, Fitim Zekthi, Arion Sulo e Reldar Dedaj.

Dëshëroj të falënderoj veçanërisht me këtë rast ingjinjerin shkrimtar e publiçist Mërgim Korça që, nëpërmjet shkrimeve të tij të mbushur me argumenta të bazuar jo vetëm në sudimet e thella por edhe në përvojën jetësore të tij, qoftë edhe duke rrahur mendimet edhe me historiografinë zyrtare, ka dhënë një ndihmesëtë shquar në ndriçimin e personalitetit e të veprimtarisë së Mustafa Krujës.

Libri i parë i botuar është “Antologji historike”, i përgatitur nga biri i autorit, Bashkim Merlika, që ka shkruajtur edhe parathënien, në vitin 2001, n’agim të mijëvjeçarit të tretë, nga shtëpia botuese “Sejko” në Elbasan. Në vitin 2004 pa dritën e botimit një tjetër vëllim me sfond historik, frut i përkthimit tëkryer nga Kruja mbi të shkuarën e Shqipërisë. Ai titullohej “Vëzhgime Iliro-Shqiptare” e kishte si shtojcë të tij një fjalor shpjegues të përkthyesit rreth fjalëve të përdorura gjatë punës sëtij. Ai u botua nga Shtëpia botuese Camaj-Pipaj në Shkodër. Njëvit më vonë Shtëpia botuese PHOENIX Shkodra botoi vëllimin e autorit “Aleksandr’ i Madh dhe Maqedonij’e hershme deri tek Aleksandr’i Madh (336 p.K.).” Në vitin 2007 Shtëpia botuese “55” mori përsipër botimin e librit jo shumë të gjatë “Kujtime vogjlije e rinije” që pati një jehonë pohenike tek lexuesit.

Vitet 2007 e 2008 nxorën në dritën e botimit dy vepra gjuhesore t’Autorit qe kishte humbur gjate kohës kryeveprën e jetës se tij “Fjaluerin kritik te shqipes”, të lënë në Institutin e Studimeve Shqiptare e të zhdukur pa gjurmë. Ne mërgimin e Aleksandrisë s’Egjyptit, i strehuar pranë Mbretit Zogu I, bujarisë së të cilit Mustafa Kruja i mbeti mirënjohës deri në frymën e fundit, ai u përpoq te ripërtërinte veprën e tij madhore së cilës i kishte kushtuar gjashtë vite pune intensive. Por pa materialet shkrimore të mbledhur gjatë shumë viteve, mundi të hedhë nëletër vetëm fjalët që fillonin me dy gërmat e para t’alfabetit.Gjithmone n’Egjypt ai shkruajti “Nji studim analitik  Gjuha e Frang Bardhit dhe Shqipja moderne”. Bashkim Merlika vendosi botimin e “Fjaluerit kritik të shqipes “ dhe  “Nji sudim analitik” duke i a lënë në dorë këta dy dorëshkrime një studjueseje të thukët të gjuhësisë shqipe, prof. Ledi Shamku Shkreli, e cila ka bërë njëpunë të shkëlqyer vullnetare me përgatitjen për botim e me parathëniet, dizertacione të vërteta shkencore për veprat. Botimin e mori përsipër studjuesja e njohur Brikena Çabej, duke patur mbështetjen  e zotit Avenir Kika për të parën. Po sjell këtu dy fragmente nga parathëniet e veprave, që nxjerrin në pah aftësitëgjuhësore t’autorit, në konceptimin e autores së tyre:

“Shpesh kur analizohen post factum mendje luminare, idetë e të cilave nuk gjetën përkrahje në gjallmëni të tyre, thuhet se ato qenë të parakohshme. Për M. Krujën nuk mund të thuhet kësisoj, pasi thelbi i kumteve të tij teorike shihet se ka qenë sinkron me atëtë bashkëkohësve të vet  në Evropë e Shtetet e Bashkuara – Fishman, Martinet, Benveniste, Bartoli, Migliorini etj. Pra ky novator do të kish qenë njeriu i duhur në kohën dhe vendin e duhur, por pas Dyzetekatrës koha shqiptare rrodhi  ndyshe nga koha globale e për rrjedhojë shkenca jonë i u shmang vektorit diakronik të zhvillimeve ndërkombëtare, duke hyrë siç ështëpranuar me krenari në një shteg sui generis. Pra ky aksident historik u përkthye në një aksident apo gand gjeografik, i cili bëri që M.Kruja të ish njeriu i duhur në kohën e duhur, por qës’mundej të ndodhej në vendin e duhur – në Shqipëri.”

“Sot trashëgojmë filozofinë gjuhësore të Krujës, jo thjesht si dije, por si dorëzanì, si dritë e si shtysë për t’i kthyer gjuhës aktuale njomshtinë që i mungon. Kjo dorëzanì vlen më shumë se çdo lëvdatë dhe lyp mirënjohjen tonë. Nuk e kam fjalën thjesht për mirënjohjen e një rrethi të ngushtë gjuhëtarësh a letrarësh, por për atë ndjesi të thellë që duhet të ruajë në zemër për Mustafa Krujën çdo individ i bashkësisë shqipfolëse, e madje dhe ata qësot ende s’kanë lindur.”

