Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein deklaron se, ai pret që rezoluta për integrimin europian të Shqipërinë të aprovohet nga një shumicë e gjerë eurodeputetësh më 14 prill. Javët e ardhshme Fleckenstein do të vizitojë Tiranën për të motivuar mazhorancën dhe opozitën për aprovimin e Reformës së Drejtësisë.
Qëndrimi i Fleckeinstein i referohet rezolutës së miratuar së fundmi nga Komisioni i Jashtëm në PE për Shqipërinë. “Përshëndesim angazhimin e Shqipërisë për një reformë të plotë të sistemit të drejtësisë dhe inkurajon fuqimisht autoritetet shqiptare të vazhdojnë përgatitjet për këtë reformë të rëndësishme për të nxitur besimin e qytetarëve dhe komunitetit të biznesit në sistemin e drejtësisë; lavdëron punën e Komisionit Ad Hoc për reformën gjyqësore në përgatitjen e reformës; vlerëson bashkëpunimin e ngushtë me Komisionin e Venecias; inkurajon më tej një qëndrim bashkëpunues në rrugën për miratimin e kësaj reforme; bën thirrje të gjitha palëve, duke marrë parasysh rekomandimet e Komisionit të Venecias, për të punuar drejt një kompromisi për ndryshime thelbësore të gjyqësorit, të cilat kanë të bëjnë ndër të tjera për pavarësinë e plotë dhe përgjegjshmërinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe paanshmërinë e gjykatave, sidomos Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë”, thuhet në rezolutën e PE që pritet të miratohet. Edhe eurodpeuteti Eduard Kukan dy ditë më parë bëri të njëjtën thirrje. “Atë që shoh, se të dyja palët janë dakord për rëndësinë e aprovimit dhe zbatimit të Reformës në Drejtësi. Secila palë e sheh ndryshe këtë reformë. Ky është problemi, por besoj, se ata janë të ndërgjegjshëm për rëndësinë e reformës. Tani që kemi rekomandimin e Komisionit të Venecias, që njohim qëndrimin e Komisionit Europian dhe SHBA-ve, nuk mbetet tjetër përveçse dakordësia. Nuk mund ta imagjinoj që kjo reformë të mos aprovohet dhe të mos zbatohet. Hapi që duhet hedhur tani është marrëveshje midis palëve. Ne nuk mund të bëjmë më shumë. Forcat nga jashtë nuk mund të bëjnë më shumë. Ju iu referuat komisionerit me të drejtë, që Reforma e Drejtësisë, mund të çojë në hapjen e negociatave të anëtarësimit. Kjo nuk do të thotë që kjo do të ndodhë automatikisht. Mos më pyesni, nëse në rast se kjo reformë fillon të zbatohet, atëherë a do të ketë Shqipëria një datë për hapjen e negociatave? Ajo që mund t’ju them, se është e qartë që pa këtë reformë, nuk është realiste të flitet për hapin e ardhshëm të integrimit europian” është shprehur Kukan.
– zoti, Fleckeinstein, rezoluta juaj është mbështetur gjerësit nga Komisioni i Punëve të Jashtme. A prisni të njëjtën mbështetje në seancën plenare të javës së ardhshme? Ka ndryshime?
Mendoj, se rezoluta për Shqipërinë do të gjejë të njëjtën mbështetje, madje ajo mund të jetë edhe më të madhe. Ka një dakordësi në gjirin e Parlamentit Europian lidhur me reformat në Shqipëri dhe pritshmërinë që kemi për hapat përpara.
– Boshtet kryesore të rezolutës suaj janë 5 prioritetet kyçe për hapjen e negociatave të anëtarësimit të përcaktuar nga Komisioni Europian. Vazhdoni të besoni që marrëveshja për reformën e gjyqësorit do të çonte në hapjen e negociatave të anëtarësimit, siç u tha edhe nga komisioneri Hahn në Tiranë?
Unë e shoh ekzaktësisht kështu, sepse Reforma e Drejtësisë është themelore edhe për reforma të tjera shumë të rëndësishme për vendin. Ajo që duam të shohim është marrëveshje për të gjitha ndryshimet ligjore apo kushtetuese që nevojiten të bëhen. Duke qenë se kërkohen ndryshime kushtetuese për këtë reformë, përveç përpjekjeve nga ana e qeverisë, kërkohet që edhe opozita të përfshihet në debat dhe të shpresojmë të arrihen rezultate të mira. Nëse arrihet marrëveshje, jam i bindur, që Komisioni Europian do të jetë i predispozuar që të japë një rekomandim pozitiv për hapjen e negociatave të anëtarësimit sa më shpejt të jetë e mundur.
– Ju e dini që për Reformën në Drejtësi ka një afat të qartë. Që Komisioni Europian të bëjë një rekomandim pozitiv, duhet që marrëveshja për reformën e gjyqësorit të arrihet para verës. A kanë për qëllim vizitat tuaja në Tiranë motivimin e palëve?
Unë do të vizitoj Tiranën një javë pas votimit të rezolutës në seancën plenare të Strasburgut. Qëllimi kryesor është të shoh vijueshmërinë e reformës së gjyqësorit, por gjithashtu të takohem me të rinjtë shqiptarë. Është mirë që të takohesh me të rinjtë dhe jo vetëm me politikanë. Pastaj do të vizitoj Tiranën sërish në maj. Për Reformën e Drejtësisë duhet të ketë një diskutim të gjerë. Reforma do të diskutohet edhe në gjirin e Kuvendit. Por ky diskutim duhet të jetë pa mëdyshje dhe të shpresojmë edhe i shpejtë për të arritur në aprovim. Ne e dimë shumë mirë që pas aprovimit fillon puna e vërtetë, që është zbatimi i reformës dhe është e qartë, se zbatimi do të marrë kohë. Por etapa e parë është aprovimi.
– Ju ishit shumë strikt për disa amendamente. Ju nuk pranuat disa prej tyre. Mund të përmendni çfarë nuk pranuat?
Së pari, nuk pranova amendamentin e grupimit ekstremist të djathtë për ndërprerje të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë, pasi kjo përfaqëson qëndrimin e një minoriteti shumë të vogël të Parlamentit Europian dhe së dyti, mua nuk më pëlqejnë rekomandimet që kanë të bëjnë me minoritetet. Unë jam tërësisht në favor të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe të drejtave të minoriteteve, por të duash të përmendësh në paragrafe të veçanta çdo minoritet, disa herë duket si të luash një lojë. Të patën kjo nuk do të gjendet në një raport që mban emrin tim.
Marrë nga ABC NEWS