Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” është lënë pas nga ai i Prishtinës dhe i Shkupit, sa i përket ritmit të rritjes të numrit të pasagjerëve që udhëtuan më 2016-ën krahasuar me vitin paraardhës. Sipas të dhënave të EX-Yu avitation, numri i udhëtarëve që preferuan të fluturonin nga aeroporti i Rinasit në Tiranë u rrit me rreth 11% më 2016-ën krahasuar me 2015-ën. Në total numri i pasagjerëve gjatë vitit të kaluar arriti në rreth 2.1 milionë.
Për po të njëjtën periudhë nga aeroporti ndërkombëtar “Adem Jashari” udhëtuan rreth 12.5% më shumë, ndërsa nga ai i Podgoricës në Mal të Zi rreth 16.6%, ndërsa nga i Shkupit rreth 13.5% më shumë.
Edhe pse aeroporti ndërkombëtar i Tiranës realizon një përpunim më të madh në numër pasagjerësh se aeroportet e mësipërme, ritmi i rritjes nuk ka qenë i njëjtë. Shkak është mungesa e linjave ajrore me kosto të ulët, që në vendin tonë mungojnë. Pritet që në datë 4 prill të këtij viti Wizz Air të nisë fluturimet e para direkte me Budapestin, në Hungari.
Ndërkohë aeroportet e shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor prej kohësh iu gëzohen flukseve të larta që realizohen përmes këtyre shoqërive që ofrojnë çmime biletash të leverdisshme.
Sipas të dhënave të EX-Yu aviation të gjithë aeroportet e Ballkanit Perëndimor shënuan rritje të pasagjerëve në vitin 2016, përjashtim bën aeroporti i Lubjanës, i cili pati një rënie prej 2.33%.
Aeroporti i Dubrovnikut ka shënuar rritjen më të madhe mes aeroporteve më të mëdha me rreth 17.7%.
Për herë të parë më shumë se tri aeroporte shënuan rritje të numrit të pasagjerëve në më shumë se 2 milionë.
Aeroporti i Beogradit “Nikola Tesla” ishte ndër më të zënët gjatë vitit 2016.
Në anën tjetër aeroporti i Podgoricës tejkaloi konkurrentin tradicional që është Sarajeva, duke rimarrë vendin e 9-të pas tre vitesh.
Aeroporti i Shkupit “Aleksandri i Madh” regjistroi gjithashtu një numër rekord pasagjerësh gjatë vitit 2016 me 1.649.376.