Prej orëve të vona të mbrëmjes së të premtes, dy vatra zjarri kanë përfshirë sipërfaqen pyjore në aksin Vau Dejës – Koman, duke shkrumbuar rreth 3 ha me pisha. Kanë qenë banorët ata të cilët njoftuan shërbimin zjarrfikës, të cilat pas mbërritjes në vendngjarje kanë nisur punën për lokalizimin e më pas shuarjen e zjarrit. Si pasojë e erërave dhe terrenit malor, ndërhyrja ka qenë tejet e vështirë dhe zjarri ka vijuar të përhapet, ndërsa vatra aktive ka edhe gjatë të shtunës.
Për shuarjen e tij janë angazhuar 20 efektivë të forcave të armatosura të brigadës së Vaut të Dejës, të cilat i kanë ardhur në ndihmë mjeteve dhe efektivëve të shërbimit zjarrfikës të Shkodrës.
Sipas hetimeve paraprake dyshohet se shkak i zjarrit është bërë pakujdesia e barinjve, të cilët mund të kenë ndezur zjarr për t’u ngrohur dhe më pas nuk kanë bërë shuarjen e tij. Në pak minuta i favorizuar nga era, ai është përhapur, duke prekur një sipërfaqe të konsiderueshme pemësh pishe. Dëmi i shkaktuar është i madh për këtë masiv pyjor në Bashkinë Vau Dejës.