Prokuroria e Krimeve të Rënda ka lëshuar urdhër arresti që në muajin maj për Klement Balilin, por policia nuk e arrestoi. Burime nga Prokuroria bënë të ditur se, “urdhër-arresti ndërkombëtar për Klement Balilin, i lëshuar në maj të këtij viti detyronte policinë të arrestonte të kërkuarin, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur”. Edhe ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani deklaroi pak ditë më parë se, policia duhej ta kishte arrestuar që në maj Kelment Balilin, për të cilin kishte një urdhër arresti për trafik ndërkombëtar droge. Policia jo vetëm që nuk e arrestoi, por Ministria e Brendshme e mori në mbrojtje Balilin, duke përgënjeshtruar lajmet e mediave se ai ishte kreu i një organizate kriminale të trafikut ndërkombëtar të drogës.
Në fillim të majit, Policia greke në bashkëpunim me DEA-n amerikane kreu një operacion masiv, duke konfiskuar më shumë se 1 ton marijuanë dhe duke arrestuar një numër të konsiderueshëm trafikantësh si pjesë e një hetimi ndërkombëtar të shtrirë në shumë vende. Media greke raportoi atëhere se kreu i organizatës kriminale ishte një zyrtar shqiptar, drejtor në Drejtorinë e Shërbimeve të Transportit Rrugor në Sarandë, por ky rezultonte figurë tepër e fuqishme për t’u arrestuar për shkak të lidhjeve të tij me qeverinë shqiptare. Autoritetet shqiptare heshtën, duke mos marrë asnjë masë për arrestimin e Balilit, ndonëse ai ishte në detyrë si drejtor i Transportit Rrugor në Sarandë. Jo vetëm kaq, por Ministria e Brendshme u përpoq të mbrojë veten, duke përgënjeshtruar lajmet e medias greke dhe duke argumentuar se kishte bashkëpunuar me operacionin ndërkombëtar, por sërish heshti në lidhje me Balilin. Përgjatë të gjithë ditës së 11 majit, ndërsa media greke raportonte mosveprimin e autoriteteve shqiptare për arrestimin e tij, ndërsa këto të fundit heshtnin, vetë Balili u shfaq në media duke deklaruar se është “i pafajshëm”, dhe se po “sulmohej politikisht”.
Pas këtyre deklarateve, mediat publikuan dokumentat e policisë greke, në të cilat Klement Balili, i njohur si “Eskobari i Ballkanit” rezultonte person i shpallur në kërkim, si financues dhe organizues i trafikut të drogës në sasi të mëdha. Sipas dokumenteve, sasi të mëdha marijuane niseshin nga zona e Sarandës në Shqipëri me det për mbi 100 kilometra deri në gjirin e Korinthit në Greqinë qendrore, nga ku dërgoheshin në vendet e Bashkimit Europian, duke përdorur kompani false transporti. Në Belgjikë, autoritetet zbuluan hallkën belge të drejtuar nga një shqiptar, i dyshuar dhe hetuar pa sukses më herët nga Prokuroria shqiptare për pastrim parash.
Prokuroria, procedim që në shkurt për Balilin
Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë, në shkurt të këtij viti kishte regjistruar një procedim penal për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike ndaj Klement Balilit, që në atë kohë mbante detyrën e drejtorit të Transportit Rrugor në Sarandë. Hetimi kishte nisur nga informacione të siguruara nga agjencitë shqiptare të zbatimit të ligjit dhe ishte i pavarur nga hetimi që po kryenin autoritetet greke të asistuara nga zyra e DEA-s amerikane në Athinë. Gjatë kësaj kohe, Prokuroria kishte siguruar dy numra telefoni që dyshohet se përdoreshin nga Balili, një numër shqiptar dhe një grek që funksiononte në territorin shqiptar me anë të shërbimit “roaming”.
