Mjeku stomatologArbër Stefa, ka folur për mediat, një ditë pas lirimit të tij nga Gjykata, pasi u arrestua nga ana e policisë, me pretendimin se kishte dalë nga shtëpia për të blerë bukë, pa marrë leje. Ai tregon se kishte marrë leje për dy orë, por duke qenë se afati kishte kaluar, ishte i detyruar që të dilte deri te furra e bukës, pasi jeton me prindërit pensionist.
Stefa tregon se policët i janë afruar në mënyrë të shpejtë, dhe i kanë thënë se me kartën e stomatologut, mund të fshinte b*thën pasi nuk i hynte në punë. Mjeku shprehet se kjo ngjarje i ka shtuar mendimet për tu larguar nga Shqipëria, ndërsa shton se i kanë sekuestruar telefonin.
“Më arrestuan si një kriminel, vetëm se kisha dalë për të blerë dy bukë, se jetoj me prindërit që janë pensionistë dhe ata nuk i lejojnë. Kam shkuar te furri i bukës dhe kam blerë dy bukë, dy policët më janë afruar dhe iu kërkova që të mbanin distancën.
Iu thashë që leja më kishte mbaruar dhe iu tregova kartën e mjekut, polici që ishte më i ri në moshë, më tha që me atë kartë fshi b****. E pyeta a je polic apo çfarë je, ndërkohë që më kanë shoqëruar me dhunë për te makina. Edhe në komisariat më kanë qëlluar në fytyrë, nuk më kanë dhënë leje as të bëja një telefonatë që është në të drejtën tim”, shprehet Stefa.