Flet studenti që u dhunua nga Lëvizja për Universitetin: Nëse mendojnë se më kanë trembur i gënjen mendja…

Andi Varrosi, studenti i dhunuar sot nga pjesëtarë të asaj që njihet si Lëvizja për Universitetin, ka reaguar lidhur me incidentin, madje duke treguar detaje.

Varrosi është një nga drejtuesit e Lëvizjes Studentore të dhjetorit të vitit të kaluar, ndërsa sot u sulmua nga 10-15 anëtarë të Lëvizjes së Universitetit.

“Sot një grup aktivistësh të Lëvizjes për Universitetin kishin organizuar një tryeze diskutimi në Fakultetin Ekonomik. Arsyeja teorike për thirrjen e tryezës ishte të diskutohej për problematika të studentëve, por në fakt diskutimi u sos duke bërë propagandë.

Fakt i pakundërshtueshem është që në sallë janë futur pa leje formale nga fakulteti.

Gjatë diskutimit pati replika nga ana ime për mënyren sesi po shtrohej problemi i studenteve dhe vetëm për replikat që i bëra pa ofenduar askënd, por thjesht duke shprehur mendimin tim, vandalet e Lëvizjes më kapën në befasi kur unë po largohesha dhe më goditën diku afër vilës Gjuta.

Ishin rreth 10-15 veta nga ata kundër 1 individi. Nuk po shkruaj për t’u viktimizuar sepse s’e kam në natyrë, kjo është natyra e tyre (tek faqja e tyre thonë që i rrafëm ne), por për t’ju treguar se kush janë në të vërtetë ata që “u çanë” duke folur për arsimin.

Personat që më goditen sigurisht i kam evidentuar dhe shumë shpejt do mbajnë përgjegjësitë e duhura. Nëse mendojnë se më kanë trembur i gënjen mendja”, thotë Varrosi.

Në vijim ai paralajmëron se Lëvizja për Universitetin mund të futet në Ekonomik vetem nëse Varrosi do jetë i vdekur.

“Kjo nuk është një deklaratë personale emocionale, por një deklaratë që unë e bëj në mbrojtje të integritetit të Fakultetit ku unë studioj”, shkruan Varrosi në rrjet.

varrosi2

Exit mobile version