Këto fjalë të gjuhëtares së shquar marrin ngjyrën e profecisë, po të mbajmë parasysh vendimin e Këshillit bashkiak të Krujës qëna ka mbledhur sot. Falënderoj nga zemra zonjën Shamku për vlerësimet e saj ndihmesës së Mustafa Krujës në gjuhësinëshqiptare. Ata përkojnë dhe u shtohen të tjerë gjykimeve e vlerësimeve të të tjerë korifejve të gjuhësisë shqiptare si Atë Zef Valentini, Karl Gurakuqi, Ernest Koliqi, Eqerem Çabej, Aleksandër Xhuvani, Namik Resuli, e të tjerë kolegë të shquar tëInstitutit të Studimeve Shqiptare që gjuhëtari krutan e drejtoi për më shumë se dy vite të jetës së tij.

Nga viti 2011 e deri në vitin 2017 vëllimet e autorit vazhduan të botohen nga Shtëpia Botuese OMSCA-1 në pronësi të z. Luan Pengili, bashkëqytetar i Autorit. Ai bashkëpunim, si dhe të tjerët ka qënë i frutshëm e korrekt. Panë dritën e botimit këta tituj: “Studime historike”, “Probleme gjuhe”, “Mustafa Kruja nëhistorinë shqiptare”, “Kuvend letrash me miqtë” numër 1, 2, 3, 4, 5, dhe “Gjysmë shekulli me pendë në dorë”. Duke falënderuar botuesin për ndihmesën e tij duhet të shtoj edhe emrat e nderuar tëAleksandër Meksit, Kolec Topallit, Tomë Mrijajt, Ardian Ndrecës, Ilir Ikonomit, Mithat Gashit, Atë Vitor Demaj e Sokol Çungës qëkanë patur mirësinë të shkruajnë parathëniet e shumicës së atyre vëllimeve. Në vitet 2021 dhe 2023 shtëpia botuese Berk botoi përkatësisht vëllimet “Lashtësi shqiptare” dhe “Historij’e vonë”

Ndërkohë me nismën e  vyer të Prof. Ardian Ndrecës u organizua një konferencë shkencore përkujtimore me temën “Rishkrimi i historisë dhe figura e Mustafa Krujës (1887 – 1958) më 27 dhjetor 1958, në ditën e 50-vjetorit të kalimit n’amshim tëpersonalitetit kulturor krutan në ShBA. Ajo qe e para e llojit nëShqipërinë pas komuniste, kur emri i Firmëtarit të Pavarësisë nuk ishte “zhdoganuar” ende nga historiografia zyrtare. N’atëkonferencë referuan mjaft personalitete të kulturës e tëmësimdhënies shqiptare si ish kryeministri Aleksandër Meksi, gjuhëtarët Kolec Topalli, Ledi Shamku-Shkreli dhe Evalda Paci, historianët Nevila Nikaj, Enriketa Papa dhe ingj. Mërgim Korça, Ingj. Bashkim Merlika, prof. Genc Korça, e studjuesi Artan Lame. Mbas tre vitesh kumtesat e mbajtura atë ditë u botuan në një libër të veçantë, të përgatitur për botim nga prof. Ardian Ndreca, duke i shtuar ndonjë shkrim tjetër të tij. Përfitoj nga ky rast i lumtur për të falënderuar publikisht të gjithë këta lëvrues të ndritur të kulturës shqiptare, për ndihmesën e tyre të madhe e të sinqertë nëndriçimin e figurës poliedrike të intelektualit më në zë të Krujës sëkohës së tij.

Në kuadrin e nismave për veprimtarinë atdhetare të Mustafa Krujës, më sipër fola pak për simpoziumin e Shoqatës “Trojet e Arbërit”me nismën e intelektualëve të diasporës, zotërinjve TomëMrijaj dhe Nue Oroshi, më 22 qershor 2022, në Prizren. N’atësesion morën pjesë e diskutuan kryetari i Shoqatës, historiani Nue Oroshi, Dr. Qerim Lita, politologu prof. Nexhmedin Spahiu, profesoreshë Rovena Vata Mikeli, studjuesi Fazli Hajrizi, publiçisti e shkrimtari Tomë Mrijaj, Dr. Besim Morina, shkrimtarja Emrije Krosi, studjuesi Fatmir Minguli, studjuesja Rezehana Hysa dhe i nënëshkruari. Nga larg dërgoi kumtesën e tij ingjinjeri publiçist MërgimKorça,

Shoqatës mbarëkombëtare “Trojet e Arbërit” dashamirët e Mustafa Krujës dhe familja e fisi Merlika i janë mirënjohës për sesionin e Prizrenit 2022 dhe për nismën e kërkesës për vendosjen e bustit sot. Asaj Shoqate e antarëve të saj, ndërmjet të cilëve diskutuesit e foltores së Prizrenit u shkon falënderimi i ynë më i sinqertë për shprehjen e mendimeve të tyre.