Po ashtu gjatë kësaj kohe i dyshuari është mbajtur në vëzhgim, dhe ai është parë shpesh në shoqërinë e politikanëve të rëndësishëm. Kjo situatë mësohet se ka vijuar deri në muajin maj të këtij viti, kur autoritetet greke sekuestruan një ngarkesë me mbi 700 kg kanabis dhe arrestuan 15 persona, ndërsa u lëshua një urdhër-arresti ndërkombëtar edhe për Klement Balilin, i cili ishte ende në detyrën e drejtorit të Transportit Rrugor.
Në kohë rekord, Interpol Athina sinjalizoi selinë qendrore të Interpolit në Lion të Francës, i cili shpërndau urdhër-arrestin në të gjitha njësitë e Interpolit, përfshi edhe Tiranën. Interpol Tirana, pasi është vënë në dijeni ka njoftuar Ministrinë e Drejtësisë dhe Prokurorinë e Përgjithshme.
Po ashtu, Interpol Tirana ua ka përcjellë urdhër-arrestin të gjitha njësive të policisë vendore, të cilat kanë detyrimin të ekzekutojnë këtë urdhër-arresti, ose së paku të lokalizojnë vendndodhjen e të kërkuarit. Policia është e detyruar të kryejë ekzekutimin e tij dhe të njoftojë prokurorin, por nuk ndërmori asnjë veprim për arrestimin e Balilit.
Aktualisht, prokurorët e Task Forcës pranë Krimeve të Rënda po identifikojnë pasuritë e Klement Balilit dhe llogaritë e tij bankare për t’ju drejtuar më pas Gjykatës me kërkesën për sekuestro konservative deri në përfundim të hetimeve ndaj tij. Klement Balili është pronar i kompleksit turistik “Santa Quaranta”. Ky kompleks është ndër më luksozët dhe më modernët në bregdetin e Sarandës dhe më gjerë. Balili, ndërkohë është edhe pronar i hotel “Olivias” në bregdetin e Butrintit, një ndër hotelet më të njohura të zonës. Po ashtu është pronar i hotel “Butrinti” në Sarandë. Së bashku me vëllezërit e tij, Klement Balili është pronar i shoqërisë së sigurisë private “Balili shpk”, e cila operon në Qarkun e Vlorës. Bëhet e ditur se, Balili zotëron edhe prona të paluajtshme si, apartamente dhe truall toke. Klement Balili ishte emëruar drejtor i Transportit në qytetin bregdetar të Sarandë, ndonëse në 2006, ishte arrestuar nga Policia e Shtetit në kuadër të një aksioni antidrogë. Balili akuzohet zyrtarisht për veprën penale, trafikim të lëndëve narkotike në vendet e BE-së së bashku edhe me disa persona të tjerë shqiptarë të arrestuar më herët.
Prokurori amerikan në zyrën e Llallës për arrestimin e Balilit
Prokurori shqiptaro-amerikan, Gjon Juncaj ka shkuar dje që herët në mëngjes në zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla për mosarrestimin e trafikantit të shumëkërkuar Kelment Balili. Nuk ka një njoftim zyrtar për takimin mes tyre, por biseda është fokusuar në procedurat për lëshimin e urdhrit të arrestit ndaj Balilit. Për më shumë se një orë e dhjetë minuta, prokurori Junçaj, ka biseduar me kryeprokurorin Adriatik Llalla dhe drejtues të tjerë më të rëndësishëm në prokurori, për çështjen Balili.
Një ditë më parë, ambasadori amerikan Donald Lu, kritikoi ashpër policinë duke thënë se, ka dështuar për arrestimin e “Eskobarit të Ballkanit”. Ambasadori amerikan në Tiranë deklaroi të mërkurën se kishte kërkuar prej 7 muajsh arrestimin e “Eskobarit të Ballkanit”, Klement Balili, por askush nuk e ka arrestuar. Kjo për ambasadorin nënkupton dështimin më të madh të policisë dhe gjithë sistemit të drejtësisë.
