Flamurtari në vitin zero

Flamurtari sërish në vitin zero… dhe nuk është thjesht një shprehje figurative. Pas disfatës ndaj Skënderbeut, administratori Sinan Idrizi ka deklaruar se do t’i dërgojë në shtëpi të gjithë, stafin teknik e lojtarë, madje dhe ata që janë nën kontratë, një deklaratë padyshim e thënë në të nxehtë pas humbjes, por padyshim nëse merren parasysh rrethanat vështirë të gjesh një sezon më katastrofik se ai i Flamurtarit. Një skuadër ku janë investuar miliona që niset për titullin dhe detyrohet ta mbyllë me drithërima mbijetese një ndeshje me Bylisin në javën e parafundit, për ti vënë vulën pastaj me disfatën ndaj Skënderbeut. Megjithatë, ka gjithmonë dhe një por. Nëse në Vlorë gjatë menaxhimit të Idrizit do të kishin qenë më të duruar ndoshta do të kishte përfunduar ndryshe.
Një klub që gjatë sezonit kishte dy skuadra, atë që mbylli dy fazat e para dhe atë të krijuar në janar është prova më e mirë se revolucionet e menjëhershme në futboll nuk funksionojnë, ndërsa triumfi i Skënderbeut mëson se çelësi i suksesit është vazhdimësia. Natyrisht, që diçka e tillë nuk është e lehtë të realizohet në Vlorë, aty ku kërkojnë suksesin e menjëhershëm dhe nervat janë gjithmonë të nxehta, deri te barcaletat e së kaluarës, kur pas një disfate në vitet ‘80 tifozët kërcënonin se do ta shndërronin tapetin e blertë në një fushë për të mbjellë patate, por sidoqoftë vetëm krenaria në futbollin e sotëm nuk mjafton. Ajo që i duhet Flamurtarit është një projekt afatgjatë dhe vazhdimësi, nuk mund të ketë më një tjetër vit zero.

Exit mobile version