Flojera Davidhi – gjyqtare e ‘fjalës së lirë’ apo ‘e kapur nga Edi Rama’?

Nga Namir Lapardhaja

“Flojera Davidhi, kjo gjyqtare e fjalës së lirë, kjo juriste e shkëlqyer, kjo magjistrate e pa kapur nga Edi Rama dhe Sorosi, mori sot vendimin e duhur.” – Këto do jenë fjalët e Sali Berishës sot ndaj gjyqtares së GJKKO-së që revokoi masën e “arrestit shtëpiak” ndaj tij.

Sigurisht, po të jepte një vendim tjetër fjalia e mësipërme do të ishte ndryshe: “Flojera Davidhi, kjo gjyqtare e korruptuar, e kapur nga bandat, kjo që nuk ka njohuri të mjaftueshme juridike, kjo shërbëtore e Edi Ramës dhe e Gjokës së krimit.”

Janë dy fjali që ata që e kanë pranuar këtë sjellje poshtëruese dhe inkoherente ndaj çdo gjëje të Berishës, sigurisht që do ta pranonin.

Gjithsesi, demokratëve që ndjekin dhe besojnë Berishën, u duhet të ngrejnë një pyetje: është apo nuk është drejtësia në shërbim të Edi Ramës, duke qenë se pas amnistisë penale dhe mbylljes së listave ka disa vendime njëri pas tjetrin që janë dhënë në favor të Berishës, duke filluar nga dhënia e vulës së PD-së dhe duke ardhur te ky vendim i ditës së sotme i GJKKO-së?

Nëse drejtësia është siç thotë Berisha, atëherë të gjitha këto vendime i ka dhënë Edi Rama dhe i interesojnë atij. Nëse nuk është siç thotë Berisha, atëherë ka nevojë për një rizgjim dhe një hedhje tej të ‘magjisë’ që Berisha u ka bërë këtyre njerëzve që e ndjekin me gojë hapur.

Pavarësisht të gjithave, masa e arrestit shtëpiak për Berishën, pas shkuarjes së dosjes së tij për gjykim në gjykatë, ishte disproporcionale dhe sigurisht që duhet të binte.

Pas vendimit të sotëm, Berisha së bashku me të gjithë argatët mediatikë duhet t’i kërkojnë falje për sulmet e turpshme gjyqtares Flojera Davidhi, të cilën e linçuan, e fyen dhe e paragjykuan sapo emri i saj doli në këtë çështje.

Vendimi i sotëm rrëzon edhe alibinë Berishës dhe të militantëve të tij për zgjedhjet e radhës. Kryetarin e kanë jashtë, bandat e pushtetit po i godet përditë SPAK. Fusha e lojës është për ta. Le ta fitojnë!

Exit mobile version