“Flas në fushë, francezët të mësojnë italisht”/ Turam: Dua edhe një titull me Interin, sekreti im është… gjumi

Në fushën e lojës është i papërmbajtshëm ashtu siç është në dhomat e zhveshjes. Markus Turam gjithmonë e më shumë po shndërrohet në një lider. Francezi, gjithmonë i buzëqeshur ka dhënë një intervistë për “Telefoot” duke treguar se objektivi i tij është fitorja e titullit kampion sërish me zikaltrit. Sekreti i tij është… gjumi.

 

Të kanë prekur kritikat me kombëtaren franceze?

Jo. Edhe për faktin që ato bëjnë pjesë në sport. Që nga koha kur jam bërë profesionist i dëgjoj kritikat, por një lojtar i nivelit të lartë duhet t’i kalojë ato. Të gjithë mund të mendojnë çfarë të duan, por e rëndësishme është që të japësh maksimumin gjatë ndeshjeve.

Cili është roli juaj brenda dhomës së zhveshjes?

Unë gjithmonë kërkoj të jap maksimumin për fanellën që mbaj veshur dhe të ndihmoj shokët e skuadrës. Heraherës kujdesem edhe për humorin e tyre. Dua që skuadra të jetojë mirë dhe të fitojë.

Të vjen keq që nuk shënon shumë gola në kombëtare?

Nuk e mendoj shumë këtë gjë. Kur luaj me Francën nuk fiksohem për të shënuar sa më shumë. Dua thjesht të bëj ndeshje të mira, pastaj edhe mund të shënoj ose jo. Preferoj që të luaj mirë më shumë sesa të shënoj kur kam bërë ndeshje të keqe.

Si e jeton konkurrencën me Kolo Muani?

Shumë mirë. Randal është miku im. Unë e njoh përpara aventurës me kombëtaren. Jemi shumë afër me njëritjetrin dhe flasim çdo ditë. Është një konkurrencë e shëndoshë.

Ju mungon Mbape?

Po. Kilië është shumë i rëndësishëm për grupin. Nuk ka qenë as Dembele kohët e fundit. Në tavolinë kemi qenë më pak argëtues sepse janë tipa me humor. Shpresoj që të rikthehen sa më shpejt.

Si e vlerëson sezonin tuaj me Interin?

Gjithçka po shkon në mënyrë perfekte. Kam shënuar shumë gola deri tani, por nuk jemi ende në gjendjen ku duhet të jemi dhe si vitin e kaluar. Por me punë dhe duke pasur sa më shumë ndeshje do të rigjejmë formën.

Çfarë të mungon për të ekzaltuar tifozët francezë ashtu siç bën me ata të Interit?

Ndoshta tifozët francezë duhet të flasin italisht… (qesh).

Festimi juaj është shndërruar mitik tani…

Po. Më pëlqen shumë. Është e vërtetë që në Itali jam pritur mirë nga interistët dhe të gjithë tifozët italianë. Është pak vendi im edhe Italia.

Është e vërtetë që në Itali ka më pak presion sesa tek Franca?

Jo. Kur unë vesh fanellën e Interit, Francës apo Gladbahut kurrë nuk kam presion. Thjesht tifozët e Francës duhet të flasin italisht.

Ku insiston trajneri Deshamp tek ju?

Nuk insiston për asgjë. Më njeh prej 27 vitesh. Është e vërtetë që jashtë vendit mund të mendohet që më kritikon, por e bën për të mirën time. E ka bërë që nga grumbullimi i parë dhe vazhdon. Më shtyn shumë për të bërë më të mirën.

Të thotë që të jesh akoma më shumë prezencë lojë dhe të fitosh besim?

Jo. Nuk më thotë të tilla gjëra. Thjesht më jep besim dhe kurajë, ashtu siç bën me të tjerët.

Je një person shumë diskret në jetën private…

Po. Mendoj se duhet të flasësh kur duhet të kesh diçka serioze. Ka shumë njerëz që flasin shpesh, por unë preferoj që me miqtë e mi të flas në telefon. Nëse flas me median ndodh sepse mund të ketë diçka të rëndë ose të rëndësishme. Të flasësh sa për të folur nuk është stili im. Më pëlqen të flas në fushë.

Cilat janë objektivat e tua në vitin 2025?

Shpresoj që të fitoj sërish kampionatin me Interin. Është diçka që të mbetet në mendje përjetësisht dhe dua ta jetoj sërish atë moment.

Mendon për Botërorin e vitit 2026?

Jo. Do të mendoj në mars me kombëtaren, kur të nisë kompeticioni. Duhet t’i marrim ndeshjet një nga një.

A ndikon fakti që kalendari është bërë shumë i ngjeshur në mendjen e lojtarëve?

Sigurisht që po. Ndikojnë në mendje, në moral dhe në këmbë. Por jemi profesionistë dhe duhet të japim gjithmonë maksimumin për të mos u dëmtuar.

Po ti ke një sekret për të menaxhuar këtë situatë?

Unë fle. Unë fle shumë.

Exit mobile version