Mbajtja e homazheve në kujtim të 4 viktimave të 21 janarit 2011 ku morën pjesë politikanë të të majtës, familjarë të viktimave u shoqërua edhe me një incident pasi Pal Shkambi i cili iu drejtua Kryeministrit me fjalët: “Mos bëni homazhe njerëzve që i vratë vetë, ti je antishqiptar”.
I ftuar në studion e Televizionit Fax News, Shkambi tha se Rama i kishte thënë “mos fol” dhe kjo bëri që të ndërhynte garda e më pas punonjësit e policisë.
“Forcat e policisë më ndaluan, unë nuk rezistova sepse kam qenë vetë punonjës policisë. Kam ndejt për 5 orë në ambjentet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Ata thirrën gardën por ajo refuzoj të më akuzonte sepse nuk kishte arsye për ta bërë. Kam mbaruar dy fakultete dhe tani jam student i masterit në Shkodër. E kam përfunduar shkollën por nuk jam diplomuar për shkak të një përplasjeje me pedagogët pasi më kanë kritikuar temën. Sot ndodhem rrugëve dhe pa asnjë përgjigje, isha në listën e anëtarëve të komisionit të vettingut. Nuk kam marrë asnjë pagesë për punën që kam bërë. Kam dërguar 50 ankesa në Parlament dhe vetëm 3 përgjigje kam marrë të cilat nuk më kanë ofruar ndonjë zgjidhje”, u shpreh Shkambi.
Ndër të tjera Shkambi u shpreh se, ka qenë themelues dhe drejtues i Partisë Popullore Kristian-Demokrate Shqiptare.