Flakët djegin pyjet në Velipojë, Mirditë e Vau i Dejës, zjarr dhe te Gjiri i Lalzit

Vatrat e zjarrit në Velipojë dhe Vaun e Dejës vazhdojnë të djegin pyje e kullota. Bëhet e ditur se, zjarret e rëna në zonën e quajtur Qafë Thore në Shkrel të Malësisë së Madhe janë përhapur shumë shpejt. Emergjencat Civile kanë kërkuar ndihmë për zjarret e rëna në Vaun e Dejës dhe në Mirditë, ku në rrezik kanë qenë banesat dhe shkolla të fshatit Orosh dhe të fshatit Karme. Situata është vështirësuar ndjeshëm në mesditë, kur zjarret kanë qenë në përmasa të mëdha. Menjëherë pas kësaj, helikopterët dhe stafi gjerman tashmë me një eksperiencë të gjatë në operacione të vështira kanë nisur punën, duke mos lejuar përhapjen e mëtejshme të zjarreve.
Në fshatin e Velipojës, Shkodër, ka rënë zjarr në një sipërfaqe pyjore me shkurre dhe pisha. Zjarrfikëset kanë ndërhyrë të shuajnë flakët, por për shkak të erës së fortë ata nuk kanë mundur të vendosin nën kontroll zjarrin. Në ndihmë të zjarrfikësve janë angazhuar edhe 30 forca ushtarake si dhe një helikopter, të cilët kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve.
Në Gjirin e Lalzit, Durrës, një vatër zjarri e cila kishte përshirë një sipërfaqe me shkurre dhe pisha rrezikonte disa resorte turistike. Zjarri u përhap me shpejtësi për shkak të erës së fortë. Për shkak të zjarrit të madh është ndërhyrë edhe nga ajri me helikopterë. Pas disa orësh punë, vatra e zjarrit është shuar. Në qytetin e Delvinës ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ullinj pranë depos së ujit të qytetit. Si pasojë u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme me shkurre dhe disa rrënjë ulliri.
Vijon operacioni për shuarjen e vatrave të zjarrit në vendin e quajtur “Përroi i Qershisë” mes Lekasit dhe Voskopojës, Korçë. Në këtë zonë po operojnë forca të shërbimit zjarrfikës Korçë, punonjës të Bashkisë, të Pyjores, forca ushtarake dhe banorë të zonës. Shuarja e flakëve po bëhet me mjete rrethanore për shkak të terrenit të thyer malor. Nga zjarri është djegur një sipërfaqe pyjore me pisha.
Në fshatin Reps i Epërm, Mirditë, zjarri përfshiu një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Operacioni për shuarjen e flakëve vijon ende. Në vendngjarje ndodhen forcat e zjarrfikësve të mbështetur edhe nga ato të pyjores, të cilat po punojnë për të vendosur nën kontroll flakët.

Exit mobile version