Banorët e “Astirit” kanë dalë sërish mbrëmjen e sotme në protestë, teksa kërkojnë dëmshpërblim 100% për pronat e tyre si dhe lirimin e të arrestuarve të ditës së djeshme pas protestës së dhunshme përballë Kuvendit.
Për mikrofonin e Fax News, foli edhe nëna e 17-vjeçarit, videoja e arrestimit tij bëri xhiron e rrjetit, pasi 5 policë e dhunonin.
Ajo teksa pyeti kryeministrin se si ndihet tani që djali i saj është i arrestuar dhe nën moshë, ndërsa moshatarët e tij janë në bankat e shkollës, paralajmëroi se ata që e kanë dhunuar të birin nën moshë do të përgjigjen.
Më tej ajo u shpreh se 17-vjeçari është dhunuar edhe në ambientet e komisariatit të policisë pas arrestimit.
“Është dhunuar brenda në komisariat. Unë kam disa pyetje për Edi Ramën. A është i gëzuar sot që djali im 17-vjeçar është i arrestuar dhe të gjithë shokët e tij janë në bankat e shkollës?
A janë të gëzuar të gjithë këta për djalin tim. Unë ia lë në dorë drejtësisë.
Djali im akuzohet për hiç gjë, ai ka dalë në protestë është arrestuar politikisht.
Do të vije një ditë që do të përgjigjen për dhunën ndaj djalit tim si në komisariat ashtu edhe në protestë.
Hë për hë do ua lë organeve kompetente, do të vijë edhe dita jonë”, tha nëna e të arrestuarit.
Ndërkohë në protestë sot krahas thirrjeve për lirimin e të arrestuarve, u është bërë apel emigrantëve që të mos vijnë prë të investuar në Shqipëri, pasi do të vidhen. “Qeveri hajdute”, ishte një nga thirrjet e mbrëmjes së sotme.