Mendimi i ynë sot shkon edhe më larg, në Krujën e vitit 1912, n’ata burra të parisë së qytetit, që vendosnin me njëmirëkuptim t’admirueshëm me njëri tjetrin, për të marrë vendime që zbatoheshin nga gjithë qytetarët e vulosnin jetën administrative të qytetit. Në këtë kuadër e quajta të udhës të sjell këtu njëdokument të shkurtër të datës 11 gusht 1912, që i drejtohet Kuvendit Kombtar të Kryengritjes të mbledhun në Kosovë:

“Dega e Krús me rrethet e saja të Kryengritjes sëpërgjithëshme shqiptare, t’organizueme për me shpëtue Kombin tonë nga robnija e mjerimi, për me i dalë para rrezikut të humbjes së plotë qi po i kërcnohet Atdheut t’onë nga qeverija e keqe, zgjedh si përfaqsues të vetët kryetarin e saj Avdi Bé Toptanin  dhe sekretarin e përgjithshëm Zin Mustafa Asim, të diplomuem prej shkollës së naltë Mylkije, e i dërgon me fuqi të plotë në Kuvêndin Kombtar të Kryengritjes.

Më 29 korrik 328

Ndënshkruesit: Omer – Avni Deliallisi, Hamid Toptani, Refik Toptani, i biri i Seidit, Baba Zenel Kaloshi, Zenel Abidin AgëMeça, Hafiz Ibrahim Dalliu, Muharrem – Hamdi i bir i Ismailit (Toger Muharrem Taga), Idriz Agë Kuqi, Mulla Muharrem Pengili”.

Ky ishte fermani që parija e Krujës i jepte një djali 25 vjeçar për t’i përfaqësuar në të gjitha ndodhitë e kthesës historike tëShqipërisë, përfshirë edhe nënëshkrimin e Dokumentit tëPavarësisë. Këta zotërinj të nderuar, prodhim i brumit më të pastër të traditës shqiptare të Gjergj Kastriotit, i dhanë shtysën e parë tëmadhe birit të qytetit të tyre, të arsimuar, por pa patur asnjë ofiq shoqëror, pa asnjë titull pasurie, duke i besuar interesat e qytetit  në të gjithë mexhliset shqiptare. Sot, në këtë ditë tejet të shënuar ata duhet të marrin falënderimet tona të sinqerta për largpamjen e tyre dhe atdhetarizmin që treguan në çaste të vështira në historinëe kombit.

I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre në historinë e këtij qyteti tëlashtë!

Serisë së mirënjohjeve që lidhen me këtë ditë të pazakontë do t’u shtoj atë për dy kushërinjtë e mij, Dhurata Meksin dhe Luan Merlikën që kanë patur një rol vendimtar në çuarjen përpara të kësaj praktike deri në ditën e sotme. Pa punën e tyre nuk do tëkishte qënë e mundur të sendërtohej ky projekt madhështor. Sëbashku me të tyre falënderimi i im i shkon edhe një tjetër njeriu, shokut të ngushtë të fëminisë e të rinisë sime, Z. Eqerem Mujo që,i gëzuar po aq sa dhe un, për sendërtimin e veprës që do tëpërurojmë sot ka dashur të kontribuojë  për të. Zoti qoftë me ta dhe familjet e tyre, duke shpërblyer mirësinë tek ata dhe t’afërmit e tyre. Po ashtu falënderimet e mija i shkojnë edhe familjes sime që, në këta vite të gjata pune më kanë mbështetur e nxitur, madje edhe me çmimin e sakrificave.

Së fundi dëshëroj të falënderoj pa masë sendërtuesin e vërtetëtë këtij projekti, skulptorin Kodrian Llalla, që ka punuar për muaj me të gjithë vullnetin e tij të mirë për të krijuar një vepër që do tëmbetet gjatë si pasuri e këtij qyteti.

“Sidoqoftë, sido qi të merren gjykimet tona veprat e Mustafa Krujës jesin dëshmim i shkëlqyeshëm i kontributit  qi ai i solli naltësimit moral e kulturor të botës shqiptare”. Besoj se këto pak fjalë të shkrimtarit të mirënjohur, Ernest Koliqit janë tëmjaftueshme për të përligjur veprimin që të gjithë ne po kryejmësot, duke parë në sy të shkuarën, para s’ardhmes e historisë sëAtdheut tonë.

Duke ju falënderuar me të gjithë fuqinë e zemrës sime për vëmëndjen e praninë tuaj në këtë ndodhi të mrekullueshme, ju uroj juve e familjeve tuaja çdo të mirë të mundëshme, shëndet e mbarësi pa fund.

Po e mbyll bisedën time me një mesazh që më ka dërguar më i madhi shkrimtar i letërsisë shqiptare sot, miku im Visar Zhiti, e të cilin po e ndaj me secilin prej jush “Statuja e Mustafa Krujës është statujë shqiptarizmës e dijes”.

* Fjalimi i mbajtur me rastin e vendosjes së bustit të Mustafa Krujës në vendlindje për 112-vjetorin e Pavarësisë

 

Exit mobile version