FMM jep aplarmin: Ekonomia e rrezikuar, borxhi publik më i larti në rajon, 77%

Ngadalësimi i rritjes ekonomike, zhvlerësimi i monedhës vendase dhe rritja e interesave janë disa nga rreziqet e borxhit…
Përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar në një takim me studentë të Fakultetit Ekonomik kanë diskutuar në një seminar të hapur lidhur me zhvillimet dhe risqet e sektorit fiskal dhe atij të jashtëm, si dhe risqet ndaj rritjes ekonomike.
Temat e prezantuara nga përfaqësuesit e FMN-së në Shqipëri kishin të bënin me “Zhvillimet në Sektorin Fiskal në Shqipëri”, të prezantuar nga Svetlana Cerovic, “Vlerësimi i Sektorit të Jashtëm”, të prezantuar nga Atticus Ëeller; “Risku ndaj rritjes dhe ndikimet e mjedisit ndërkombëtar në Shqipëri” nga Romain Lafarguette; dhe një prezantim mbi “Eksperienca e PPP-ve në botë” nga Armine Khachatryan.
Gjatë prezantimit të saj mbi zhvillimet në sektorin fiskal në Shqipëri, Kreu i misionit, Znj. Svetlana Cerovic tha se pas krizës në vitin 2013 u ndërmorën rregullime fiskale për të ngushtuar deficitin, por këtë vit ata presin që deficiti buxhetor të jetë në të njëjtin nivel si një vit më parë. Në fund të secilit prezantim, studentët e Fakultetit Ekonomik patën mundësinë që t’i drejtonin pyetje përfaqësuesve të FMN-së. Një prej studentëve pjesëmarrës pyeti kreun e misionit, zonjën Cerovic mbi rekomandimet e FMN-së për sistemin fiskal në Shqipëri dhe mënyrat për të luftuar korrupsionin. Cerovic shtoi se për të shmangur fenomene si korrupsioni duhet të mënjanohen përjashtimet fiskale, ndërsa sistemi fiskal duhet bërë me e thjeshtë.
Gjatë prezantimit të saj Svetlana Cerovic u ndal edhe tek borxhi publik, ku theksoi se Shqipëria është ndër vendet me borxhin më të lartë në rajon.. Ekspertët e FMN-së përmendën se rënia e borxhit i atribuohet zhvillimeve në kursin e këmbimit.
Borxhi publik është i ekspozuar nga një sërë faktorësh me risk, të cilët në një të ardhme mund të ndikojnë në rritjen e nivelit të tij. Ekspertët e FMN-së vlerësuan disa prej risqeve që mund të ndikojnë në nivelin e borxhit publik. Së pari, është rritja ekonomike.

Në rast se në dy vitet e ardhshme rritja ekonomike nuk do të jetë kaq e fortë, borxhi publik do të rritej. Së dyti, ekspertët vlerësuan risqet nga zhvillimet në kursin e këmbimit dhe së treti ndryshimi që mund të pësojnë normat e interesit. Në rastin më të keq, ku këto tre elemente mund të bëhen bashkë, skenari pesimist është që, pas dy vitesh niveli borxhit në Shqipëri mund të jetë rreth 77% e Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Edhe zhvillimet e kursin e këmbimit përbëjnë një risk për borxhin, në rast të një forcimi të mundshëm të valutës, teksa Shqipëria e ka rritur peshën e borxhit në monedhë të huaj.
Ndërsa pyetjes së studentëve për sa i përket ndikimit të ndërhyrjes së Bankës së Shqipërisë në kursin e këmbimit në vend, ekspertët e FMN-së thanë se kjo ndërhyrje ishte e justifikuar duke qenë se tregu i këmbimit në vend nuk po funksiononte normalisht.
Ekspertët e FMN-së u ndalën edhe te niveli i shpenzimeve publike në vend, ku theksuan se krahasuar me rajonin shpenzimet për sektorët si shëndetësi, arsimi dhe mbrojtja sociale janë më të ulëta. Për sa i përket shpenzimeve kapitale (investimeve) kanë qenë të larta, por cilësia e ulët.
Për sa i përket detyrimeve të prapambetura, niveli i tyre në 2013-14 ishte sa 5% e PBB-së, ndërsa ekspertët e Fondit thanë se në 2017-n vihet re një rritje e këtyre detyrimeve.
Një tjetër prezantim ishte edhe “Risku ndaj rritjes dhe ndikimet e mjedisit ndërkombëtar në Shqipëri” nga Romain Lafarguette.

Gjatë prezantimit të tij zoti Lafarguette listoi disa prej risqeve. Së pari Shqipëria është një ekonomi e vogël e hapur dhe mbështetet në shkëmbimet tregtare me vendet partnere dhe remitancat. Së dyti Shqipëria ka një nivel të lartë të euroizimit, më të lartin në krahasim me rajonin, dhe të borxhit të jashtëm dhe prej kësaj është shumë e ekspozuar ndaj kushteve financiare të eurozonës. Gjithashtu niveli i lartë i borxhit publik dhe i kredive me probleme janë një tjetër faktor me risk në ekonomi.
Ekspertët prezantuan edhe eksperiencën e PPP-ve në botë.
Studentët i pyetën përfaqësuesit e FMN-së lidhur me angazhimet e mëdha të projekteve PPP, që ka ndërmarrë Shqipëria. Përfaqësuesit e FMN-së thanë se praktika më e mirë sugjeron qe cash floë (flukset e parasë) të lidhura me projektet duhet te pasqyrohen te buxheti afatmesëm, duke përmendur rastin e Kilit, që është një model suksesi. Edhe garancitë, thanë ata duhet të përfshihen si borxh publik.
Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) prej një jave ndodhet në kryeqytet, ku ka zhvilluar bisedime me autoritete të larta të vendit.
Si një përdorues i mëparshëm i financimit të FMN-së, Shqipëria tashmë bën pjesë në të ashtuquajturin “Monitorim pas Programit”, i cili kërkon shqyrtime dy herë në vit të zhvillimeve makroekonomike, rreziqeve dhe politikave.
Marrëveshja trevjeçare e zgjeruar e mekanizimit të Fondit (EFF), që i mundësoi qeverisë shqiptare të merrte një hua prej 377,3 milionë euro, përfundoi në shkurt 2017.
Tashmë marrëdhënia mes FMN-së dhe qeverisë bazohet në artikullin 4, ku FMN vazhdon të monitorojë zhvillimet dhe të ofrojë këshilla për qeverinë, por marrëdhënia nuk është më detyruese siç ishte gjatë kohës së marrëveshjes së zgjeruar.

Exit mobile version