Flasin statistikat

Mauro Ikardi është lojtari i momentit në Itali. Sulmuesi argjentinas ka fituar famë si për jetën e tij private dhe për aftësitë që tregon në zonën kundërshtare. Në muajt e fundit, 24-vjeçari ndan në dysh opinionin publik argjentinas për shkak të ftesës së munguar nga ana e komisarit teknik. Rendimenti i tij në fushë ka bërë që ta krahasojnë me Mesin, ndërkohë që, deri më tani, ka lënë pas disa prej atyre që e kanë paraprirë në Milano.
Me tre golat e shënuar kundër Atalantës, Mauro Ikardi ka përmirësuar edhe më shumë rendimentin e tij. Ndeshja përballë bergamaskëve i lejoi argjentinasit që t’i dërgonte një mesazh të qartë Bauzës, i cili e snobon, pasi e konsideron inferior përballë Higuainit dhe Pratos.
Ky i fundit nuk konsiderohet prej askujt (përveç Bauzës), ndërsa mediat italiane kanë nxituar për të treguar se, për nga rendimenti i treguar këtë sezon, Ikardi është shumë më mirë edhe si zgjedhja e parë e komisarit teknik të Argjentinës. Tani për tani, Ikardi, i cili është gjashtë vjet më i ri se Pipita, ka shënuar një gol më shumë se sulmuesi i Juves. 24-vjeçari gjithashtu ka ndihmuar më shumë se Higuain shokët, pasi ka dhënë 6 asiste më shumë.
Me kalimin e viteve, Mauro Ikardi po tregon se është i denjë për numrin që mban në shpinë. Rendimenti i tij ndër vite ka treguar se është një pykë që “frekuenton” shpesh golin. Që prej momentit që ka veshur fanellën zikaltër, Ikardi ka shënuar për Interin plot 67 gola në Serinë A. Rendimenti i tij është inferior kundrejt Zlatan Ibrahimoviçit, i cili shënoi 57 gola në 3 sezone, por shumë i përafërt me atë të Kristian Vierit, i cili ka shënuar 103 gola në 6 sezone.
Jehona e golave të Ikardit ka mbërritur deri në Spanjë. Ditën e djeshme, një gazetë shumë pranë Realit, “Sport”, shkruante se sulmuesi i Interit meritonte që të ishte në kombëtare po aq sa Mesi. “Sport” argumentonte pozicionin e saj, duke nxjerrë në pah faktin se, Mauro Ikardi këtë sezon ka mundur që të shënojë dy a më shumë gola brenda një takimi në shtatë duele, ndërsa bashkëkombësi i tij te Barcelona ia ka dalë vetëm 6 herë.

Exit mobile version