Disa luftanije të Marinës ruse janë parë në afërsi të ujërave territoriale të Britanisë së Madhe.
“Bëhet fjalë për aeroplanmbajtësen e vetme që ka Rusia, ‘Admiral Kuznetsov’ dhe kryqëzorin bërthamor ‘Pjetri i Madh’, të shoqëruar me 4 luftanije të tjera më të vogla”, raporton “The Daily Mail”.
Sipas medias britanike, skuadrilja shoqërohet edhe nga një nëndetëse ruse. Flota norvegjeze ka ndjekur lëvizjet e Marinës ruse në afërsi të arkipelagut Shetland, në veri të Skocisë, ndërsa ka raportuar se anijet janë nisur në drejtim të ngushticës së Doverit ndërmjet Anglisë dhe Francës.
Në afërsi ndodhet edhe fregata britanike “HMS Richmond”, ndërsa 3 luftanije të tjera britanike janë në afërsi të Doverit. Lëvizjet e flotës ruse janë filmuar nga një avion spiun “P-3” të mbikëqyrjes detare. 6 luftanije të NATO-s po drejtohen për në këto ujëra, për të mbajtur nën mbikëqyrje flotiljen ruse që duket se ka dalë larg territorit të vet për të kryer manovra që përfshijnë edhe përdorimin e avionëve bombardues dhe helikopterëve.
Në këto ujëra ndodhet aktualisht edhe një nëndetëse holandeze.
Dy korveta të tjera ruse kanë dalë në lundrim në afërsi të brigjeve të Portugalisë me urdhër të Presidentit Putin për të tërhequr vëmendjen në një tjetër front dhe janë nisur drejt Veriut, ndoshta për t’u bashkuar me skuadriljen e udhëhequr nga aeroplanmbajtësja “Admiral Kuznetsov”.
Destrojeri “HMS Duncan”, më i avancuari në botë për mbrojtjen kundërajrore, është nisur me urgjencë mbrëmë nga porti ushtarak i Portsmouth-it në Angli për t’u bashkuar me fregatën “HMS Richmond” që po mbikëqyr lëvizjet e flotës ruse.
Kryeministrja britanike, Theresa May ka dënuar vendimin e Rusisë për të dërguar aeroplanmbajtësen në afërsi të ujërave britanike. Ajo e ka konsideruar këtë gjest si një “agresion rus”.
Ndërsa sekretari i Mbrojtjes, Michael Fallon, duke shprehur hapur shenja të përshkallëzimit të tensioneve me Rusinë, lëshoi një paralajmërim për Moskën: Kur këto anije të jenë pranë ujërave tona, ne do t’i mbajmë në shënjestër në çdo moment. Ne do të mbajmë angazhimin për një Britani të sigurt”. Kalimi i flotës ruse në Detin e Veriut ka ngritur në gatishmëri luftarake flotat ushtarako-detare të Norvegjisë, Suedisë, Holandës dhe Finlandës.
Në alarm janë ngritur edhe bazat e furnizimit me karburant të avionëve që janë impenjuar në operacionet e patrullimit, si dhe bazat ajrore britanike në Skoci dhe në brigjet lindore. Edhe vetë misioni i skuadriljes ruse përbën një shqetësim më vete, pasi besohet se luftanijet ruse janë drejtuar në Mesdhe për të përforcuar sulmet ajrore kundër kundërshtarëve të Presidentit të Sirisë, Basar al-Assad.
Kundërshtarët e tij janë të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Destrojeri amerikan “USS Carney” është furnizuar me karburant në Spanjë dhe është drejtuar në Mesdheun Lindor për të përforcuar kontigjentin e luftanijeve të NATO-s në këtë zonë.