Bashkë me Neshat Fanën, Adrian Leka është avokat i Fran Frrokajt, kryetarit të Bashkisë së Lezhës. Leka është pedagog në Fakultetin Juridik në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër. E veçanta është se, Leka ka qenë për 8 vjet kryetar i degës së PS në Mirditë dhe kjo nuk e ka penguar të jetë avokat i një kryebashkiaku të PD.
Ai hedh poshtë zërat se ky është një proces politik, por është i bindur që Frokaj është i pafajshëm. Leka ndërkohë nuk e lidh këtë arrestim as me darkën që kryeministri Rama pati në Lezhë dhe në të cilën ishte ftuar dhe kryebashkiaku Frrokaj. Ekskluzivisht për gazetarin Roland Qafoku në emisionin Debati në Channel one, Frrokaj dha detaje nga ky proces.
-Zoti avokat, çfarë ka ndodhur me procesin e tokave në Lezhë?
Së pari, iu falenderoj për ftesën. Jam i habitur nga disa lajme sipas të cilave kryetari ka dhënë udhëzim për punët në bashki. Kjo nuk është e vërtetë.
-Zoti avokat, si ka mundësi që i njëjti gjyqtar jep masën ok për arrestimin e kryetarit Frrokaj dhe të tjerëve, dhe masën e sigurisë “arrest me burg”, dhe pas dy ditësh i njëjti gjyqtar jep masën e sigurisë “arrest shtëpie”?
Dje është dhënë masa e sigurisë arrest shtëpie. Dje, Prokuroria ka vënë në dispozicion aktet e ekspertizës dhe aty ka patur ngutje. Sepse nuk mund të themi ne që një kryetar bashkie ka rrezik ikje. Ai është zgjedhur për të drejtuar komunitetin. Unë jam i pakënaqur nga vendimi i djeshëm.
Argumentet ishin të llojit që ne kishim vërtetime, të cilat vërtetuan sepse aty ishte një lapsus, ose një keqdashje. Unë nuk e di si mund ta quaj, sepse Bashkia nuk prodhon tapi, as me ligjin e vjetër, me ligjin e ri po. Akuza ishte për rastin e tapive dhe regjistrit kadastrial. E cila, sipas ligjeve në fuqi dhe ligjeve që kanë qenë më parë, nuk i ka në kompetencë pushteti vendor. Lind pyetja tjetër. Këtë dokumentin ku e ka marrë? Sipas Ligjit të famshëm 7501 me të cilin unë nuk jam dakord, ka pasur rregull që të prodhohej në dy kopje autentike tapia dhe poshtë tapisë shkruhet: Kjo prodhohet në dy kopje, një kopje e mban qytetari, një kopje i dorëzohet Zyrës së Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme. Nuk ndodh dhe nuk ka për të ndodhur në asnjë pushtet që të zëvendësojë zërin kadastral, sepse sot ndryshohet sipas VKM. Nuk mund ta ndryshojë askush tjetër.
-Zoti Leka, çfarë ndodhi në Lezhë. Përse pas evidentimit për “arrest shtëpie”, u vonua zbatimi i këtij vendimi?
Kjo është edhe arsyeja përse erdha pak me vonesë në emision. Unë ju falenderoj për ftesën dhe dua të them se ky është një proces i gabuar dhe pa asnjë arsye Prokuroria kërkoi arrest me burg dhe Gjykata në fillim dha ok, ndërsa me njohjen e kësaj ane, dha arrest shtëpie. Jam shumë i pakënaqur nga vendimi i djeshëm, por edhe nga vendimi i parë. Ky është një proces penal i nisur nga Prokuroria e Lezhës mbi bazën e disa denoncimeve të bëra nga disa qytetarë të ndryshëm, që janë ndjerë të mashtruar për tjetërsim të pronës. Deklarojmë se kryetari i Bashkisë Fran Frrokaj nuk ka asnjë lidhje me këtë proces dhe nuk ka asnjë përgjegjësi. Është zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme që ka kryer veprime dhe shkelje të ligjit dhe më pas ka tentuar t’ia ngecë Bashkisë. Kjo është e papranueshme. Sa për veprimet e punonjësve të Bashkisë, ato janë individuale dhe përgjegjësia është po individuale. Nuk mban përgjegjësi Fran Frrokaj për përgjegjësitë e të tjerëve. Unë ju njoftoj se nesër do depozitoj në Gjykatën e Apelit të Shkodrës kërkesën për ndryshimin e masës së sigurisë për Fran Frrokaj dhe jam i bindur se ai do lirohet.
-Zoti avokat, a është ky një proces politik, siç kanë thënë disa eksponentë të Partisë Demokratike, meqenëse Frrokaj është kryebashkiak i caktuar nga PD?
Unë nuk bëj deklarata politike dhe them se ky nuk është një proces politik. E thashë edhe më lart, që është Hipoteka ajo që ka bërë veprime për t’ia ngecur Bashkisë, e cila nuk ka asnjë përgjegjësi dhe detyrim.
-Po vendimi i djeshëm a u ndikua nga protesta e banorëve?
Jo, nuk besoj në këtë. Ata janë disa banorë të Lezhës, që e quajnë të padrejtë arrestimin e kryetarit. Unë e them me bindje që Frrokaj është i pafajshëm dhe nuk ka të bëjë me këtë çështje.
-Si funksionon aktualisht Bashkia e Lezhës? A ka të drejtë kryetari Frrokaj të ushtrojë detyrën, të hedhë firmë apo të japë udhëzime?
Aktualisht Bashkia ka struktura dhe persona të tjerë që drejtojnë dhe funksionojnë. Ka nënkryetarë që bëjnë punën e kryetarit. Derisa nuk kemi një vendim të formës së prerë të fajësisë apo të pafajësisë, nuk mund të firmosë. Kjo ndodh vetën nëse do të ketë një ndryshim të masës së sigurisë.
-Zoti Leka, përse pikërisht Lezha u bë targeti i drejtësisë, duke arrestuar dhe kryetarin e Bashkisë?
Kjo, sepse Lezha është një lloj epiqendre e Veriut. Lezha ka edhe fushën, edhe malin. Ka edhe detin.