Sekuestrohet dokumentacioni i “Santa Quaranta”
Me urdhër të Prokurorisë, policia ka sekuestruar dje dokumentacionin e pronësisë së restorit luksoz turistik “Santa Quaranta”, në pronësi të Klement Balilit. Ky veprim është ndërmarrë nga Prokuroria si pjesë e një hetimi të nisur për pastrim parash për të ashtuquajturin “Eskobari i Ballkanit”, i shpallur në kërkim për trafik ndërkombëtar droge. Sipas Prokurorisë, dyshohet se kjo pasuri dhe të tjera në pronësi te 44-vjeçarit nga Saranda janë vënë me para të ardhura nga aktivitete kriminale.
Pas urdhrit të arrestit të lëshuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, Klement Balili është në kërkim, por duket se policia nuk ka qenë e impenjuar për arrestimin e tij. Në maj të këtij viti autoritetet greke, pas një hetimi të përbashkët me DEA-n amerikane e përmendën emrin e tij si drejtuesin kryesor të një rrjeti të gjerë të trafikut të marijuanës nga Shqipëria në Greqi e disa vende të tjera të Bashkimit Europian.
Dekonspirimi, “Thuaji të ikë, se po vijnë krushqit”
Një bisedë telefonike mes familjarëve të Klement Balilit e përgjuar nga Prokuroria ka zbuluar dekonspirimin e operacionit për arrestimin e “Eskobari i Ballkanit”. Burime nga Prokuroria bënë të ditur se, telefonata është kryer në orën 02:00 të mëngjesit të datës 10 dhjetor, në kohën kur Forcat Speciale kishin në duar urdhër-arrestin nga Prokuroria dhe ishin nisur drejt Sarandës për të vënë në pranga Balilin.
“Alo, thuaj të ikë, po vijnë krushqit”, dëgjohet një prej pjesëtarëve të familjes së Balilit, të informojë të afërmit e tjerë, të cilët nga lokalizimi i telefonit rezulton se në momentet e kryerjes së telefonatës ndodheshin në banesën e tyre.
I paqartë për Prokurorinë mbetet fakti se kush e informoi të afërmin e Balilit që policia ishte nisur në drejtim të Sarandës. Dyshimet bien mbi punonjësit e Policisë së Sarandës, të cilët mbështetën në operacion Forcat Speciale që udhëtuan nga Tirana.
Ministri Manjani heq përgjegjësitë për mos arrestimin e Balilit
Një ditë pas deklaratës së ambasadorit Donald Lu, i cili e quajti dështim të policisë dhe drejtësisë mos arrestimin e Klement Balilit, ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka reaguar dje duke kërkuar të mos barazohen përgjegjësitë. “Mostrajtimi apo trajtimi i gabuar i kësaj çështje nuk mund t’i barazojë institucionet e shtetit në përgjegjësi dhe as të luhet “ping-pongu” i radhës”, thotë Manjani duke nënvizuar: “Ligji shqiptar përcakton qartë se kush arreston, kush ndalon, kush akuzon dhe kush dënon persona të përfshirë në shkeljet e ligjit”.
Duke mbështetur plotësisht shqetësimin e shprehur ditën e djeshme nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Donald Lu në lidhje me mos arrestimin e shtetasit Klement Balilit, Manjani bën të qartë detyrën e tij dhe nënvizon se është kryer sipas rregullave.
“Ministri i Drejtësisë vetëm ndihmon me transmetim letër- porosish dhe/ose përkthim zyrtar të dosjeve. Këtë detyrë e kemi bërë në kohë rekord. Kush ka kuriozitet mund të vijë më pranë institucionit t’i verifikojë, sipas rregullave të informacionit të klasifikuar”, vazhdon më tej ai.
Duke nënvizuar se ligji shqiptar përcakton qartë se kush arreston, kush ndalon, kush akuzon dhe kush dënon persona të përfshirë në shkeljet e ligjit Manjani thotë: “Ping-pongun e përgjegjësive e kam denoncuar gjithnjë si të keqen më të madhe që ka sot sistemi. Prandaj askush të mos fshihet pas alibive të sajuara, por të marrë përgjegjësitë që i jep ligji dhe t’i ushtrojë”.
R.POLISI