Flenckeinstein: Në Bruksel është rënë dakort me propozimin e PD

Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckeinstein deklaroi dje në Tiranë se çështja e Vetting-ut në lidhje me Reformën në Drejtësi duhet të përcaktohet në përputhje të plotë me reformandimin e Komisionit të Venecias. Flenckeinstein ishte dje në Tiranë dhe nisi që në orët e para të mëngjesit të djeshëm takimet me liderët kryesorë politikë në përpjekje për të afruar palët drejt një marrëveshjeje konsensuale. “Tashmë ka mbetur vetëm një çështje e vogël. Kemi theksuar se sa e rëndësishme është pjesëmarrja e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit në këtë proces. Më lejoni që të bëj edhe një koment personal se pse në Bruksel është rënë dakord me propozimin e PD me mekanizmin 6+6. Dhe ata na thanë që do të jetë për arsye të ndërkombëtarëve që të themi se, ata që janë të këqij do të kenë dalë nga sistemi në momentin kur komisioni të ketë marrë vendimet e fundit. Unë sot kam folur me ambasadorët në Shqipëri, Romana Vlahutin, ambasadorin Lu, jam takuar me Kryeministrin, kryetarin e Kuvendit dhe kryetarin e opozitës. Ne mbështesim plotësisht dhe tërësisht kryetarin e Kuvendit në përpjekjet e tij të fundit për konsensus. PD ka një problem me atë se si do të jetë i përfshirë në procesin e Vetting-ut ONM. Unë nuk jam jurist. Për ta, pjesëmarrja e ndërkombëtarëve nuk është në pikëpyetje, është çështja se si. Dhe kjo duhet të jetë në përputhje me Komisionin e Venecias. Propozimi që kemi në tryezë është i pranueshëm për pjesën më të madhe të Parlamentit. Pranohet edhe nga misioni i BE dhe ambasada e SHBA në Shqipëri, DASH, në Bruksel, KE dhe PE, si dhe për zonjën Merkel e krerët e shumë shteteve anëtare të BE”, u shpreh raportuesi i Parlamentit Europian për Shqipërinë. Flenckeinstein u shpreh gjithashtu se krahas miratimit të reformës është me shumë rëndësi edhe zbatimi i saj. “Nëse politikanët nuk bien dakord me njëri-tjetrin, duhen pyetur qytetarët. Pashë sot disa përfaqësues të shoqërisë civile që qëndronin para Kuvendit, duke i kërkuar deputetëve të Kuvendit që të votojnë pro. Dhe unë kam shumë simpati për këta. Mendoj se do të ishte ide e mirë që edhe Këshilli i Integrimit të jepte fjalën e vet para të mblidhet Kuvendi. I kemi diskutuar çështjet e reformës me të gjitha grupet politike në Shqipëri. I kemi diskutuar me shumë ekspertë europianë dhe të SHBA-ve e mendoj se tashmë ka ardhur koha për të vendosur. Nuk bëhet fjalë vetëm për ndryshim ligji. Dhe natyrisht do të thosha që për Shqipërinë do të ishte i rëndësishëm se nëse zbatimi i reformës do të bëhej siç duhej, ndryshimi do të ishte i madh. Ky ndryshim shpresoj të ndodhë ditën e enjte. Në Shkodër iu thashë studentëve se pas pak javësh ata do të kishin mundësi të shikonin se kush e qeveris vendin e tyre. Shpresoj që ata të jenë krenarë ditën e enjte që këtë e bën Parlamenti i Shqipërisë”, u shpreh eurodeputeti.

– Z. Fleckenstein, çfarë garancish morët sot nga takimet me Ramën, Metën dhe Bashën? Si e shihni deklaratën e z. Meta, votojmë reformën e më pas qeveri teknike e zgjedhje?
Nuk mora asnjë garanci sot. Përshtypja që m’u krijua është se ka vullnet të mirë, për të gjetur një kompromis të minutës së fundit për të gjetur zgjidhje për këtë çështje të vogël. Do ta shikojmë ditën e enjte këtë. E dëgjova me kujdes z. Meta dhe vlerësoj shumë dëshirën e tij që të gjendet një kompromis i minutës së fundit. Në Gjermani gjërat funksionojnë ndryshe, kush nuk është i kënaqur me qeverinë ata largohen dhe vendi shkon në zgjedhje. Në fakt, gjëja më e mirë është të pyesni z. Meta, pasi mesa kuptova unë ai është i gatshëm të ndihmojë në këtë proces.

– Kryetari i Kuvendit foli dje edhe për destabilitet. Këmbëngulja juaj për të kaluar reformën, është një frikë e Brukselit nga rreziku i destabilitetit? Çfarë ju shqetëson konkretisht nga propozimi i PD?
Kjo ka qenë një kërkesë e PD. Dhe tani pyetja është si do të bëhet kjo gjë në procesin e zbatimit. Ne presim të shikojmë rezultate në datën 21 korrik. Elmar Brok, kryetari i Komisionit të Jashtëm në PE, na ka kërkuar që të shkojmë në Bruksel nesër (sot) në një mbledhje të jashtëzakonshme, 2-3 ditë para votimit të Reformës në Drejtësi, për të parë se si është situata. Për pyetjen e parë është e vështirë për mua ta gjykoj. Të mos votosh Reformën në Drejtësi është një stabilitet që mua nuk më pëlqen. Ky është një stabilitet që mbështet korrupsionin dhe elementët që ne duam t’i shmangim. Në fakt, mesazhi përsa i përket Brukselit është tejet i qartë: jepeni tani, bëni përpjekjet e fundit për të arritur diçka, votoni ditën e enjte dhe çdo deputet i Kuvendit shqiptar të ndjekë ndërgjegjen e vet.

– A keni përshtypjen se politikanët shqiptarë e kanë të qartë se ç’do të thotë të mos e votojnë reformën?
Mendoj se është e qartë për ta. Ne kurrë nuk i kemi lënë gjërat të paqarta. Por tani ata do të duhet të tregojnë se çfarë mendojnë ata, cila është përgjigjja e duhur për këtë çështje. Unë mund t’iu them një gjë, që ky proces nuk është i lehtë apo i thjeshtë. Ky lloj procesi është bërë në mënyra të ndryshme në vendet balltike dhe vendet lindore të BE, edhe Shqipëria duhet të gjejë mënyrën e duhur dhe të tregojë të ecë drejt BE. Ne mund të themi që jemi të kënaqur, të pakënaqur, të zhgënjyer apo jo, por në fund të fundit ky mbetet një vendim i Kuvendit të Shqipërisë, për atë se si e shikojnë ata të ardhmen e vendit. Ju në fakt i dini fare mirë thashethemet rreth e rrotull, por ajo që dua të shoh është, të shoh votën e 140 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, se si do të jetë ajo. Të vazhdojmë të jemi optimistë deri në momentin e fundit.

– Thatë që jeni optimist. Sot ka një takim, nëse të enjten ka një votim surprizë, kundër pra, çfarë do të ndodhë më 22 korrik?
Unë do të thosha që ky do të ishte një zhgënjim i madh. Vërtet i madh, jo vetëm në Bruksel, por edhe në kryeqytetet e vendeve anëtare të BE. Është pak a shumë jo e sigurt, por nuk do të jetë e mundur çelja e negociatave për anëtarësim në BE. Dhe në fakt, pas pushimeve të verës, ne do të kemi biseda shumë të hapura me të gjithë ata që kanë qenë përgjegjës për këtë gjë. I uroj fat Shqipërisë.

Exit mobile version