Fluturojnë kostot e rrugëve/ Qeveria shton me 260 mln euro faturën për Tiranë-Durrës, Tiranë-Ndroq-Plepa dhe Bypass-in e Elbasanit

Klodian Tomorri

Përmes një vendimi të beftë, qeveria ka miratuar tre ditë më parë një rritje të ndjeshme të kostove për akset kryesore të vendit, të cilat janë në proces ndërtimi apo do të tenderohen së shpejti.

Vendimi i Këshillit të Ministrave i miratuar në datën 12 gusht ndryshon Listën Unike të Projekteve me Rëndësi Kombëtare, e cila ishte miratuar vetëm 5 muaj më parë, në mars të këtij viti

Kapitali publikon dokumentat ekskluzivë që tregojnë se vetëm për tre akse kryesore, kostoja është shtuar me 260 milionë euro krahasuar me vlerën e 5 muajve më parë. Bëhet fjalë për zgjerimin e rrugës Tiranë-Durrës, ndërtimin e rrugës së vjetër të Ndroqit si dhe bypassin e Elbasanit.

Rritja
Sipas dokumentave, në listën e miratuar në mars të këtij viti, kosto totale për zgjerimin e rrugës Tiranë Durrës ishte caktuar sipas projektit në 205 milionë euro. Por me listën e ndryshuar tre ditë më parë, fatura e kësaj rruge është rritur në 298.8 milionë euro ose 45.4 për qind më shumë.

Rritja është shumë më e rëndë në dy projektet e tjera. Për ndërtimin e rrugës së vjetër Tiranë-Ndroq-Plepa në listën e miratuar 5 muaj më parë kostoja totale ishte parashikuar 39.8 milionë euro. Por me listën e miratuar tre ditë më parë fatura që do të paguajnë qytetarët për ndërtimin e kësaj rruge është rritur në 87 milionë euro ose gati 2.2 herë.

kosto e rrugeve

Dyfishim ka edhe për faturën e Bypassit të Elbasanit. Ky projekt ishte përcaktuar të kushtonte 120 milionë euro. Por me vendimin e fundit qeveria e ka dyfishuar koston e kësaj vepre në 240 milionë euro.

Vetëm për këto tre projekte, qytetarët shqiptarë do të paguajnë 260 milionë euro më shumë nga sa ishte përcaktuar. Sipas qeverisë, arsyeja se pse është rritur kaq rëndë kostoja lidhet me rritjen e çmimeve të materialeve, pasi projektet e tyre janë bërë vite më parë.

Po kështu në listën e re është futur edhe një projekt i ri, i cili nuk ka qenë pjesë e listës ekzistuese të projekteve me rëndësi kombëtare. Bëhet fjalë për aksin Elbasan-lekaj, i cili do të kushtojë 360 milionë euro.

Para kostove, fluturuan kokat
Ndryshimi i listës së projekteve me rëndësi kombëtare ishte arsyeja kryesore e ndryshimeve në qeveri pak ditë më parë. Kapitali ka mësuar se ministria e Financave kishte hezituar të pranonte rritjen arbitrare të kostove duke kërkuar që të ribëhej studimi i fizibilitetit për veprat. Kjo pasi rritja e kostove mund t’i nxirrte disa prej projekteve jo fizibël.

Por në vend të ribërjes së studimeve të fizibilitetit, Edi Rama e zgjidhi ndryshe duke ndryshuar ministrin e Financave. Ervin Mete u largua për t’i lënë vendin Petrit Malajt, një ndryshim ky që ka zhbllokuar menjëherë rritjen e kostove. Zoti Malaj nuk ka patur të njëjtat hezitime si paraardhësi i tij dhe e ka firmosur menjëherë listën e re me rritjen e ndjeshme të kostove për këto rrugë.

Por veç ministrit të Financave, një tjetër kokë që fluturoi për shkak të listës së projekteve me rëndësi kombëtare ishte dhe ajo e kreut të SASPAC. Edhe Jona Suli ish drejtoresha e institucionit që koordinon projektet me financim të huaj, ka patur rezerva për rritjen e kostove. Por edhe ky ngërç u zgjidh duke emëruar në vendin e saj Eridana Çanon, e cila më parë ka mbajtur postin e drejtoreshës së Agjencisë për Mirëqeverisjen.

Artikulli paraprakSi të mbroni zemrën nga kolesteroli, niveli i duhur dhe si ta mbani në kontroll
Artikulli tjetërAnaliza e The Guardian: A ka ende Putin fuqinë për t’iu përgjigjur pushtimit të Ukrainës?